Ne që ndjekim lëvizjen islamiste sa nuk ramë kolektivisht nga karrigia kur, më 15 nëntor, doli lajmi se kabineti i ministrave të Emirateve të Bashkuara Arabe e kishte radhitur Këshillin për Marrëdhënie Amerikano-Islamike (CAIR), si një prej 83 organizatave terroriste, bashkë me Talibanët, Al-Kaidën dhe ISIS.
Kjo tingëlloi e habitshme: sepse autoritetet e EBA-s e kanë promovuar vetë islamizmin në të kaluarën; sepse CAIR ka mbledhur fonde në të kaluarën për EBA-n; dhe sepse Ambasada e EBA-s në Washington ka thurrur laved në të kaluarën për CAIR-in.
Megjithatë, kur e mendon, përfshirja në listë ka kuptim, sepse në vitet e fundit, lëvizja islamiste është copëzuar keqas. Sunitët luftojnë kundër Shiave; promovuesit e luftës me dhunë kundër atyre që promovojnë punën nga brenda sistemit; modernizuesit që luftojnë kundër atyre që duan të kthehen në shekullin e 7; dhe monarkistët që përballen me republikanët.
Kjo ndarje e fundit na intereson këtu. Pas disa dekadash bashkëpunimi të ngushtë me Vëllazërinë Myslimane (VM) dhe institucionet e lidhura me të, mbretëritë e Gjirit Persik (me përjashtimin e vetëm dhe të dukshëm, të Katarit) e shohin tani kompleksin e institucioneve të VB-së si një kërcënim për vetë ekzistencën e tyre. Sundimtarët sauditë, emiratas, kuvajtianë dhe bahrenianë tani i shohin politikanët e tipit Mohamed Morsi të Egjiptit si armiq. Po kështu shohin edhe Hamasin dhe pjellat e tij, përfshi edhe CAIR-in.
Nuk është se mbretëritë e Gjirit janë bërë më pak islamiste, por atyre u janë hapur sytë dhe e kuptojnë shumë më mirë dëmin që mund të bëjnë grupe të lidhura me Vëllazërinë Myslimane.
Pas shpjegimit të arsyes se pse EBA e ka rreshtuar CAIR në listën e terrorizmit, duhet të bëjmë pyetjen e dytë: A është ky cilësim i merituar? A është e mundshme që një organizatë me qendër në Washington, e lidhur me Shtëpinë e Bardhë të Obamas, me Kongresin Amerikan, me burimet kryesore të medias dhe universitete prestigjioze, të jetë vërtetë një nxitëse e terrorizmit?
Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan duke shpjeguar se pse qeveria e tij e konsideron CAIR si organizatë terroriste. |
CAIR mund të karakterizohet me të drejtë si e tillë. Vërtet që nuk vendos bomba, mirëpo, siç e shpjegoi Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe "i kemi lehtësuar shumë kriteret. … Ne nuk mund të pranojmë as nxitjen dhe as financimin". Vërtet që CAIR nxit, financon dhe bën shumë më tepër përsa i përket terrorizmit:
U bën apologjinë grupeve terroriste: Ndonëse është sfiduar shumë herë që të denoncojë Hamasin dhe Hezbollahun si grupe terrorriste, CAIR denoncon vetëm aktet e dhunës, por jo urdhëruesit e tyre.
Është i lidhur me Hamasin: Hamasi, një organizatë e shpallur si terroriste nga SHBA dhe shumë qeveri të tjera, në mënyrë të tërthortë ka krijuar organizatën CAIR dhe të dy grupet mbeten të lidhura ngushtë. Për shembull: në vitin 1994, kryetari i CAIR, Nihad Avad deklaroi publikisht mbështetjen e tij për Hamasin; Fondacioni i Tokës së Shenjtë (HLF), një grup mbas të cilit qendron Hamasi kontribuoi 5,000 dollarë për CAIR-in; si shkëmbim, CAIR shfrytëzoi sulmet e 11 Shtatorit për të mbledhur fonde për HLF-në; dhe në gushtin e kaluar, demonstruesit në një miting të organizuar nga CAIR në Florida, brohoritën: "Jemi Hamas!"
