Unë e përbuz marrëveshjen e 14 korrikut në Vienë, sepse mund t'i sjellë dëme të pallogaritshme Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj. Pavarësisht nga kjo, gjej një ngushëllim të vogël në mundësinë që nëse gjithshka shkon në rregull do të dëmtojë në fund shumë më tepër regjimin iranian sesa armiqtë e tij.
Të metat e "Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit" (JCPOA ) janë kaq të shumta saqë rreshtimi i tyre do të kërkonte më shumë hapësirë sesa vetë traktati 159-faqësh. Me pak fjalë, JCPOA u ofron tiranëve të Teheranit për 10-15 vitet e ardhshme më shumë para, më shumë legjitimitet, më shumë armë dhe një shteg të miratuar drejt armatosjes bërthamore. Siç e përmbledh problemin një analizë e Izraelit: marrëveshja në mënyrë të njëanshme dhe pa kushte i dhuron Iranit çdo gjë që dëshironte të arrinte pa lëshuar asnjë asgjë jetike "quid pro quo".
Me keq akoma, marrëveshja nuk përfshin asnjë klauzolë që kërkon nga Irani që rë ndërpresë mbështetjen për grupet e dhunshme, që të ndalë planet e tij agresive për pushtimin e fqinjëve, të heqë dorë nga eliminimi i shtetit hebre apo nga dislokimi i një armë me impuls elekromagnetik kundër Shteteve të Bashkuara. Vërtet, kaq vetëbesim kanë mullahët në pozicionin e tyre saqë nuk janë ndalur të shprehin synimet e tyre luftarake dhe të këmbëngulin hapur se Amerikanët mbeten armiqtë e tyre. Tirani që drejton vendin, "Udhëheqësi Suprem" Ali Khamene'i, madje botoi edhe një libër kushtuar shkatërrimit të Izraelit, gjatë kohës që bëheshin negociatat. Shkurt, marrëveshja e bën luftën me Iranin më të mundshme.
Nga ana e saj, administrata e Obamas ka maskuar në mënyrë të turpshme kushtet e traktatit, ka përdorur metoda mbrapaskensh që të mos rrëzohej në Kongres dhe është bërë avokate dhe zëdhënëse e Khamenein.
Për këto arsye jam i zhgënjyer nga kongresistët demokratë që shkuan si delet mbas budallallëkut të Obamas dhe bashkohem me dy të tretat e publikut amerikan që e hedh poshtë këtë marrëveshje me Iranin si dhe dridhem kur imagjinoj se çfarë katastrofash mund të sjellë kjo mrrëveshje.
Më shumë se 12,000 vetë morën pjesë në "Mitingun Ndaloni Iranin" në Nju Jork Siti, në 22 korrik, 2015. |
Ndërsa lidhur me ngushëllimin e vockël: Në rast se vërtet udhëheqja iraniane nuk e prodhon armatimin e saj fringo të ri bërthamor, atëhere marrëveshja do të përfundonte me rrëzimin e regjimit dhe për dy arsye.
E para, kontakti më i madh me botën e jashtme dhe një standard më i lartë i jetesës mund të gërryejnë qendrueshmërinë e regjimit. Sovietikët dhe shembuj të tjerë tregojnë se sa më shumë që subjektet e një sistemi totalitar dinë për botën jashtë dhe sa më shumë që mund ta krahasojnë me veten, aq më shumë të pakënaqur bëhen me rendin ideologjik dhe tiranik ekzistues. (Ka arsye se pse popullata e Koresë së Veriut mbahet e izoluar.)
Ndryshimet kanë filluar qysh tani në Iran: Shpresa të ekzagjeruara janë krijuar për më shumë begati e liri, raporton Saeid Jafari, një gazetar iranian. "Pas marrëveshjes së fundit të Iranit me gjashtë fuqitë bërthamore të botës, shumë iranianë të rinj po shpresojnë për ditë më të mira". Dhe nuk është vetëm rinia; "në varësi të shtresës ku bëjnë pjesë, shpresat variojnë për tema delikate si investimet e huaja, marrëdhëniet e Iranit me botën dhe atmosferën kulturore, shoqërore dhe politike në vend". "Gjithashtu, pothuajse të gjithë kërkojnë një monedhë më të fortë".
Kjo bankënotë iraniane prej 100,000 Riale vlen vetëm sa rreth 3.34 dollarë amerikanë. |
Megjithatë, regjimi po u reziston kërkesave për ndryshime. Ai ka hedhur poshtë krijimin e partive të reja politike dhe arreston tregëtarët që shesin rroba që kanë të qendisur flamurin amerikan; liri i thënshin. Ai nuk heq dorë nga "ekonomia e rezistencës" (që do të thotë një kapacitet të brendshëm aq sa për të zvogëluar dobësinë prej sanksioneve dhe shmangien e varësisë nga bota e jashtme); konsumerizëm i thënshin.
Presidenti Hasan Ruhani, i cili është i lidhur ngushtë me marrëveshjen bërthamore është përpjekur të hedhë ujë të ftohtë mbi shpresat e fryra duke paralajmëruar se rruga përpara do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme: "Ne mund të importojmë ilaçe kundër dhimbjeve sapo të hiqen sanksionet duke shpenzuar fondet e shkrira për importe të lira. Mund të përdorim gjithashtu burimet tona për investime në manifakturë, bujqësi dhe sektorët e shërbimeve. Do të zgjedhim këtë të dytën".
Së dyti, siç ka argumentuar Stephen Sestanovich në Universitetin e Kolumbias në një shkrim të shkëqyer të vitit 1993 që shpjegonte rrëzimin e Bashkimit Sovietik: lëshimet e Perëndimit në procesin e detantës destabilizuan regjimin sovietik, edhe pse ato lëshime lejuan "plotësimin e të gjitha kërkesave ushtarake dhe diplomatike sovietike" – në mënyrë të ngjashme me marrëveshjen e Iranit sot. "Perëndimi nervozue me papritshmëritë e tij u shndërrua në një kundërshtar që komunizmit sovietik thjesht nuk mund ta kuptonte, aq më pak ta mposhtëte. Në fund, dobësia demokratike për të cilën shumëkush ankohej mund të ketë qenë ajo që solli në duar fitoren".
Ronald Reagan e përqeshi puthjen ndërmjet Jimmy Carter dhe Leonida Brezhnevit; mirëpo lëvizjet para-mbrapa të Perëndimit në marrëdhëniet me Bashkimin Sovietik i rraskapitën komunistët. |
Ashtu si diktatorët sovietikë, kolegët e tyre iranianë mund të sabotohen pikërisht nga kthesat dhe ndryshimet e Perëndimit. Kjo mundësi nuk e zvogëlon kundërshtimin tim të vendosur kundër mrrëveshjes me Iranin por i shton një shpresë të vogël për një përfitim afatgjatë, një synim që strategjistët amerikanë, izraelitë, arabë të Gjirit dhe të tjerë, tani duhet ta shfrytëzojnë në maksimum.