Republika e Turqisë, që për një kohë të gjatë njihej si vend mysliman i demokratizuar dhe qartazi në kampin perëndimor, tashmë gjendet e trazuar në planin e brendshëm dhe në qendër të dy krizave të jashtme, luftës civile në Sirinë fqinje dhe emigracionin e paligjshëm që po ndryshon politikën europiane. E ardhmja e Turqisë dhe fqinjëve të saj është shqetësuese, në mos e errët.
Kthesa vendimtare ishte ardhja në pushtet i Rexhep Tajip Erdoganit në 2002, kur një një rezultat i paparashikuar zgjedhor i dha kontroll të plotë të qeverisë, të cilin pastaj e ktheu në mënyrë mjeshtërore në një zotërim personal. Pa vitesh vetëpërmbajtjeje dhe modestie, tiparet e vërteta të natyrës së tij – e folura me të madh, Islamist, dhe agresiv – kanë dalë në pah. Tashmë ai kërkon të qeverisë si despot, një ambicje që po i shkakton vendit të tij, probleme të panevojshme.
Fillimisht, politikat e disiplinuara fiskale të Erdoganit ia hapi rrugën ekonomisë turke që të kapte rritje ekonomike të ngjashme me ato të Kinës, gjë që i siguroi atij një zgjerim të mbështetjes elektorale ndërkohë që Ankaraja fitoi një rol të ri në ështjet rajonale. Mirëpo, pastaj, teoritë e konspiracionit, korrupsioni, mungesa e larg-pamësisë, si dhe paaftësia dëmtuan rritjen duke e bërë Turqin të dobët ekonomikisht.
Fillimisht, Erdogani ndërmori hapa të paparë për të zgjidhur problemin e vendit të tij me kurdët, duke pranuar se kjo pakicë etnike që përbënte pothuajse 20 përqind popullsisë së vendit kishte kulturën e saj dhe e lejoi që të shprehej në gjuhën e vet. Mirëpo, për arsye elektorale ai përmbysi qendrimet e tij vitin e kaluar, duke shkaktuar një kryengritje kurde më të dhunshme dhe më të vendosur se kurrë ndonjëherë në pikën që një luftë civile është mëse e mundshme.
Fillimisht, Erdogani pranoi autonominë tradicionale të institucioneve madhore në jetën turke– gjykatat ligjore, ushtria, shtypi, bankat, shkollat. Jo më; tani përpiqet të vërë gjithshka nën kontroll. Merrni rastin e dy gazetarëve të shquar, Can Dündar dhe Erdem Gül: meqë gazeta e tyre, Cumhuriyet, zbuloi mbështetjen e fshehtë të qeverisë turke për Shtetin Islamik (ISIS), Erdogani i burgosi me akuza surreale për spiunazh dhe terrorizëm. Akoma më keq, kur Gjykata Kushtetuese (më e larta në Turqi) rrëzoi vendimin për dënimin e tyre, Erdogani akuzoi vendimin e gjykatës si "kundër vendit dhe popullit të saj" dhe tregoi se do ta injoronte vendimin e saj.
Erdem Gül (majtas) dhe Can Dündar pas lirimit prej burgu. |
Fillimisht, Erdogani mbante marrëdhënie të kujdesshme dhe korrekte me Moskën, duke përfituar ekonomikisht dhe duke e përdorur Rusinë si një kundërpeshë ndaj Shteteve të Bashkuara. Por që prej rrëzimit të papërgjegjshëm të një avioni ushtarak rus prej turqve në nëntorin e kaluar, që u vijua nga një refuzim sfidues për të kërkuar falje, gangoja i vogël (Erdoğan) ka gjetur atë që meriton, madje më shumë se aq te gangoja i madh (Vladimir Putini i Rusisë) dhe është Turqia ajo që po paguan mimin. Presidenti francez François Hollande ka paralajmëruar publikisht për "rrezikun e një lufte" ndërmjet Turqisë dhe Rusisë.
Fillimisht, qendrimet pajtuese të Erdoganit sollën qetësimin e skenës së brendshme politike; tani, agresiviteti i tij ka sjellë një seri aktesh të vogla e të mëdha dhune. Më keq akoma, shumë prej tyre nuk dihet se kush po i bën dhe pse, duke ndezur paranojat. Për shembull, përpara se grupi kurd TAK të merrte përsipër shpërthimet e 13 marsit që vranë 37 vetë pranë zyrës së kryeministrit në Ankara, faji iu vesh me radhë kurdëve, ISIS-it dhe vetë qeverisë turke. U arsyetua se synonte të justifikonte një fushatë më të egër ndaj kurdëve vendas apo për të dënuar qeverinë për shkak të sulmeve ndaj kurdëve; për të inkurajuar ushtrinë turke që të pushtonte Sirinë apo që të fuste në kurth armikun e vjetër të Erdoganit, Lëvizjen Gülen.