Fondacioni i Tokës së Shenjtë (HLF), një grup mbas të cilit qendron Hamasi dhuroi një shumë fillestare prej 5,000 dollarësh që CAIR të mund të themelohej. |
E zgjidhi padinë në tavolinë: CAIR hodhi në gjyq për shpifje në vitin 2004 një grup që e quante veten Anti-Cair për pesë deklarata të tij. Mirëpo, 2 vjet më vonë e mbylli çështjen pa dalë në gjyq, (me kushtin që të mos rihapej më), duke pranuar tërthorazi saktësinë e portretizimeve nga Anti-CAIR, të cilat përfshnin:
- "CAIR është një organizatë terroriste që mbështet një organizatë pas të cilës qendojnë terroristë që e financojnë pjesërisht";
- "CAIR … mbështetet nga individë, grupe dhe shtete që mbështesin terrorizmin";
- "CAIR ka lidhje të provuara me terroristë dhe financohet prej tyre"; dhe
- "CAIR mbështet në mënyrë aktive terroristët dhe vende e grupe që mbështesin terroristët".
Për dy vjet, 2004-06, CAIR paditi Anti-CAIR, por në fund ranë në ujdi me kusht mos-rihapje të çështjes. |
Përfshin individë të akuzuar për terrorizëm: Të paktën shtatë anëtarë të bordit dhe stafit në CAIR janë arrestuar, u është ndaluar hyrja në SHBA ose janë paditur apo kanë pranuar fahësinë e janë burgosur me akuza për terrorizëm: Siraj Wahhaj, Bassem Khafagi, Randall ("Ismail") Royer, Ghassan Elashi, Rabih Haddad, Muthanna Al-Hanooti dhe Nabil Sadoun.
Është në telash me drejtësinë: Prokurorët federalë në 2007 e shpallën CAIR (bashkë me dy organizata të tjera islamike) si "bashkë-përbetuese jo të paditura dhe/apo ortake biznesi) në një përbetim kriminal për të mbështetur financiarisht Hamasin. Në 2008, FBI ndërpreu komunikimin me CAIR për shkak të dyshimit për lidhje të vazhdueshme të organizatës me terroristë".
Kur mësoi vendosjen në listë nga Emiratet e Bashkuara, CAIR e quajti atë "shokuese dhe të çuditshme" dhe pastaj filloi të lobonte Departamentin e Shtetit që të protestonte dhe anullonte vendimin. Për të mos ua prishur, zëdhënësi i departmentit, Jeff Rathke vuri në dukje se qeveria e SHBA-së, e cila "nuk i konsideron këto organizata si organizata terroriste", ka kërkuar për më shumë informacione mbi vendimin e EBA-s. Ministri i Jashtëm i Emirateve u përgjigj që nëse organizatat dëshmojnë që "qendrimet e tyre kanë ndryshuar", atëhere atom und të bëjnë kërkesë që "emrat e tyre të hiqen nga lista".
Presioni nga administrata Obama mund të ndryshojë listën e EBA-s. Mirëpo edhe nëse ndodh, kjo nuk do të eliminojë dëmin afatgjatë të saj. Për herë të parë, një qeveri islamiste ka zbuluar cilësinë malinje dhe terroristike të CAIR-it, një njollë, të cilën CAIR nuk do të mund ta lajë dot kurrë.
8 dhjetor, 2014 shtesë: CAIR nuk është e vetmja organizatë perëndimore e mërzitur nga ky zhvillim: shihni Hassan Obeid, "Grupet myslimane europiane të zemëruara nga përfshirja në listën e terrorizmit të Emirateve të Bashkuara Arabe".
17 dhjetor, 2014 shtesë: Është ironike që ndërsa EBA fusin Vëllazërinë Myslimane në listën e terrorizmit, Gjykata e Përgjithshme e Bashkimit Europian heq Hamsain nga lista e vetë e terrorizmit.
22 dhjetor, 2014 shtesë: CAIR lëshoi një deklaratë për shtypin sot: "Qeveria e SHBA-së premton të punojë me CAIR dhe MAS për listën e EBA-s" që përshkruan takimin e përfaqësuesve të CAIR-it me "zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane" dhe raporton se "qeveria amerikane ka premtuar të punojë së bashku [me të dy organizatat] për të arritur një zgjidhje positive për futjen në listën e EBA-s."
Pikëpamja ime? Kanë kaluar mbi pesë javë që kur përfshirja në listë është bërë publike, më 15 nëntor, dhe autoritetet e EBA-s nuk kanë hequr dorë prej saj, gjë që më bën të dyshoj nëse mund të tërhiqet pavarësisht nga ndonjë përpjekje e Administratës Obama.