E dënoj pa asnjë rezervë nxjerrjen në publik të sekreteve me rëndësi të qeverisë së Shteteve të Bashkuara nga Edward Snowden. Por në momentin që këto dokumente kanë dalë në shesh, nuk ka kuptim të injorosh informacionin që ato përmbajnë tashmë në dispozicion të publikut. Një dokument prej 14 faqesh i Central Intelligence Agency (CIA-s) me titullin e stërholluar burokratik "Surviving Secondary: An Identity Threat Assessment of Secondary Screening Procedures at International Airports" ofron një shembull të mirë për ilustrim. I përkthyer në një anglishte normale, titulli i sapopërmendur do të thotë: "Si ia dalin agjentët e fshehtë të shmangin problemet kur kalojnë kontrollin doganor dhe atë të pashaportave."
Kopertina e pamfletit të CIA-s "Surviving Secondary." |
Ndonëse studimi merret në mënyrë të veçantë me shqetësimin e CIA-s se mos agjentët e saj ndalohen në pikat e kontrollit të pashaportave dhe zbulohet identiteti i tyre i rremë, informacioni që sjell [ky studim] paraqet interes për këdo që udhëton jashtë shtetit. Në të vërtetë, ai përbën një udhëzues të dobishëm që shpjegon pikërisht atë çfarë nuk duhet bërë kur mbërrin në një aeroport të huaj. Personalisht kam në plan t'i ndjek këto këshilla gjatë udhëtimeve të mia, si dhe duke qenë se këto këshilla janë të dobishme për publikun, t'u ofroj udhëtarëve të tjerë që zbatojnë ligjin, disa nga pikat më të rëndësishme të këtij udhëzuesi në mënyrë që dhe ata të mund të shmangin më mirë atë që njihet si "secondary screening" (kontrolli i dytë) - që konsiston në nxjerrjen [e udhëtarëve] nga radha e parë e zakonshme (kontrolli rutinë) për t'i marrë më me hollësi në pyetje.
Udhëtarët që merren mënjanë për t'iu nënshtruar këtij kontrolli të dytë hyjnë - gjasat janë për disa ditë - në një botë Kafkiane në të cilën rregullat e zakonshme të proçesit të rregullt ligjor pezullohen. Punonjësit e pikave të kontrollit mund të fusin hundët ku t'i dojë qejfi, e të bëjnë çfarë të duan që nga kopjimi i pajisjeve elektronike vetjake tek konfiskimi i tyre, nga shqyrtimi me imtësi i jetës personale tek kontrolli i bezdisshëm trupor. Shmangia e përvojave të tilla duhet të jetë prioritare mes dëshirave të atij që udhëton.
Këshilla e CIA-s është si vijon: para së gjithash, merrni si të mirëqenë që po ju ndjekin me vëmendje. Ju ndoshta i shihni kontrollin e pashaportës dhe atë doganor si bezdira të vogla të cilat duhet t'i vuani përpara se të vazhdoni punën tuaj; por që nga momenti që dilni nga avioni deri në momentin që largoheni nga aeroporti, gjasat janë që agjenci të fuqishme të jenë duke ju mbajtur intensivisht nën mbikqyrje - dhe jo thjesht atëherë kur jeni ballë për ballë me zyrtarin e emigracionit. Në Mauricius për shembull, agjensia lokale përdor video kamera "për të mbikqyrur pasagjerët e sapoardhur ndërsa dalin nga avioni dhe tërheqin bagazhet, duke u përqendruar në fytyrat e individëve për t'iu studiuar shprehjet e fytyrës."
Ndërsa drejtoheni nga sedilja e avionit drejt daljes nga terminali, CIA këshillon të silleni natyrshëm dhe në mënyrë konsistente.
Të sillesh natyrshëm nënkupton të mos shfaqësh shenja të pazakonta nervozizmi si "dridhje duarsh, marrje fryme me shpejtësi pa ndonjë arsye, djersë të ftohta, rrahje e vrullshme e arterieve karotide, skuqje e fytyrës dhe mungesë e kontaktit sy me sy. Në një mënyrë më pak evidente, të sjellurit natyrshëm, nënkupton gjithashtu të mos "ndërrosh radhën ose të studiosh proçedurat e sigurisë dhe as të mos të vendosësh "kontakte të fshehta me pasagjerë të tjerë" me të cilët në dukje nuk ke asnjë lloj lidhjeje.
