Sipas sondazheve më të fundit, partia politike Demokratët Suedezë, (Sverigedemokraterna) ose SD), e parrezikshme po ta gjykosh nga emri, por në fakt një kundërshtare e tërbuar e institucioneve, është partia politike me mbështetjen më të madhe në Suedi. Ky lajm nënkupton pasoja që mund të jenë me shumë rëndësi jo vetëm për Suedinë, por për të gjithë Europën.
Logoja e Demokratëve suedezë me parrullën "Siguri dhe Traditë". |
Suedia është një vend i veçantë. është një nga vendet më të pasura dhe më paqësore të botës (nuk është përfshirë në asnjë konflikt të armatosur që prej dy shekujsh), deri pak kohë më parë ishte një shoqëri jashtëzakonisht homogjene ku socializmi, – që në mënyrë optimiste presupozon se njerëzit lindin të mirë por janë rrethanat që i bëjnë të këqinj – funksiononte dhe qeveria gëzonte prestigj të madh.
Krenaria suedeze për arritjet në vend përkthehet si superioritet etik, dhe ky i fundit simbolizohet me pretendimin e dëgjuar shpesh të të qenit një "superfuqi morale".
Kjo trashëgimi është bërë gjithashtu frymëzim për një intolerancë ndaj kundershtimit: "Hesht, trego konsensus, le të merren burokratët me të". Vendit i ka dalë kaq shumë nami për unanimitetin e shtirë mbytës sa kam dëgjuar me vëshët e mi një danez të pyesë në një forum publik, "Pse Suedia është bërë Koreja e Veriut e Skandinavisë?"
Historia e Suedisë ka mundësuar gjithashtu krijimin e një mentaliteti që nuk e pranon krizën, dhe që i lufton zgjidhjet elastike dhe praktike të nevojshme për t'i bërë ballë problemeve aktuale me të cilat po përballet vendi, sidomos atyre që kanë të bëjnë me valën e imigrantëve, kryesisht muslimanë. Siç më tha njëri nga bashkëbiseduesit e mi në Stokholm në fillim të këtij muaji, "Suksesi i të kaluarës ka sjellë dështimin e sotëm". Për shembull, masat e sigurisë në Suedi janë shumë më të dobëta se ato të një vendi si Bolivia, dhe prirjet për t'i përmirësuar, të pakta, duke e bërë kështu thuajse të pashmangshme dhunën islamiste.
Në këtë situatë budallallepsjeje, SD-ja del në pah sepse ajo ofron të vetmen alternativë politike. Kjo u provua në dhjetor 2014, kur u duk se SD-ja kishte votën që do të përcaktonte nga do të anonte peshorja, në përplasjen mes të majtës dhe të djathtës, gjatë votimit në Riksdag - parlamenti njëdhomësh suedez - për një çështje kyçe lidhur me buxhetin, deri në momentin kur të shtata partitë e tjera u bashkuan në një koalicion të madh për të eliminuar çdo ndikimin të mundshëm të SD-së në atë votë.
Siç lë të kuptojë ky akt dëshpërimi, partia Demokratët Suedezë ofron një amalgam politikash populiste – dhe jo "të ekstremit të djathtë" siç është bërë zakon të përshkruhen – të urryera nga partitë tradicionale: Para së gjithash, ajo bën thirrje për asimilimin e imigrantëve të ligjshëm, përzënien e atyre të paligjshëm, zvogëlimin të paktën në masën 90% të imigracionit në të ardhmen. Ajo paraqet gjithashtu dhe një numër politikash të tjera (që kanë të bëjnë me krimin, mbrojtjen, Bashkimin Europian dhe Izraelin) tërësisht jashtë konsensusit suedez dhe tërësisht të papranueshme nga partitë e tjera.
Një reklamë në stacionin e metrosë së Stokholmit që ilustron mesazhin që duan të përcjellin Demokratët suedezë. |
Me të drejtë institucionet e urrejnë dhe e kanë frikë SD-në, duke shfrytëzuar çdo pretekst për t'i gjetur të meta, duke filluar nga akuza për të kaluarën e saj neo-fashiste (megjithëse lidhjet fashiste nuk i ka vetëm SD-ja) dhe duke vijuar me të metat nga më të voglat të udhëheqjes së saj.
Të mbështetësh SD-në mbetet diçka tabu. Njëherë, shefi i policisë kombëtare shkroi në Twitter se i vinte "për të vjellë" kur shihte udhëheqësin e SD-së; natyrisht vartësit e tij nuk guxojnë ta pranojnë mbështetjen që i japin partisë në fjalë. Por sipas disa vlerësimeve që mora personalisht nga një zyrtar, 50% e policëve votojnë për SD-në.
Në një mesazh në Twitter, shefi i ardhshëm i policisë kombëtare shkroi se i vinte "për të vjellë" nga udhëheqësi i Demokratëve suedezë. |
Pavarësisht nga izolimi që i bëhet, SD-ja gjithnjë e më shumë po krijon lidhje me suedezët (përfshirë dhe disa imigrantë), duke siguruar kështu një mbështetje të rëndësishme elektorale, thuajse duke dyfishuar, çdo katër vjet, votat parlamentare: nga 0.4% në vitin 1998 në 1.3% në vitin 2002, 2.9% në 2006-ën, 5.7% në 2010-ën dhe 12.9% në shtator të vitit 2014. Dhe aktualisht, më pak se një vit më vonë, sipas një sondazhi YouGov, ajo ka dyfishuar përsëri mbështetjen elektorale duke kapur 25.2%, që do të thotë se ia ka kaluar Social Demokratëve në pushtet (që kanë vetëm 23.4%) si dhe të Moderuarve, teorikisht partia më e madhe e së djathtës, (me 21%).
Po aq i rëndësishëm, siç mësova në Stokholm, është fakti që klima intelektuale dhe politike ka ndryshuar. Gazetarët, politologët dhe politikanët kanë vënë në dukje që ideve, që deri para një viti nuk u lihej vend mes atyre predominuese, tashmë po u kushtohet vëmendje. Për shembull, katër gazeta kryesore kanë vënë në dyshim konsensusin në mbështetje të rritjes së imigracionit. Përveç rritjes së mbështetjes ndaj SD-së, ky ndryshim është rezultat i një sërë faktorësh: forcimi shokues i Shtetit Islamik në Irak dhe Siri (ISIS), i cili ka sjellë ndryshime në debat; shqetësimi në vazhdim ndaj marrëveshjes së dhjetorit, e cila e pengoi SD-në të ushtronte ndikimin që i takonte në parlament; si dhe kujtimi gjithnjë e më i zbehtë i masakrës së vitit 2011 nga Anders Behring Breivik në Norvegji.
Për ta përmbledhur, me sa duket të hequrit sikur nuk po ndodh asgjë dhe çensura nuk mund të vazhdojnë gjatë dhe pas njëfarë kohe instikti i vetë-ruajtjes merr përparësi. Egziston mundësia që vendi perëndimor më i prirur ndaj vetëvrasjes kombëtare të jetë duke dalë nga topitja. Dhe nëse një ndryshim i tillë po ndodh në "Korenë e Veriut të Scandinavisë," në Suedi, ai mundet, dhe gjasat janë që do të ndodhë dhe kudo tjetër në Europë.