Skena në Ankara në 13 mars. |
Fillimisht, Turqia u bë një kandidate e mundshme për anëtarësim në Bashkimin Europian, në sajë të sjelljes së kujdesshme të Erdoganit. Tani, rrëshqitja e tij drejt despotizmit dhe islamizmit do të thotë që europianët thjesht lajnë gojën duke pretenduar sikur po vazhdojnë negociatat me Ankaranë ndërkohë që shpresojnë se Republika e Qipros do t'i nxjerrë nga sikleti duke vënë veton që të mos pranohet kërkesa; siç vë në dukje gazetari turk Burak Bekdil, "Turqia moderne nuk ka qenë ndonjëherë kaq galaktikisht larg vlerave themelore të shenjtëruara në civilizimin europian dhe institutet e tij".
Në muajt e parë të kryengritjes siriane, Erdogani i ofroi këshilla me mend diktatorit të në Damask, Bashar al-Assad, për nevojën që ta lironte pak pushtetin e tij duke lejuar një pjesëmarrje më të madhe politike. Mirëpo, gjërat morën një rrugë kaq të shtrembër saqë – siç kanë raportuar edhe Dündar dhe Gül – Erdogani tani mbështet ISIS, organizatën më fanatike dhe islamiste të sotme, apo të të gjitha kohërave. Kjo mbështetje ka marrë shumë forma: lejimin e të huajve që të kalojnë nëpërmjet Turqisë për të mbërritur në Siri, duke lejimin e rekrutimit në Turqi, sigurimin e kujdesit mjekësor apo furnizimin me para dhe armë. Pavarësisht prej këtyre, ISIS, duke iu frikësuar tradhëtisë nga Ankaraja, kërcënon dhe sulmon turqit.
Gabimi i Erdoganit në mbështetjen e ISIS-it dhe organizatave të tjera sunite islamiste në Siri e kanë dëmtuar edhe në një drejtim tjetër, duke sjellë një prurje masive refugjatësh sirianë në Turqi, ku gjithnjë e më shumë po ndjehen të paftuar nga popullata vendase, për të cilën po shtojnë tensione të reja ekonomike dhe shoqërore.
Çka na sjell te manovra e fundit e Erdoganit. Dëshira e shumë refugjatëve sirianë për të shkuar në Europën veriperëndimore i ka dhuruar atij mekanizmin e dobishëm për t'i bërë shantazh Bashkimit Europian: më paguani shuma të mëdha parash (6 miliardë €uro sipas llogarisë më të fundit) dhe lejoni 80 milionë turq që të udhëtojnë pa viza nëpër vendet tuaja, ose do t'u plas shumë më tepër sirianë, irakenë, somalezë etj të paftuar në tokat tuaja.
Deri tani, kjo taktikë ka ecur. Me në krye Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, europianët u janë nënshtruar kërkesave të Erdoganit. Por, kjo fare mirë mund të jetë një fitore si e Pirros, që do të dëmtojë interesat afatgjata të Erdoganit. Pikë së pari, të detyrsoh europianët që të pretendojnë se nuk po u bëhet shantazh ndërkohë që po e ftojnë Turqinë duke shtrënguar dhëmbët, krijon një atmosferë negative që i ka zvogëluar në mos vrarë përgjithmonë shanset turke për anëtarësim në BE.
Kryeministri i Turqisë Ahmet Davutoğlu duke folur në një konference mbi emigracionin. |
Së dyti, loja e Erdoganit ka shkaktuar një ndryshim të thellë dhe mbase afatgjatë në gatishmërinë në Europë për të pranuar më shumë emigrant nga Lindja e Mesme – përfshi edhe turq – siç është dëshmuar nga rezultatet e dobëta të partisë së Merkelit në zgjedhjet e mbajtura më herët, këtë muaj.
Ky është vetëm fillimi. Të marra së bashku, këto gabime të Erdoganit paraljmërojnë më shumë kriza në të ardhmen. Gökhan Bacik, një profesor në Universitetin e Ipekut në Ankara, vë në dukje se "Turqisë po i vjen një katastrofë shumëplanëshe", shkalla e të cilës "është përtej kapaciteteve të Turqisë për ta tretur". Në qoftë se sot është Irani rreziku më i madh në Lindjen e Mesme, nesër do të jetë Turqia.