Barack Obama ka sinjalizuar në mënyrë të përsëritur për gjashtë vite e gjysëm se përparësia e tij Numër 1 në politikën e jashtme nuk është as Kina, as Rusia dhe as Meksika, por Irani. Ai do që ta nxjerrë Iranin nga izolimi për ta shndërruar Republikën Islamike në një anëtar të zakonshëm të të ashtuquajturit komunitet ndërkombëtar, duke i dhënë fund dekadave të agresionit dhe armiqësisë së tij.
Në vetëvete, ky është një qëllim me vlera; është gjithmonë punë me mend të pakësosh numrin e armiqve. (Të sjell ndër mend vizitën e Niksonit në Kinë.) Mirëpo problemi qendron sigurisht në mënyrën e realizimit.
Barack Obama duke njoftuar marrëveshjen me Iranin në 14 korrik. |
Sjellja gjatë negociatave bërthamore me Iranin ka qenë e turpshme, nga administrata Obama që është treguar e paqendrueshme, kapitulluese, ekzagjeruese madje edhe gënjeshtare. Ajo ka kërkuar me forcë disa kushte dhe pastaj brenda pak kohe është dorëzuar pikërisht për ato kushte. Sekretari i Shtetit John Kerry deklaroi papritur se ne kemi "dijeni absolute" për çfarë kanë bërë iranianët deri tani në programin e tyre bërthamor dhe se nuk kemi nevojë për inspektime për të përcaktuar vijën që nuk duhet kaluar. Si mundet dikush që nuk është fëmijë, aq më pak një zyrtar i lartë të bëjë një deklaratë të tillë?
Administrata ka keqinformuar amerikanët për lëshimet që ka bërë: Pas Planit të Përbashkët të Veprimit të nëntorit 2013, nxori një përmbledhje faktesh për të cilën Teherani tha se nuk ishte e saktë. E gjeni dot se kush kishte pasur të drejtë? Iranianët. Domethënë, qeveria e SHBA-së tregoi se nuk mund të besohet.
Marrëveshja e nënshkruar sot i jep fund sanksioneve ekonomike ndaj regjimit, lejon iranianët të fshehin shumë prej veprimtarive të tyre bërthamore, është e paaftë për t'u vënë me detyrim në zbatim nëse iranianët e shkelin atë dhe nuk skadon pa mbaruar dekada. Dy probleme bien veçanërisht në sy: Udhëtimi iranian deri te armët bërthamore është lehtësuar dhe legjitimuar; Teherani do të marrë një "bonus nënshkrimi" prej 150 miliardë dollarësh që do të rrisë në mënyrë të jashtëzakonshme aftësitë e tij agresore në Lindjen e Mesme dhe përtej saj.
Vetëm Shtetet e Bashkuara, pa numëruar vendet e grupit negociator P5+1 në tërësi, kanë fuqi shumë më të madhe ekonomike dhe ushtarake se Republika Islamike e Iranit, gjë që e bën këtë lëshim të njëanshëm akoma edhe më të pabesueshëm.
Të zgjuarit e grupit, (dy iranianët) kanë veshur këmisha të bardha pa kravatë dhe duken më të kënaqurit. |
Nga gabimet e administratës të grumbulluara në gjashtë vite të politikës së jashtme, asnjë nuk ka qenë katastrofik për Shtetet e Bashkuara: As krijimi i ishujve nga Kina, as pushtimi i Krimesë nga rusët dhe as fundosja në luftëra civile të Libisë, Jemenit, Sirisë dhe Irakut. Por, marrëveshja me Iranin ka të gjitha shenjat e një katastrofe.
Vëmendja tani është zhvendosur në Kongresin Amerikan për të rishikuar marrëveshjen e sotme, që mund të argumentohet si traktati më i keq, jo vetëm në historinë amerikane apo në atë moderne, por i të gjitha kohërave. Kongresi duhet ta refuzojë këtë marrëveshje. Senatorët dhe kongresistët republikanë janë treguar të vendosur në këtë temë; a do të dëshmojnë veten edhe Demokratët duke ofruar vota të mjaftueshme për të mposhtur veton presidenciale? Për këtë ata duhet të vihen nën presion.