DUBAI – Në një kohë luftrash civile, anarkie, ekstremizmi dhe varfërie në Lindjen e Mesme, qytet-shtetet si Dubai dhe Abu Dhabi shquhen si vende ku arabisht-folësit po lulëzojnë, po bëjnë novacione dhe po shpalosin një model për të ecur përpara.
Po sa mund të zgjasë kjo? Për të gjetur një përgjigje vizitova kohët e fundit Emiratet e Bashkuara Arabe.
Si fillim, disa fakte bazë: Dikur të njohura si Shtetet Truciale nga imperialistët britanikë, EBA konsiston në shtatë monarki të vogla që kufizohen nga Gjiri Persik. Ato u bashkuan në 1971, ndërsa britanikët tërhiqeshin, për të formuar një federatë të vetme.
Vendi është dyfish i bekuar: me naftë dhe gaz si dhe me një grup udhëheqësish të zgjuar e me talent për tregëti. Të parat i japing vendit burime të jashtëzakonshme, të dytët e mbajnë larg rreziqeve, të lirë nga ekstremizmi ideologjik dhe të përqendruar në ekonomi. Përfundimi është që ngjan dhe ndjehet thjesht si një vend i lumtur, sidomos tani që kushtet e masës së punëtorëve emigrantë po përmirësohen.
Për mua, ndoshta tipari më me vlerë në EBA është cilësia e Dubait, si pikë nevralgjike e tregëtisë ndërkombëtare, që i ngjan si një Hong Kong i Lindjes së Mesme. Më la mbresa sidomos shpriti fetar inovator (ku tjetër në botë mund të gjesh dhoma të posaçme për t'u falur të ndara sipas gjinive) dhe fantazia për të luajtur me kulturën (ndërtimi i kondove që u përngjasin pallateve të larta të Jemenit, alernimi nga dita në ditë mes veshjeve tradicionale dhe atyre të stilit perëndimor.)
Por janë një numër elementesh që i vënë në rrezik këto vende:
Demografia: Për shkak të rritjes fenomenale të emigracionit, popullsia e EBA-ve është dyfishuar në gati 10 milionë në më pak se nëntë vite, duke ia kaluar shteteve fqinje si Omani dhe Kuvajti. Vetëm një në nëntë banorë janë nënshtetas; tetë të tjerët janë të ardhur nga jashtë, me 55 përqind të tyre me origjinë nga Azia Jugore. Ndonëse aktualisht në gjendje të fjetur, nuk është vështirë të imagjinohet se çfarë përmasash mund të marrë pakënaqësia dhe rebelimi i tyre nëse kohët e arta marrin fund.
Ekonomia: Në sajë të frakingut, të ngadalësimit të ekonomisë kineze dhe të faktorëve të tjerë, të ardhurat nga nafta të EBAs kanë rënë nga 75 miliardë në 48 miliardë dollar amerikanë, që prej vitit 2010. Edhe në një vend me gati një trilion dolarësh amerikanë në rezervat e thesarit, kjo prirje mund të ketë pasoja të dhimbshme, sidomos nëse vazhdon për shumë vite.
Kortezi e Paul Rivlin. |
Mjedisi: Sipas një statistike gati të pabesueshme, 98.8 përqind e ujit të pijshëm në Dubai vjen nga çkripëzimi ndonëse EBA ka konsumin më të lartë për kokë të ujit në botë. Sigurisht, kjo e lë vendin në rrezik të krizave hidrologjike.
Rajoni: Të ndodhura 400 milje larg nga Iraku dhe 100 milje nga Irani si dhe me një kufi të përbashkët me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe mund të pushtohen, robërohen apo aneksohen po me aq lehtësi sa Kuvajti nga Iraku i Sadam Hyseinit, rreth 25 vite më parë. Nuk duhet harruar se në prag të pavarësisë, në 1971, Shahu i Iranit pushtoi tre ishuj të Emirateve të Bashkuara.
Islamizmi Sunit: Ndonëse autoritetet i kanë mbajtur ekstremistët e brendshëm nën një kontroll të fortë, ata gjithësei ekzistojnë dhe janë thjesht duke pritur kohën e duhur për të shfrytëzuar mundësitë.
Intensivisht të ndërgjegjshëm për këto rreziqe, pushtetarët po ndjekin dy strategji inteligjente. Njëra e lidh vendin me botën e jashtme nëpërmjet garave sportive (kur isha për vizitë u zhvillua një garë me makina Formula 1), lidhjeve kulturore (mora pjesë në një bisedë në kampusin e Universitetit të Nju Jorkut në Abu Dhabi), turizmit (shiko selfin që bëra në majë të ndërtesës më të lartë në botë) dhe organizatave ndërkombëtare (Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme apo IRENA, hapi së fundi dyert e saj në Abu Dhabi). Të marra së bashku, këto veprimtari transmetojnë mesazhin se EBA nuk është thjesht një sajesë e llastuar dhe egoiste por një vend me aspirate për të kontribuar po aq sa për të konsumuar dhe që meriton mbështetje.
E dyta është që të përkryejë artin e rafinuar të kompromisit. Në politikën e jashtme, kjo do të thotë shmangia nga adoptimi përqendrimit total anti-iranian të sauditëve apo nga përqendrimit total anti-Vëllazëri Myslimane e Egjiptit, por balancimi i të dyjave. Kjo përfshin edhe pranimin e një misioni izraelit në kuardin e organizatës IRENA por duke këmbëngulur që të mos luajë ndonjë rol të rëndësishëm.
Në politikën e brendshme, kompromisi do të thotë lejimin e dyqaneve të alkoolit por fshehjen e tyre duke përdorur emra të rremë si dhe kushtëzimin e tyre me nevojën për të paraqitur një kërkesë për aprovim nga policia për të blerë pije. Kjo do të thotë gjithashtu, tabela në hotelet ku lejohen rrobat e banjos bikini por ndalohet shprehja publike e intimitetit.
Vështirë është ta gjesh këtë dyqan pijesh në Abu Dhabi, por "High Spirits" ka gjithshka që dëshiron. |
Në një kohë luftërash civile në Libi, Jemen, Siri dhe Irak, të pushtetit islamist Turqi dhe Iran, apo të hijes së katastrofës në horizont në vende si Egjipti, Jordania dhe Pakistani, duket se emirate e vogla dhe të privilegjuara arabe ofrojnë një rrugë për të ecur përpara, të bazuar në globalizmin dhe kompromisin. A do të mësojnë të tjerët prej tyre? A do t'u mbijetojnë ato sfidave që kanë përpara?
Unë vetë ashtu shpresoj. Sepse EBA ofron një rrugë drejt të ardhmes për një rajon që ka nevojë të madhe pikërisht për një gjë të tillë.