Një shembull se si nuk duhet të dukesh kur kalon kontrollin e pashaportave dhe atë doganor. |
Të sillesh në mënyrë konsistente do të thotë të krijosh përshtypjen që je personi që thua që je. Familiarizohu me detajet e pashaportës tënde si dhe me vendet ku ke qenë. Fol gjuhën e vendit që të ka pajisur me pashaportë. Ato çfarë mund t'ju duken si detaje të papërfillshme mund të jenë të rëndësishme. Për shembull "një bagazh i bërë gati në mënyrë të shkujdesur në një kohë që supozohet se jeni dikush që udhëton shpesh për arsye biznesi" mund të ngjallë dyshime, sikurse edhe rastet e kundërta, si për shembull dikush që përdor një biletë të klasit të parë për një udhëtim turistik.
Elementë të tjerë më pak të dukshëm, por që mund të ngjallin dyshime janë: "Një numër valixhesh i papërshtatshëm për kohëzgjatjen e qendrimit." "Një shumicë artikujsh të rinj si orë me zile apo blloqe shënimesh brenda në bagazh." "Harta fringo të reja, udhëzues turistikë apo lloje të tjera librash të pahapur e pa ndonjë shënim në to." "Harta qytetesh që nuk kanë lidhje me destinacionin turistik të udhëtarit në fjalë." "Kamera apo aparate fotografike të një cilësie që nuk i korrespondon përshkrimit të udhëtarit apo kartë kujtese me kapacitet të pamjfatueshëm për atë gjatësi udhëtimi turistik."
Edhe sikur të keni bërë gjithshka në rregull, prapë nuk ka asnjë garanci që të mos ju heqin mënjanë për kontrollin e dytë. Së pari, egziston përzgjedhja e rastësishme: "shumë aeroporte të huaja duhet të përmbushin kërkesën administrative për një numër minimal përzgjedhjesh të rastësishme." Më konkretisht, "rreth 12% e pasagjerëve që shkojnë për në Shtetet e Bashkuara përzgjidhen në mënyrë të rastësishme për kontrolle shtesë në aeroportet e huaja," gjë që do të thotë se gjasat janë që gjithsecili prej nesh t'i nënshtrohet një kontrolli të dytë çdo tetë udhëtime.
Së dyti, egziston mundësia që të përmbushni karakteristikat për të qenë pjesë e një kategorie jo shumë të qartë; "aftësia për të folur gjuhën, mosha, paraqitja, apo vendi a mjedisi shoqëror të cilit i përkisni" mund të bëhen shkak për kontroll shtesë. Në El Salvador, "një prerje flokësh e stilit ushtarak, një fizik prej atleti, veshje casual dhe pak bagazh" qenë mëse të mjaftueshme për të përqendruar vëmendjen mbi një ndërlidhës të qeverisë venezueliane. Në Tel-Aviv, "meshkuj që e kane mbushur moshën për shërbim ushtarak, udhëtojnë vetëm dhe mbajnë një çantë shpine [dërgohen] për një kontroll të dytë pavarësisht nga kombësia apo ngjyra e lëkurës." Në Egjipt, "arabëve të krishterë apo hebrenjve, aktivistëve të të drejtave të njeriut si dhe punonjësve të tjerë humanitarë si dhe personave me grada të larta shkencore" u kushtohet vëmendje e posaçme dhe akoma më shumë [vëmendje u kushtohet] "arabëve amerikanë dhe sidomos egjiptianëve me pashaportë amerikane."
Të përshkosh segmentin e mundimshëm nga avioni në dalje të aeroportit është një ndër përvojat më të pakëndshme të udhëtimit jashtë shtetit. Por duke treguar kujdesin e duhur, gjasat që të bini në mëshirën e shërbimeve agresive të sigurisë si dhe të provokoni vëmendjen e padëshiruar të tyre, mund të zvogëlohen.