Nëse Partia AK e Presidentit Rexhep Tajip Erdoğan nuk do të fitojë një shumicë deputetësh në zgjedhjet e 1 nëntorit, pushteti i tij mbi median kryesore të vendit do të dobësohet. Titulli i një analize shumë të lexuar të agjensisë Reuters e përmbledh këtë pikëpamje: "Erdoğanit nuk i mbetet tjetër veçse të ndajë pushtetin pas zgjedhjeve turke". Agjensia AFP (Agence France-Presse) parashikon që nëse fiton më pak se gjysmën e vendeve "do ta detyrojë përsëri [AKP-në] që të ndajë pushtetin ose të shpallë edhe njëherë tjetër zgjedhje të reja". Në mënyrë gati identike, Middle East Online mendon se kjo situatë do ta detyrojë AKP-në që "të ndajë pushtetin apo të organizojë edhe një zgjedhje tjetër". E kështu me radhë, përsërisin përfshirjen e fjalëve "ndajë pushtetin".
Bordi Suprem i Zgjedhjeve (Yüksek Seçim Kurulu) mbikqyr votimet në Turqi; a do të detyrohet t'i manipulojë zgjedhjet e 1 nëntorit? |
Por, çfarë ndodh nëse Erdogani vendos që të mos e ndajë pushtetin? Ai do të ketë dy rrugëdalje: Nëse rezultatet janë të ngushta, manipulimi zgjedhor është qartësisht i mundshëm; ka raporte që paralajmërojnë përdorimin e një programi kompjuterik të sofistikuar (kujtoni Volksëagen) që do të përmbyste rezultatet.
Nëse rezultatet nuk janë të ngushta, atëhere Erdogani mund të anashkalojë parliamentin, kryeministrin, ministrat e tjerë dhe gjithë qeverinë për atë punë. Kjo rrugë e anashkalimit, të cilën shtypi po e injoron si mundësi, buron drejtpërdrejt nga veprimet e Erdoganit në të kaluarën. Që kur është larguar nga kryeministria në gusht 2014 për t'u bërë President i Turqisë, ai ka pakësuar pushtetet e postit të tij të mëparshëm, duke ia zhveshur gati të gjithë autoritetin. Aty vendosi një teoricien profesorial të politikës së jashtme, që nuk ka një bazë të tijën politike, Ahmet Davutoğlu, dhe e mban kaq shumë nën kontroll saqë Davutoğlu nuk cakton dot as ndihmësit e tij (që luajnë edhe rolin e spiunëve të Erdoganit).
Në të njëjtën kohë, Erdogani i ndërtoi vetes një pallat me 1.005 dhoma dhe një staf të brendshëm prej 2,700 vetësh, që përbën një burokraci, e cila mund të rrëmbejë rolin e ministrive të shtetit, duke e lënë qeverinë në dukje të pandryshuar por duke e komanduar mbrapa skene nga pallati.
Presidenti i Turqisw, Erdogan (majtas) duke i dhënë detyrat kryeministrit Davutoğlu. |
Erdogani mesiguri do të anashkalojë edhe parlamentin; jo duke e kthyer në një asamble fallco e të bindur si ai i Koresë së Veriut, por në një institucion të ngjashëm me ato në Egjipt e në Iran që përmbytet me çështje dytësore (provimet shkollore, autostradat e reja) ndërkohë që tregon kujdes ndaj dëshirave të Bosit të Madh.
Pastaj, për të plotësuar marrjen e pushtetit, do të zbarkojë mjetet e të shumta të influencës së tij për të kontrolluar gjyqësorin, median, korporatat, akademinë dhe artet. Ai do t'ia mbyllë gojën gjithashtu edhe kundërshtimit individual, sidomos në rrjetet sociale, siç duket qartë nga paditë e shumta që ai dhe shërbëtorët e tij kanë ngritur kundër qytetarëve të thjeshtë që kanë guxuar ta kritikojnë.
Në këtë pikë, Hugo Çavezi apo Vladimir Putini i Turqisë, ai që e ka krahasuar demokracinë me një tramvaj ("Udhëton me të deri sa arrin në destinacion dhe pastaj zbret) do të ketë arritur vërtet në destinacion. Si shpërblim, ai mund ta shpallë veten edhe si kalif i të gjithë myslimanëve.
Çavezi i Venezuelës dhe Putini i Rusisë (djathtas) në krahët e njëri-tjetrit: Po Erdogani ku është? |
Për t'u kthyer tek e tanishmja: Numri i vendeve në parlament të AKP-së nuk ka edhe aq shumë rëndësi sepse Erdogani do të bëjë atë që nevojitet, në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, për t'u bërë sulltani i ri. Ati nuk do t'i duhet të "ndajë pushtetin", por do ta zërë pushtetin për hunde (duke anashkaluar parlamentin) apo me hile (manipulim zgjedhor). Kryeqytetet e huaja duhet të përgatiten për mundësinë e pakëndshme të një diktature të paligjshme në Turqi.
Shtojcë e 26 tetorit, 2015: Kadri Gürsel shqyrton mundësitë ndryshme për AKP-në nëse nuk fiton shumicën e votave, përfshi edhe detyrimin për një raund të tretë zgjedhjesh nga Erdogani. Por ai nuk llogarit anashkalimin e parlamentit si një nga rrugëdaljet e presidentit.