Që prej masakrës së fundit në Paris, më 13 nëntor, egzistenca e "zonave të ndaluara" brenda atyre territoreve në Europë ku predominojnë musulmanët, ka qenë në qendër të diskutimit, kryesisht për shkak të lidhjeve të shumta të atyre që kryen sulmet me Molenbeek-un, një lagje kjo në Bruksel, ku mbizotërojnë muslimanët. Ky diskutim më solli ndër mend vizitën time më 29 janar, në një lagje të varfër në Marsejë të Francës ,prej 7,000 banorësh, të kredhur në drogë dhe krim, me qëllim që të shihja gjendjen aty me sytë e mi.
Një bllok tipik shtëpish banimi për emigrantët në Marsejë të Francës. |
U futa në kompleksin e banimit në një makinë të zakonshme të qytetit të cilës i jepte një nëpunës i pushtetit lokal i ngarkuar me detyrën që të më shoqëronte. Për fat të keq, si nëpunës zyre i pamësuar me punën në terren, ai u tremb dhe mori menjëherë kthesën për t'u larguar, duke ngjallur kështu dyshime mes tregtarëve të drogës, të cilët dhanë menjëherë alarmin.
Një motorçiklist dhe një kamion na zunë rrugën dhe na bllokuan në afërsi të autostradës. Ndërsa qëndroja ulur në sediljen e përparme të pasagjerit, 4 të rinj huliganë m'u afruan dhe më kërcënuan. Përfaqësuesi i pushtetit lokal nisi t'i sqaronte duke u thënë që isha një sociolog që po vizitonte qytetin. Në fillim ata reaguan duke bërë komente kërcënuese dhe më pas hodhën një copë betoni, të madhe sa një top futbolli, në xhamin e pasëm të makinës. Fatmirësisht asnjëri prej nesh nuk pësoi asnjë lëndim dhe menjëherë pas incidentit qëllimi i të cilit ishte që të na trembte, na lanë të largoheshim. Pas kësaj që ndodhi, i paraqita zyrës së kryetarit të bashkisë filmime, regjistrim të zërit si dhe foto të huliganëve dhe të targave të mjeteve të tyre të transportit.
Për dhjetë muaj me radhë kam heshtur lidhur me këtë incident me shpresën që sistemi gjyqësor francez do të kryente detyrën. Gjithsesi, deri më sot nuk është kapur askush, nuk është ngritur padi kundër askujt, dhe me sa jam në dijeni, nuk është kryer asnjë hetim lidhur me këtë çështje.
Incidenti më lart përbën një përjashtim të madh në serinë e 28 vizitave të tjera në zonat kryesisht musulmane në Australi, në Amerikën e Veriut dhe në Europën Perëndimore. Në të gjitha këto vende - të quajtura ZUS (në frëngjisht "Zones Urbaines Sensibles," apo "Zona të Ndjeshme Urbane"): kam "shkuar" pa asnjë problem, duke udhëtuar në to gjatë orëve të ditës, herë vetëm e herë jo, në një makinë anonime të marrë me qira, i veshur me rroba normale të një perëndimori - as me uniformë polici, as me rrobë prifti, veshje provokuese apo me një kippah në kokë.
Në shumë ZUS-e, kam dalë nga makina dhe kam ecur nëpër rrugë; thuajse kudo kam bërë fotografi. Në disa prej këtyre vendeve kam ndaluar dhe kam blerë diçka, kam ngrënë apo kam vizituar ndonjë xhami. Nuk kam bërë asgjë provokuese si ungjëllizim, apo parakalim në ndonjë paradë për homoseksualët, rekrutim në ushtri si dhe nuk kam fotografuar tregtarët e drogës. Pra nuk kam qenë një kërcënim. Më pas jam "larguar", i pacënuar nga kjo përvojë. Inkursionet e mia në brendësi të ZUS-it lënë të kuptojnë që këto në fakt janë zona jo të ndaluara për civilin e thjeshtë e të parrezikshëm. Madje edhe në Marsejë po të kisha shkuar në një makinë të marrë me qira, gjasat janë që huliganët të më mirëprisnin si një klient i mundshëm droge.
