Mjerë ai që guxon të kundërshtojë në Suedi pikëpamjen tabu se të hapësh dyert për ardhjen masive të njerëzve indigjenë nga vende si Iraku, Siria dhe Somali nuk është asgjë tjetër përveçse një ide e bukur dhe fisnike.
Madje edhe të argumentosh kundër propozimit për të lejuar një masë të barabartë me 1% të popullsisë ekzistuese të vendit të emigrojë çdo vit nga një civilizim i huaj, të njollos menjëherë politikisht, shoqërisht deri edhe ligjërisht. (Njoh një gazetar që u kërcënua me arrestim për një kundërshtim të lehtë të kësaj çështjeje.) Të deklarosh se ekziston një kulturë suedeze që ia vlen të mbrohet pritet me reagime të çuditshme.
Qeveria suedeze i ka hapur dyert refugjatëve sirianë. |
E megjithatë, realitetet e imigrimit janë të dukshme për të gjithë: parapëlqimi për të jetuar me asistencë, diskriminimi i dhunshëm ndaj të krishterëve dhe hebrejve si dhe një diapazon i gjerë patologjish shoqërore që variojnë nga papunësia te përdhunimet për qëllime politike. Si rrjedhim, një numër në rritje suedezësh e gjejnë veten, pavarësisht prej rreziqeve të njohura, jashtë konsensusit dhe shohin me shqetësim vetëvrasjen kulturore të vendit të tyre.
Tabuja lidhur me qendrime të tilla pasqyrohet në politikë, ku përveç një partie, të gjitha forcat politike mbështesin fuqimisht vazhdimin e imigracionit. Vetëm Demokratët e Suedisë (SD) ofrojnë një alternativë: Përpjekje reale për të integruar emigrantët ekzistues dhe një ulje me 90% të imigracionit të ardhshëm. Pavarësisht nga e kaluara e shëmtuar neo-fashiste e kësaj partie (asgjë e paparë në këtë rast, me që ra fjala), SD është bërë gjithnjë e më e respektueshme dhe është shpërblyer me sukses elektoral. Ka dyfishuar votën e saj në parlament duke nisur me 3% në 2006, pastaj 6% në 2010 dhe tani 13% në 2014. Të gjithë suedezët me të cilët kam folur gjatë një vizite të fundit, thanë se parashikojnë që vota për SD-në të vazhdojë të rritet, gjë që konfirmohet edhe nga anketimet e kohëve të fundit.
Në qoftë se një parti, apo bllok partish, do të gëzonte një shumicë të gjerë në parlamentin njëdhomësh të Suedisë, SD do të ishte praktikisht e papërfillshme si parti. Mirëpo, dy blloqet politike të Riksdagut janë pothuajse me peshë të barabartë votash. Tre parti të krahut të majtë kanë 159 nga 349 vende të parlamentit. Ndërsa, "krahu i djathtë" (thonjëzat janë për të vënë në dukje se nga perspektiva amerikane vështirë se mund të kualifikohet si konservator), Aleanca për Suedinë, konsiston në 4 parti me 141 vende. Kjo do të thotë se SD, me 49 vendet e saj në parlament, vendos se nga do të anojë pushteti.
Ndërtesa e Parlamentit të Suedisë (Riksdagshuset) në Stokholm. |
Mirëpo, SD shihet si djalli vetë, kështu që asnjë parti nuk bën pazar me të për të votuar ndonjë ligj, madje nuk komunikon me të as tërthorazi nëpërmjet medias. Si e majta ashtu edhe "e djathta" përpiqen ta izolojnë dhe diskretitojnë. Pavarësisht nga kjo, SD ka luajtur rol vendimtar në disa legjislacione kyçe, sidomos lidhur me buxhetin vjetor. Duke iu përmbajtur politikës së saj për të rrëzuar nga pushteti çdo qeveri që refuzon të pakësojë emigracionin, ajo iu bashkua së fundi Aleancës për Suedinë, në kundërshtimin e buxhetit majtist, duke e detyruar qeverinë që të shpallë zgjedhje të reja për në mars 2015.
