Paralajmërimi i famshëm i "vijës së kuqe" që Barack Obama i bëri në gusht 2012 Bashar al-Asadit në Siri mund të argumentohet se ka qenë momenti përcaktues për politikën e jashtme të presidencës së tij: një paralajmërim pa ekuivoke ndaj një udhëheqësi renegat që të hiqte dorë nga krimet e luftës ose përndryshe do ta paguante rëndë.
Kur shkelja e kësaj vije të kuqe nga Asadi përfundoi në një situatë të mjegullt, me premtimin e mbështetur nga Rusia se regjimi i Asadit do të dorëzonte armët e tij kimike, reagimet qenë të ndryshme. Presidenti dhe aleatët e tij e përshëndetën si një monument të diplomacisë, ku me anë të një kërcënimi të besueshëm ishte arritur pa derdhur gjak një përmirësim i madh në sjelljen e regjimit. Në kundërshtim me këtë, kritikët e paraqitën Obamën si një tigër prej letre që hungëriu kërcënime të cilat u shuan sapo mori garancira, pa asnjë bazë, nga një mashtrues i njohur.
Trupat e sirianëve të vrarë nga regjimi i Asadit me gaz nervor në gusht 2013. |
Për dy vjet, nuk pati asnjë verdikt; të dy palët përsërisnin pikëpamjet e tyre pa ndonjë konkluzion. Por tani përfundimin e kemi në duar.
Kjo sepse tashmë ka plot raporte që tregojnë se regjimi i Asadit ka përdorur klorinë në bombat e tij cifluese, plus zbulimi i gjurmëve të ricinit, sarinit and agjentëve VX. Qeveria e SHBA-së nuk ka bërë asgjë për të reaguar ndaj këtyre zhvillimeve skandaloze, përveçse disa kritikave të buta, duke i tërhequr vëmendjes OKB-së që nuk ka fuqi për asgjë, duke shpresuar se rusët apo edhe iranianët do të përpiqen ta zgjidhin problemin. Kësaj here askush nuk përmendi vija të kuqe, me shpresën se askush nuk do të kujtohej për çfarë ndodhi në 2013.
Mirëpo, ne mbajmë mend dhe nxjerrim përfundime. Tashmë është pa diskutim e qartë se Obama nuk është asgjë më shumë sesa një tigër prej letre. Kërcënimet e tij ndaj diktaturës siriane nuk kishin asnjë seriozitet dhe u zhdukën në ajër, për t'u zëvendësuar me spërdredhje dhe dërdëllitje.
Për të kuptuar rëndësinë e këtij reagimi duhen ndjekur pasojat e tij në sytë e shteteve të tjera kundërshtare si Rusia, Kina dhe sidomos Irani. Nëqoftëse, Obama nuk guxon t'ia mbledhë një regjimi të dobët si ai në Damask, si mund të guxojë ai ta bëjë këtë me armiq të fuqishëm në Moskë, Pekin dhe Teheran?
Për këtë arsye, çështja e armëve kimike është kyçe për politikën e jashtme amerikane. Ashtu si shumë vëzhgues, unë po i numëroj me padurim muajt (ende 20 të tilla) derisa të largohet ky president dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë mundësinë për një fillim të ri, ku mund të mabjnë fjalën e dhënë, të ruajnë reputacionin e tyre historik dhe të mbrojnë vetveten.