Na vjen lajmi se një tjetër emigrant islamist me emrin Coulibaly (Kulibali), nga Mali, ka sulmuar një tjetër institut hebre, në Francë. I pari, Amedy Coulibaly, vrau katër hebrej në një dyqan kosher në Paris më 9 janar; ky i dyti plagosi tre ushtarë dje, ndërsa ata po ruanin një qendër të komunitetit hebre në Nisë.
Dy ushtarë duke qendruar më 20 janar përpara muzeumit hebre, në Bruksel, ku një islamist vrau katër vetë në maj 2014. |
Policia thotë se Moussa Coulibaly (Musa Kulibali), rreth të 30-ave, me një të kaluar vjedhjesh dhe dhune, e që mesa duket nuk ka asnjë lidhje me Amedin, nxorri nga çanta një thikë rreth 8-gishta të gjatë (12 cm) dhe plagosi një ushtar në mjekër, një në faqe dhe një në parakrah.
Rastësisht, gjendesha në Nisë dhe u largova katër orë përpara këtij sulmi, pasi kisha kaluar nga qendra hebraike vetëm pak ditë më parë, gjatë turit në zonat me shumicë myslimane në dhjetë qytetet kryesore të Francës dhe Belgjikës. Këto udhëtime më sollën në mënyrë të përsëritur afër ushtarëve të armatosur rëndë, të cilët mbrojnë institutet hebraike dhe kjo më ka shtyrë të nxjerr një numër përfundimesh skeptike lidhur me praninë e tyre:
- Ata janë ushtarë, jo policë pra pa përgatitjen e duhur për të dalluar në moment problemet në rrugë.
- Ata janë të prirur të hutohen nga celularët dhe vajzat kalimtare.
- Armët i mbajnë të varura në trup, duke mbetur kështu në mëshirën e dikujt që mund të kalojë duke i qëlluar nga makina.
- Si u konfirmua nga sulmi i sotëm, mbrojtja tepër e dukshme që ofrojnë ata në fakt provokon islamistët dhe antisemitë të tjerë.
- Ata janë vendosur vetëm përkohësisht në institucionet hebraike si reagim pas sulmit të "Hyper Cacher" muajin e kaluar dhe pas pak kohe do të hiqen.
- Ata mbrojnë vetëm institucionet dhe jo njerëzit që hyjnë e dalin në to, të cilët mbeten më në rrezik se kurrë.
Dy ushtarë, duke qendruar më 30 janar, pranë Sinagogës së Madhe, në Marsejë. |
Me pak fjalë, ushtarët janë kot, vendosja e tyre nuk bën asgjë për të ndihmuar komunitetin hebre, apo për të zgjidhur problemin më të madh, atë të dhunës islamiste. Mirëpo, nga ana tjetër ofron një tjetër shembull të "teatrit të sigurisë" që vlen vetëm për kënaqësi emocionale e që u jep të gjithëve idenë konstruktive se po bëhet diçka.
Në të kundërt, Qendra Kabbalah në Montpejer të Francës nuk kishte roje të dukshme, më 1 shkurt. |
Një zgjidhje reale do të kërkonte hapa më të thellë dhe më afatgjatë që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, politikën e emigracionit, përpjekjet për integrim dhe metoda efektive policore.
Shtesë e datës 4 shkurt, 2015: Një numër lexuesish kanë shtuar vrojtime të vlefshme për analizën e mësipërme.
- Një ish-oficer i flotës franceze me informon se: "Nëse do të pyesje një gjeneral se pse ushtarët nuk e qëlluan sulmuesin, ai do t'i bënte bisht pyetjes, sepse nuk mund të gënjejë, por sepse armët që ju shihni të hedhura në qafë nga këta ushtarë, në fakt, kanë karrikatorë të zbrazur. Nuk kanë fishekë! Është çmenduri! Disa oficerë kanë plumba, ndarazi në një mbajtëse, por jo të mbushura në armë. I vetmi personel ushtarak që lejohet të mbajë armë të mbushura janë xhandarmëria. Të gjithë të tjerët përfshi edhe ushtarët, këmbësoria madje edhe komandosat nuk lejohen të mbajnë armë të mbushura. Duke qenë se është qesharake, qeveria përpiqet ta mbajë të fshehtë këtë fakt".
- Një lexues pyet se edhe nëse ushtaratë janë të armatosur sa të përgatitur janë ata për të qëlluar nëse vjen nevoja. A janë armët e mbushura, apo u duhet t'i mbushin fillimisht? A janë këto armë në pozicionin e sigurisë, apo duhet të çkyçen përpara se të qëllohet me to? A janë armët automatike apo semi-automatike?
- William Mayer nga PipeLineNews.com pyet: "Pse këta ushtarë janë me pak apo pa përvojë në përleshjen trup me trup? Të çarmatosësh armikun që mban një thikë është diçka elementare dhe që mësohet (në SHBA) që në kazerma. Edhe pa armë, tre ushtarët duhej të kishin qenë në gjendje që të paralizonin një gangster rrugësh të armatosur vetëm me një thikë kasapi". Ai vë në dukje në uebsajtin e tij se "në qoftë se më të mirët dhe më të zgjuarit e forcave anti-terroriste të një vendi nuk janë në gjendje as të ndalojnë sulmin e një njeriu me thikë, si do të ndalojnë ata sulme të mëtejshme nga fanatikët islamikë? Në fakt, një mesazh dobësie dhe jo vendosmërie sapo është transmetuar".
Më tej, një lajm i ri bën të ditur se Moussa Coulibaly, është prej Mantes-la-Jolie, rreth 30 milje në perëndim të Parisit dhe që është dënuar me burg 6 herë nga 2003 në 2012 për krime që përfshijnë vjedhje, përdorim droge dhe sulme verbale ndaj zyrtarëve publikë: e gjitha kjo dëshmon për paaftësi të shërbimeve të sigurisë franceze.
- Një palestër private e denoncoi në polici pasi dalloi shenja të "proselitizimt agresiv". Kjo përfshinte mungesën e sjelljes me femrat dhe kritikën ndaj një burri që kishte bërë dush lakuriq. Mirëpo, policia nuk e vuri në mbikqyrje.
- Bleu një biletë njëdrejtimëshe për në Turqi, në fillim të janarit. Sjellja e tij dhe problemet me pashaportën bënë që një nëpunës të njoftonte "Air France", e cila nga ana e saj njoftoi policinë. Megjithatë, ai u lejua të shkojë në Turqi.
- Shërbimet sekrete franceze u kërkuan autoriteteve turke që ta deportonin menjëherë mbrapsh në Francë, ku më 28 janar u mor në pyetje nga oficerë të kundërterrorizmit dhe u la i lirë vetëm pak ditë përpara sulmit.