Mirëpo, pastaj, diçka e pazakontë ndodhi. Të dy partitë kryesore ranë në kompromis, jo vetëm për buxhetin aktual, por edhe për buxhetet e ardhshme dhe ndarjen e pushtetit deri në vitin 2022. Aleancat e të majtës dhe "të djathtës" pranuan t'i bëjnë lëshime njëra-tjetrës në mënyrë që zgjedhjet të mos ndodhnin në mars, duke e lejuar të majtën që të qeverisë deri në 2018, me nënkuptimin që "e djathta" do të qeverisë pastaj nga 2018 deri në 2022. Jo vetëm që një kartel i tillë politik ia heq mundësinë SD-së që të luajë një rol kyç në politikë, por ia heq mundësinë asaj (me përjashtim të rastit nëse fiton një shumicë parlamentare në zgjedhjet e 2018) që të luajë ndonjë rol legjislativ për tetë vitet e ardhshme, duke e lënë çështjen e imigracionit jashtë diskutimit.
Një version grafik i marrëveshjes së dy blloqeve të mëdha parlamentare (Lulja "anemone hepatica" me ngjyrë blu është simboli i Demokratëve të Suedisë). |
Kjo është gati e pabesueshme: për të mbyllur debatin mbi çështjen më shqetësuese të vendit, 86% e parlamentit u bënë bashkë për të kufizuar 14% që nuk bie dakord. Dy blloqet kryesore zbutën dallimet e vogla që ekzistonin mes tyre për të përjashtuar partinë kryengritëse dhe populiste. Mattias Karlsson, kryetari në detyrë i SD vë në dukje me saktësi se me këtë marrëveshje, partia e tij është në fakt, e vetmja opozitë e vërtetë në vend.
Megjithatë, në plan afatgjatë, e ardhmja është zemërdhënëse për SD-në, e cila mesiguri do të përfitojë nga ky izolim jodemokratik. Suedezët, të mësuar prej shumë kohësh me demokracinë, nuk i pëlqejnë marrëveshjet e arritura mbrapa skenës, sidomos kur ato shumëzojnë me zero rëndësinë e votës së tyre në 2018. Nuk e pëlqejnë natyrën imponuese të kësaj marrëveshjeje. Po ashtu nuk mund të mirëpresin, ndalimin e debatit për një çështje kaq të nxehtë. Dhe kur të vijë koha "për të nxjerrë horrat jashtë", sepse ajo gjithmonë vjen, Demokratët e Suedisë do të ofrojnë të vetmen alternativë ndaj një koalicioni të lodhur dhe të përçarë që do të ketë ndenjur në pushtet për tetë vite të gjata, një periudhë kohore që do të ketë shërbyer vetëm për të alarmuar edhe më shumë votuesit me problemet e imigracionit.
Me fjalë të tjera, ky akt i paturpshëm shtypjeje do të ndezë pikërisht atë debat që synonte të shuante. Nuk do të jetë larg dita kur çështja supreme e vetëvrasjes kombëtare të vihet më në fund të tavolinë për diskutim.
30 dhjetor, 2014 - Rifreskim: Simon Johnson dhe Johan Sennero nga Reuters kanë zbuluar se SD nuk do të ketë nevojë të presë gjatë për të përfituar nga "Marrëveshja e Dhjetorit":
Një marrëveshje mes partive politike kryesore të Suedisë, që synonte të neutralizonte të djathtën e skajshme dhe të shmangte zgjedhjet e parakohshme, mund të shkaktojë të kundërtën: të legjitimizojë Demokratët nacionalistë të Suedisë si opozitën kryesore të vendit dhe të zhvendosë vëmendjen mbi emigracionin:… "Demokratët e Suedisë janë në ngritje mes votuesve dhe nuk besoj se kjo marrëveshje do ta ndalë këtë", tha Magnus Hagevi, studjues i shkencave politike në Universitetin e Linnaeus. "Nëse ua paraqesin votuesve si e vetmja parti në opozitë atëhere kjo do t'i sjellë asaj më shumë mbështetje".
Anketimet kanë treguar se një në tre suedezë e sheh këtë marrëveshje si jodemokratike, ndërsa mbështetja për SD është rritur deri në 17%.