Mirëpo Brice De Ruyver, ish këshilltar për cështjet e sigurisë pranë kryeministrit belg, ka deklaruar se "Zyrtarisht nuk kemi zona të ndaluara në Bruksel, por në realitet kemi të tilla dhe ato gjenden në Molenbeek." E megjithatë, unë udhëtova me makinë dhe eca nëpër Molenbeek, po në janar, bëra lirisht fotografi të njerëzve në rrugë, në dyqane dhe ku desha dhe askush nuk më kushtoi vëmendje. U ndjeva tërësisht i sigurtë.
Pamje nga rruga në një nga zonat e banuara kryesisht nga musulmanë në Bruksel, e fotografuar ndërsa shëtisja nëpër lagjen në fjalë. |
Po ashtu, pak kohë më parë, në një pasdite nëntori të vitit 2014, kam shëtitur nëpër Rinkeby, një rajon famëkeq i Stokholmit pa ndeshur më shumë se në ndonjë vështrim armiqësor.; e megjithatë një polic i zonës ka dëshmuar lidhur me Rinkeby-n se, "Nëse jemi në ndjekje të ndonjë makine, ajo na shmanget duke u futur në lagje të caktuara ku një makinë patrullimi e vetme nuk ka mundësi ta ndjekë për shkak se ajo do të goditet me gurë të mëdhenj e madje mund të përballet me turma të revoltuara. Këto janë zona të ndaluara. Dhe ne, thjesht, nuk mund të hyjmë aty."
Si t'i bashkërendojmë këto përvoja të ndryshme? Vizitat e mija nxjerrin në pah që në përgjithësi civilët jo musulmanë mund të futen në zonat me shumicë musulmane pa patur frikë. Por nga këndvështrimi i qeverisë, gjërat duken shumë ndryshe. Rregullisht, zjarrfikësit, punojësit e urgjencës madje dhe punonjësit socialë [që futen aty] ndeshen me dhunë dhe qëndrim armiqësor. Për shembull, disa ditë pasi vizitova lagjen e varfër të Marsejës, banorët e atyshëm qëlluan mbi policinë e cila po përgatitej për vizitën e kryeministrit francez. Kështu pra kjo lagje dhe të tjera të ngjashme me të përbëjnë një zonë të ndaluar për policinë, një vend ku përfaqësuesit e qeverisë hyjnë vetëm kur janë të armatosur deri në dhëmbë, në autokolona, vetëm përkohësisht dhe me një mision të caktuar.
Termi "zonë e ndaluar" nuk është term zyrtar (me sa duket vjen nga zhargoni ushtarak amerikan); fjalorët i atribuojnë këtij termi dy kuptime të cilat përputhen me konkluzionet e mija: ose (1) njerëzit e zakonshëm i rrijnë larg një zone nga frika ose (2) ose përfaqësuesit e qeverisë futen aty vetëm në rrethana të caktuara. ZUS-et nuk përputhen me përshkrimin e parë, por përputhen me të dytin.
Një nga dyqanet më interesante që pashë në rrethinën e Shën Denisit në Paris. |
Kështu pra, nëse Molenbeek, Rinkeby dhe lagjja e varfër e Marsejës përbëjnë apo jo zona të ndaluara, është diçka që varet nga aspekti mbi të cilën dëshiron ta vërë theksin njëri apo tjetri - lehtësia me të cilën futen aty vizitorët e zakonshëm, në kohë të zakonshme apo vështirësia e zyrtarëve qeveritarë për t'u futur aty në kohë tensioni. Egzistojnë gjithashtu dhe klasifikime sipas shkallës së vështirësisë për t'u futur aty, ka vende ku sulmet janë më të shpeshta dhe më të dhunshme dhe të tjera më pak të tilla. Por pavarësisht nga mënyra se si njëri apo tjetri e paraqet përmbledhazi këtë gjendje të ndërlikuar - ndoshta zona pjesërisht të ndaluara? - këto zona përbëjnë një rrezik të madh.