Një figurë politike iraniane, Issa Kalantari, paralajmëroi kohët e fundit se gabimet e të kaluarës e kanë lënë Iranin me rezerva ujore aq të pamjaftueshme saqë rreth 70 përqind apo 55 milionë prej 78 milionë që janë iranianët gjithsej, mund të detyrohen të braktisin vendin e tyre për të jetuar diku tjetër.
Shumë fakte përforcojnë parashikimin apokaliptik të Kalantarit: Dikur frymëzonte poetët, kurse tani Liqeni Urmia, më i madhi në Lindjen e Mesme, ka humbur 95 përqind të ujit të tij që prej vitit 1996. Dikur kishte 31 miliardë metra në kub ujë, ndërsa tani vetëm 1.5 miliard. Çfarë është Seina për Parisin, Zayanderud ka qenë dikur për Isfahanin – vetëm se ky i dyti është tharë tërësisht në 2010. Rreth dy të tretat e qyteteve dhe fshatrave të Iranit janë "në prag të krizës së ujit" që mund të rezultojë në mungesë uji të pijshëm; qysh tani, mijëra fshatra varen nga rezervuaret e ujit. Stuhi të papara pluhuri çorodisin veprimtaritë ekonomike dhe dëmtojnë shëndetin.
Liqeni Urmia ka humbur 95 përqind të ujit të tij, në dekadat e fundit. |
Iranianët nuk janë të vetmit që përballen me këtë rrezik; shumë popuj të tjerë në thatësirën e Lindjes së Mesme mund të detyrohen në fund drejt një emigracioni të padëshiruar, në varfëri dhe dëshpërim. Me një përjashtim unik dhe të mrekullueshëm, shumica e Lindjes ë Mesme po mbetet pa ujë për shkak të sëmundjeve të tilla si rritja e popullsisë, diktatorë mendjeshkurtër, interesa ekonomike të çrregullta dhe infrastrukturë e shkatërruar nga luftrat. Ja disa specifika:
Egjipti: Rritja e niveleve të detit rrezikon jo vetëm që të zhysë nën ujë qytetet bregdetare të vendit (përfshi edhe Aleksandrinë, me popullsi 4 milion) por edhe të infektojë akuiferin e Deltës së Nilit, një nga rezervuaret më të mëdhej në botë të ujit të tokës. Qeveria etiopiane, më në fund, ka hapur sytë përpara potencialit hidraulik të Nilit Blu që buron nga vendi i saj dhe po ndërton diga masive që mund të pakësojnë në mënyrë të skajshme prurjen e ujit të lumit që rrjedh pastaj në Egjipt (dhe Sudan).
Gaza: E kanë quajtur "tmerr hidrollogjik" përzjerjen e ujit të detit dhe të kanaleve të zeza që e kanë bërë 95% të akuiferit bregdetar, të papërdorshëm për konsum nga njeriu.
Jemen: Fitimet nga nafta e kanë lejuar Jemenin që të rrisë si kurrë më parë në vitet e fundit përtypjen e katit, kaçubet me gjethe të të cilave absorbojnë më shumë ujë sesa nxjerrin si bimë. Uji i pijshëm "ka rënë në më pak se 1 çerek litri për person në ditë" në shumë zona malore, raporton eksperti i ujërave Gerhard Lichtenthaeler. Eksperti Ilan Wulfsohn shkruan se Sana'a "mund të bëhet kryeqyteti i parë në botë pa asnjë pikë ujë".
Tre jemenas duke përtyput kat. |
Siria: Qeveria siriane ka çuar dëm 15 miliardë dollarë në projekte të dështuara kanalizimesh vaditëse, në vitet 1988-2000. Ndërmjet 2002 dhe 2008, gati të gjitha 420,000 puset, e hapura pa leje, u thanë, burimet ujore dhe prodhimi i drithit u përgjysmuan. Kjo ka bërë që 250,000 bujq të braktisin tokat e tyre. Kur erdhi viti 2009, problemet me ujin kishin sjellë humbjen e 800,000 vendeve të punës. Rreth vitit 2010, në zonat malore të Rakës, tashmë kryeqyteti i Shtetit Islamik, "The New York Times" shkruan se "sistemet e lashta të kanaleve vaditëse dhe burimet ujore nëntokësore janë tharë dhe qindra fshatra janë braktisur ndërkohë që arat kthehen në thatësira të krisura dhe bagëtia që ushqehet me bimë vdes ngadalë".
Irak: Ekspertët parashikojnë që ujërat e Lumit Eufrat do të përgjysmohen së shpejti (për pasojat e kësaj është shkruar edhe në Zbulesa 16:12). Qysh në 2011, Diga e Mosulit, më e madhja në Irak, u mbyll tërësisht për shkak të rrjedhjes së pamjaftueshme. Uji i detit nga Gjiri Persik e ka rritur nivelin e Lumit Shatt al-Arab; si rrjedhim, uji i kripur ka shkatërruar fermat e rritjes së peshqve, bagëtive dhe bimëve bujqësore. Në veri të Irakut, mungesat e ujit kanë sjellë braktisjen e fshatrave, disa prej të cilave tani po mbulohen nga rëra, ndërsa në përgjithësi ka një rënie 95% të prodhimit bujqësor të elbit dhe grurit. Palmat me hurma janë pakësuar nga 33 milion në 9 milion. Sadam Hyseini thau kënetat në jug të Irakut, duke shkatërruar ekologjinë e faunës dhe duke ua prerë Arabëve të Moçaleve burimet e jetesës.
Gjiri Persik: Përpjekjet e gjera të çkripëzimit, në mënyrë ironike kanë shtuar nivelin e kripës në ujin e detit në gji, nga 32,000 në 47,000 copëza për milion, duke kërcënuar jetën e faunës dhe atë marine.
Pakistani fqinj mund të kthehet në "një vend të etur për ujë" në 2022.
Izraeli përfaqëson të vetmin përjashtim në këtë histori rajonale halleshumë. Edhe ai ka vuajtur nga pakësimet e ujit qysh në vitet 1990, mirëpo në sajë të gërshetimit të politikave të konservimit të ujit, riciklimit, teknikave të reja shkencore bujqësore si dhe çkripëzimit me teknologji moderne, vendi është pasuruar me H2O (Autoriteti i Ujit në Izrael: "Kemi gjithë ujin që na duhet"). Ajo që më habit veçanërisht është aftësia e Izraelit për çkripëruar rreth 17 litra ujë duke shoenzuar vetëm një cent (një e qinta e dollarit); dhe se riciklon pesë herë më shumë ujë sesa vendi i dytë në renditje, Spanja.
Teknologjia bujqësore e pikimit, e shpikur nga Netafim, një kompani izraelite, përdoret në më shumë se 100 vende. |
Me fjalë të tjera, perspektiva e çrrënjosjes masive të popullatave të kërcënuara nga thatësira – ndoshta më i rëndi nga problemet e shumta të thella nga të cilat vuan rajoni – mund të shmanget nëse përdoret fuqia mendore dhe pjekuria politike. Vendet e dëshpëruara mbase duhet të heqin dorë nga lufta e kotë me fqinjin në rajon që është një fuqi hidraulike botërore dhe të fillojnë të mësojnë prej tij.