Lajmet se qeveritë turke dhe izraelite janë duke rivendosur marrëdhëniet e plotë diplomatike, pas shumë vite tensionesh më bëjnë të buzëqesh në mënyrë cinike – dhe të shqetësohem edhe njëherë për mendjelehtësinë e Izraelit.
Të dy shtet kanë gëzuar marrëdhënie të ngushta në vitet 1990, kur një vizion i përbashkët për botën i çoi drejt një lidhjeje të fortë ushtarake, një tregëti në rritje dhe shkëmbime njerëzore e kulturore. Duke shkruar në 1997, e karakterizova këtë marrëdhënie dypalëshe si me "potencialin për të ndryshuar hartën strategjike të Lindjes së Mesme, për të riformuar aleancat amerikane në rajon, si dhe për të reduktuar izolimin rajonal të Izraelit".
Ajo lulëzoi edhe pesë vjetë të tjera pas kësaj, derisa Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (Adalet ve Kalkınma Partisi, apo AKP) fitoi zgjedhjet në Turqi, në 2002 dhe vijoi për ta kthyer vendin në drejtimin islamist. Mes shumë pasojash, kjo solli edhe distancimin e Ankarasë nga Jeruzalemi të shoqëruar me një ngrohje të marrëdhënieve me Hamasin në Gaza.
Nën udhëheqjen e Rexhep Tajip Erdoanit, qeveria turke, hap pas hapi, degradoi izraelitët dhe dobësoi lidhjet mes dy shteteve, duke arritur kulmin me sponsorizimin e tërthortë të anijes "Mavi Marmara" që udhëtoi drejt Gazës në 2010. Nga ana e tyre, izraelitët bënë çmos që të ndreqnin përsëri marrëdhëniet, madje edhe kërkuan ndjesë dhe ofruan të paguajnë dëmshpërblim për viktimat turke në bordin e "Mavi Marmara"-së. Deri tani këto ishin refuzuar.
Pastaj, më 24 nëntor, Erdoan bëri gabimin e tmerrshëm që rrëzoi një avion rus që kishte rrëshqitur në hapësirën ruse për vetëm 17 sekonda. Ia vlen të kujtojmë se ky veprim erdhi në një kohë që vetë aeroplanët turq kanë shkelur 2,244 herë hapësirën ajrore të Greqisë, vetëm gjatë vitit 2014.
Kur dy tiranë përplasen, ai më i madhi dhe më i ashpëri fiton.
Agresioni gati i paprovokuar shkaktoi zemërimin e skajshëm të Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Çfarë ndodhi më pas ngjante me ato skenat në oborrin e shkollës, kur rrugaçi më i dobët vepron pa mend duke nxehur rrugaçin më të madh. Erdoani e zgjodhi keq kundërshtarin kësaj here sepse Putini i tregoi se kur vjen puna për sherr ai është aventurieri më i zoti, i gatshëm për të paguar një çmim të madh ekonomik vetëm që të dalë fitimtar.
Erdoan e kuptoi shpejt se kishte ngacmuar ariun që tashm i ka mundur turqit për shekuj me radhë (1568–70, 1676–81, 1687, 1689, 1695–96, 1710–12, 1735–39, 1768–74, 1787–91, 1806–12, 1828–29, 1853–56, 1877–78, 1914–18). Ai bëri pastaj atë që bëjnë trazovaçët më të vegjël kur u del ndonjë hundlesh më i madh: vrapoi të gjente ish-shokët e tij – në këtë rast, NATO-n në shkallë më të gjerë dhe Izraelin (dhe Egjyptin) në një shkallë më të vogël – i etur për t'u pajtuar me ta.
Një shkrim në "Wall Street Journal" bënte të ditur për negociatat turko-izraelite në Zvicër, që kishin nxjerrë në pah gatishmërinë turke për ta mbyllur mosmarrëveshjen për anijen "Mavi Marmara", për t'i dhënë fund veprimtarive të Hamasit në tokën turke dhe (më e rëndësishmja) për të diskutuar një tubacion transportimi të gazit natyral nga Izraeli në Turqi.
Kjo e fundit ka shumë kuptim nga pikëpamja e Ankarasë sepse gazi izraelit do të zvogëlonte varësinë nga gazi rus; mirëpo këtu nuk ka ndonjë përfitim të madh për Izraelin. Sapo të kalojë kërcënimi rus. Islamistët turq (të cilët do të jenë vërdallë për një kohë të gjatë, sipas të gjitha gjasave) do të rikthehen te zakonet e vjetra, që përfshijnë edhe një përmasë të hidhur anti-Izrael. (Pa filluar mirë negociatat, Erdoani u takua me Khaled Meshaal, një udhëheqës i Hamasit.) Duke qenë se një tubacion gazi do ta mbante peng Izraelin te Turqia në planin afatgjatë, ky duket si një hap i pamatur i izraelitëve.
Pavarësisht se izraeli e ka namin si shumë i ashpër, Jeruzalemi ka prirjen që të jetë tepër optimist (kujtoni Marrëveshjet e Olsos në 1993 apo tërheqjen nga Gaza në 2005), duke krijuar probleme të mëdha për Uashingtonin. Prandaj, sado joshëse që të duket një tubacion gazi Izrael-Turqi, amerkanët duhet ta këshillojnë Izraelin që të mos e ndërmarrë këtë hap.