Karriera që dikur premtonte aq shumë e profesorit të drejtësisë në UCLA, Khaled Medhat Abou El Fadl, është venitur, gjatë dhjetëvjeçarit të kaluar. Kanë ikur kënaqësitë e vëmendjes xixëlluese të medias, ftesat për t'iu bashkuar institucioneve të rëndësishme të qeverisë dhe për të ofruar dëshmi prej eksperti në gjyqe të profilit të lartë.
Khaled Abou El Fadl njihet si një profesor i shquar i drejtësisë në UCLA. |
Nuk është e qartë nëse arsyeja e vetme për këtë rrokullisje kokëposhtë është një artikull i imi i vitit 2014, që e demaskoi si një "islamist të fshehur", por ajo ekspozé që është lexuar më shumë se 30,000 herë, padyshim që ia ka zbehur figurën. Në atë shkrim, tregova sesi, pavarësisht reputacionit në atë kohë aq të lavdëruar të tij si mysliman i moderuar, Abou El Fadl në fakt:
do që myslimanët të jetojnë duke zbatuar Sherihatin, ligjin që veç të tjerash aprovon skllavërinë, ekzekutimin për apostazi, shtypjen e grave dhe që trajton jomyslimanët si qytetarë të klasit të dytë. "Sherihati dhe Islami janë të pandashëm", ka shkruar ai, "dhe njëri nuk bën dot pa tjetrin". Në një pasazh shumë vetëzbulues, ai pranon se besnikëria e tij e parë pas Zotit është ndaj Sherihatit".
Zbulimi në publik i ambicjeve të tij të vërteta ia sabotuan pretendimin se ishte i moderuar.
I diskretituar në këtë mënyrë, nuk është çudi që Abou El Fadl, po plas që të hakmerret ndaj meje. Ai lëshoi një tullumbace prove në vitin 2010, por ka nxjerrë në pah helmin e tij akoma më shumë në një libër të kohëve të fundit, "Reasoning with God" (Duke arsyetuar me Zotin), në të cilin më kthehet duke u përpjekur të më përshkruajë si një "propagandist anti-mysliman" që "poston me krenari në uebsajtin e tij narrative apo njerëz që gjoja kanë zbuluar se Islami është një fe false apo çfarëdo shkrimi që vë në dyshim autencitetin e Kuranit ose të çdo gjëje islamike deri edhe vetë ekzistencën e Muhamedit, Profetit të Islamit".
Problemi është se, Profesori i Shquar i Drejtësisë i Omar dhe Azmeralda Alfit të University i Kalifornias në Los Angeles, emrin e të cilit do ta përdor shkurtuar si KAEF, është brakstiur faktet e ka përfunduar në letërsi. Në frymën e higjenës miqësore akademike, po ofroj disa korrigjime.
Pasazhi i mësipërm ka dy problem. Së pari, uebsajti im përmban një arkiv vetëm të shkrimeve të mia, kështu që unë nuk kam sit ë "postoj me krenari" dikë tjetër. Po, "DanielPipes.org" ka deri tani 140,000 komente nga lexuesit, po këto variojnë nga lavdërime për ISIS-in deri te përbuzja për Islamin. Fakti që KAEF hyn të peshkojë ndonjë shembull nga ky spektër komentesh shërben vetëm për të sabotuar besueshmërinë e tij.
Së dyti, unë shkrova një artikull në vitin 2000, "Kush ishte Profeti Muhamed?" në të cilin vëzhgoja veprat revizionuese që ngrinin pyetje lidhur me saktësinë historike të ngjarjeve së kronologjisë së njohur të Islamit të hershëm. KAEF u përgjigj egërsisht në atë kohë dhe vazhdon të tregojë se edhe 15 vhet më pas, mbetet i fiksuar me atë shkrim të vogël. Ai nënkupton se unë duhet të marr të mirëqëna versionet islamiste dhe të mos tregoj interes – e aq më pak të aprovoj – studime që mund të vënë në dyshim mitet e shenjta. Çfarë lloj "profesori" është ky?
Ai pastaj më akuzon se unë pranoj vetëm myslimanë që urrejnë veten e tyre:
Kur propagandistë si ky, pretendojnë të inkurajojnë myslimanët që të reformohen dhe përparojnë, në praktikë kritikojnë synimet e çdo reformatory mysliman që sheh qoftë edhe një të mirë në traditën myslimane … të vetmit muslimanë që këta islamofobë duket se pëlqejnë janë myslimanët vetëurryes, të cilëve u vjen turp nga çdo gjë që lidhet me fenë e tyre.
Aspak: ata që KAEF i quan "myslimanë vetëurryes" janë antiislamistë që luftojnë për ta shpëtuar fenë e tyre nga gropat e ferrit ku e ka çuar ekstremizmi, qoftë me barbarinë e Boko Haramit apo me poshtërsinë e rafinuar të dikujt si KAEF. Unë e admiroj dhe mbështes punën e myslimanëve besimtarë si Zuhdi Jasser dhe Raquel Sarasëati, të cilët ia kanë kushtuar jetën e tyre luftës kundër Islamizmit.
Më tej: Kur të tjerët dhe unë e quajmë dikë si KAEF "islamist", ai na kthehet dhe na akuzon se e përdorim si një "justifikim për të shprehur një paragjykim abti-mysliman". Mirëpo myslimanët e përdorin vetë termin "Islamist" apo një nga sinonimet e tij për të përshkruar ata si talibanët, Al-Shabaab, Khamene'i, dhe Erdoğani. A mendon KAEF se dhjetëra milionë myslimanë që demonstruan në rrugët e Egjiptit kundër qeverisë Morsi ishin duke "shprehur paragjykime antimyslimane"?
KAEF pastaj kalon kufijtë e personales duke më akuzuar se etiketoj si "islamist çdo mysliman që kërcënon ndjenjën e superioritetit të vetë Pipes ndaj myslimanëve apo çdokënd që kërcënon idenë e tij për përparësitë politike e sociale". Kjo puna e "ndjenjës se suprioritetit ndaj myslimanëve" është një poshtërsi e fabrikuar që më ofendon. E sfidoj KAEF që të më paraqesë dëshmi për këtë shpifje të paturpshme. Përsa u përket islamistëve, unë nuk ndjehem superior ndaj tyre; i respektoj si armiq të denjë dhe jam në luftë me ta.
KAEF e mbyll me një sulm përfundimtar: "ndonëse jo aq ekstremistë sa Pipes, ka një numër të rëndësishëm shkrimtarësh që përpiqen të kuptojnë botën e Islamit nëpërmjet një vizioni binary që i vesh Islamit çdo gjë që është inferior'. Jo i dashur KAEF: Unë nuk jam "ekstrem" madje as anti-Islam, por vetëm kundër një lloji të caktuar Islami, atij që e quaj Islamizëm – llojit të cilit i shërbeni ju. Ju përfaqësoni pjesën e parë të refrenit tim që thotë: "Islami radikal është problem, Islami i moderuar është zgjidhja".
Abou El Fadl dhe unë nuk biem dakord në një prej çështjeve të mëdha të kohës sonë; sa keq që mungesat e tij si studiues dhe pandershmëria e tij intelektuale e kanë bërë të pamundur një debat konstruktiv mes nesh.