A ia arriti dot qëllimit, ajo reklama e thatë dhe bardhezi, që vazhdoi për një muaj në autobusët e Filadelfias, për të krijuar simpati për hebrejtë viktima të myslimanëve?
Reklama u sponsorizua nga Nisma për Mbrojtjen e Lirisë Amerikane dhe u vendos në autobusët e SEPTA-s (Southeastern Pennsylvania Transportation Authority – Autoriteti i Transportit në Juglindjen e Pensilvenias), një organ rajonal dhe shtetëror. Teksti i reklamës qe: "Urrejtja islamike ndaj hebrejve: Është në Kuran. Dy të tretat e gjithë ndihmës nga SHBA shkon për vendet islamike. Ndaloni urrejtjen. Jepni fund të gjithë ndihmës për vendet islamike. IslamicJewHatred.com." Një fotografi e nëntorit 1941 shoqërohej me shënimin "Adolf Hitleri dhe aleati i tij i vendosur, udhëheqësi i botës myslimane, Haxh Amin al-Husseini." SEPTA mori $30,000 për reklamën që u shfaq, gjatë muajit prill, në formatin 30 me 80 gishta në 84 autobuzë nga 1,400 që ka SEPTA gjithësej.
Reklama që u botua gjatë prillit 2015 në autobuzët e Filadelfias. |
Jo, reklama dështoi duke mos arritur synimin, madje në mënyrë spektakolare. Ja edhe aspektet e dështimit:
Së pari, teksti nuk ishte i saktë. Amin al-Husseini nuk ka qenë kurrë "udhëheqës i botës myslimane". Ai ishte një i emëruar nga britanikët në Mandatin për Palestinën, në të cilin myslimanët përbëinë më pak se 1% të popullsisë në botën myslimane.
Së dyti, takimi i Husseinit me Hitlerin nuk përfaqësoi ndonjë aleancë të përhershme apo universale ndërmjet myslimanëve dhe nazistëve; ishte vetëm një rastësi, një takim oportunist ndërmjet një palestinezi të shpallur në kërkim nga ligji dhe padronit të tij të radhës.
E treta, kërkesa e reklamës nuk ka kuptim: Si do të "ndalonte urrejtjen" ndaj hebrejve anullimi i ndihmës ushtarake prej 10 miliardë dollarësh për Afganistanin? Dhe si e nxit vazhdimi i kësaj ndihme "urrejtjen islamike për hebrejtë"?
Por më e rëndësishmja në dështimin e reklamës ishte përgjigjia armiqësore që provokoi. Në vend që të fitonte simpati për hebrejtë si viktima të myslimanëve, ajo mobilizoi institucionet në Filadelfia që të mbështesin myslimanët si viktima të hebrejve. Një titull nga "Jewish Exponent" e përmblodhi mirë reagimin: "Përbuzja ndaj reklamave të autobuzëve SEPTA mbledh grupet së bashku". Kryebashkiaku Michael Nutter organizoi një takim në natyrë, nën skulpturën e famshme LOVE (DASHURI) ku u bashkuan aktivistë, fetarë, gazetarë dhe intelektualë para të cilëve ai denoncoi "taktikat politike të keqorientuara dhe oportuniste" të fshehura pas reklamës së autobuzeve.
Kryebashkiaku Michael Nutter (poshtë shkronjës "E" duke mbajtur një copë letër) organizoi një takim poshtë skulpturës LOVE në Filadelfia. |
Qendra Ndërfetare e Filadelfias me Rrethina denoncoi reklamën si "ofenduese dhe " dhe njoftoi se çdo organizatë që ishte kontaktuar ishte shprehur "e tmerruar" nga ajo. Qendra vendosi një poster të sajin për t'iu kundërvënë reklamës. Një grup ndërfetar që përfshiu Arqipeshkvin Charles Chaput dënoi "mesazhin zjarrndezës që shërben për të përçarë, stigmatizuar dhe nxitur paragjykime". Reklama gjithashtu ofroi një platformë për udhëheqësit myslimanë që të bënin deklarata të tilla si "çdokush që thotë se ne urrejmë hebrejtë apo këdo të një feje tjetër , nuk e di se çfarë është duke folur".
Qendra Ndërfetare e Filadelfias me Rrethina vendosi një poster të sajin për t'iu kundërvënë reklamës së autobuzëve. |
Rabinë të Reformës, Konservatorë dhe Ortodoksë iu zbrazën gjithashtu reklamës. Një rabine grua, Linda Holtzman, shkoi edhe më tej duke nisur një fushatë për ta zhgarravitur reklamën me figura ngjitëse. Liga Kundër Fyerjes (The Anti-Defamation League) e quajti reklamën "zjarrnxitëse dhe shumë ofenduese". Edhe vetë zëvendës-konsulli i përgjithshëm i Izraelit në Filadelfia, Elad Strohmayer e dënoi reklamën: "Nuk duhet të mbështesim asnjë urrejtje ndaj kujtdo grupi fetar... dhe duhet të qendrojmë së bashku si komunitet kundër saj".
Vetë SEPTA e kundërshtoi ashpërsisht reklamën, duke thënë se "fuste çdo mysliman në të njëjtën kategori si urrejtës të hebrejve" dhe menjëherë ndryshoi politikën e saj duke ndaluar përgjithmonë në të ardhmen reklamat politike. Akoma më keq, SEPTA i dërgoi një letër të gjatë dashurie Këshillit të Marrëdhënieve Amerikano-Islamike (CAIR) – një organizatë islamiste të nxjerrë jashtë ligjit si grup terrorist në Emiratet e Bashkuara Arabe– duke lavdëruar përpjekjet e CAIR-it për "të neutralizuar ndikimin e reklamave dhe për të farkëtuar një mirëkuptim më të madh fetar dhe diskurs civil". SEPTA gjithashtu lavdëroi "mesazhin nga CAIR për përfshirje dhe tolerancë" si dhe qendrimet e tij ndaj këtyre reklamave, pra duke i dhuruar një mal prestigji të pamerituar për CAIR – duke ndëshkuar ata myslimanë të guximshëm që luftojnë kundër metodave shtypëse të CAIR-it.
Nëse rregulli i parë i reklamës është që të sigurosh që mesazhi të përcillet në mënyrë efektive, kjo reklamë autobuzash e pasaktë, e çuditshme dhe aggresive duhet të renditet si një katastrofë e paparë në histori, që dëmtoi kauzën së cilës duhej t'i shërbente ndërkohë që ndihmoi ata që synonte të dëmtonte. Është si një reklamë nga Coke që i nis klientët turma turma drejt Pepsit.
Si mund të ishte hartuar në mënyrë më efektive reklama? Thjesht: duke dalluar mes fesë së Islamit dhe ideologjisë totalitare të Islamizmit, si për shembull: "Islami radikal është problemi, Islami i moderuar është zgjidhja. Jomyslimanët dhe myslimanët patriotë duhet të bashkohen për të luftuar grupet ISIS, Boku Haram, CAIR dhe ISNA. Islamist-Watch.org" Në fotografi mund të kishin qenë shkrimtari Salman Rushdie duke folur me drejtuesin televiziv Bill Maher, një liberal i cili kritikon Islamin radikal.
Salman Rushdie dhe Bill Maher duke diskutuar për Islamin. |
Ky do të kishte qenë një mesazh i dobishëm, duke e lënë udhëheqjen e qytetit të patrazuar, ndërkohë që do të kishte mobilizuar kuadro të rinj për betejën kundër armikut tonë të përbashkët, Islamistëve.