Suedia është ndoshta vendi më "europian" mes vendeve europiane, një konkluzion ky që mbështetet qoftë në faktin që [Suedia] ka qenë një komb historikisht kompakt ("një familje e madhe"), ashtu dhe në trashëgiminë e saj ushtarake dhe socialiste, në emigracionin e lirë, në korrektësinë e pashoqe politike dhe në pretendimin disi arrogant ndaj statusit të "superfuqisë morale." Në sytë e një konservatori amerikan, kjo tërësi tiparesh, e bën Suedinë njëkohësisht dhe vendin më të pazakontë mes vendeve europiane.
Në këtë kontekst, më poshtë do të ofroj një përmbledhje dhe perifrazim të një bisede që pata me dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme Suedeze gjatë një vizite që bëra kohët e fundit në Stokholm. Diskutimi sa i përzemërt aq dhe thumbues pati në qendër të tij Lindjen e Mesme, një çështje mbi të cilën nuk ramë dakort për asgjë; fare mirë një bisedë krejt të ngjashme mund ta kisha zhvilluar në Ministrinë e Jashtme sudaneze apo siriane.
Arvfurstens Palats, një pallat mbretëror i shekullit të tetëmbëdhjetë ku ka selinë që prej vitit 1906 Ministria e Punëve të Jashtme Suedeze. |
Më poshtë do të përcjell deklaratat më me interes [të zyrtarëve suedezë], në dukje të matur, e në vijim përgjigjet e mia. Fillimisht diskutuam lidhur me programin bërthamor iranian:
1. Në Iran, regjimi i inspektimit IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore sh.i.p.) është ndër më intensivët e vendosur ndonjëherë në botë; në të përfshihen kamera që survejojnë gjatë të gjithë kohës instalimet iraniane, në mënyrë të tillë që të jemi në dijeni të plotë të asaj çfare ndodh aty.
Përgjigja ime: Nga e di Ministria e Punëve të Jashtme Suedeze që kamerat në fjalë arrijnë të mbikqyrin edhe instalimin më të fundit bërthamor? Në fakt as Stokholmi dhe asnjë kryeqytet tjetër i botës nuk e ka idenë se çfarë po ndodh. Programi iranian mund të jetë shumë më i përparuar nga çfarë dihet deri tani; dhe vërtët, Teherani mund të ketë blerë armë bërthamore nga Koreja e Veriut apo Pakistani.
2. Republika Islamike e Iranit e braktisi programin e saj të ndërtimit të bombave bërthamore në vitin 2003.
Përgjigja ime: Qeveria e Iranit, sikurse ka vënë në dijeni dhe vetë presidenti i saj, Hassan Rouhani, nuk e ka ndërprerë për asnjë moment programin e saj bërthamor.
3. Nëse një fuqi e huaj do të sulmonte vendndodhjet bërthamore iraniane, kjo do të shkaktonte, në mënyrë kundër-produktive, zemërimin e Iranit i cili si pasojë do të merrte si vendim ndërtimin e bombës bërthamore.
Përgjigja ime" Nocioni që goditja e instalimeve bërthamore do të shkaktonte një kundërpërgjigje nga ana e iranianëve është ide e prapambetur. Gjithashtu, ia vlen të risjellësh ndër mend faktin që programet bërthamore të Irakut dhe Sirisë u shpartalluan [vetëm] pas sulmeve ajrore izraelite.
Centrifugat iraniane siç janë treguar nga një agjenci lajmesh qeveritare. |
Diskutuam gjithashtu konfliktin arabo-izraelit në kuadrin e vendimit të kohëve të fundit të marrë nga qeveria suedeze për të njohur shtetin e "Palestinës":
1. Kjo lëvizje është bërë, më thanë, jo për të ndëshkuar Izraelin, por për t'u dhënë zemër atyre palestinezëve që i kanë humbur shpresat për një zgjidhje dy-shtetëshe, e cila konsiston në egzistencën e shtetit të Izraelit përkrah atij të Palestinës. Si i tillë, [ky vendim] nuk është armiqësor ndaj Izraelit (ku qeveria dhe popullata mbështesin zgjidhjen dy-shtetëshe), por ndaj Hamas-it (që e kundërshton atë).
Përgjigja ime: Qeveria dhe popullata e Izraelit kanë reaguar negativisht ndaj vendimit suedez dhe pa dyshim do të bezdiseshin jo pak po të mësonin që ai është marrë për të mirën e tyre. Hamas-i e ka përshëndetur këtë lëvizje dhe u ka bërë thirrje qeverive të tjera të ndjekin gjurmët e Stokholmit me qëllim izolimin e Izraelit.
2. "Kolonitë" izraelite në Bregun Perëndimor (të cilat preferoj t'i quaj "qytete") e bëjnë të pamundur zgjidhjen dy-shtetëshe, gjë që e bën të domosdoshme nevojën për të penguar zgjerimin e mëtejshëm të tyre.
Përgjigja ime: Duke e rrotulluar ndryshe këtë çështje, personalisht i shoh ndërtimet e izraelitëve si një presion konstruktiv ushtruar mbi palestinezët, në mënyrë që këta të fundit ta marrin seriozisht zgjidhjen e konfliktit. Sa më shumë palestinezët e zvarrisin këtë gjë, aq më pak territore do të mbeten.
3. Shumë nga deklaratat dhe posterat në të cilat Fatah mbështet "makinën e xhihadit" janë të parëndësishme, sepse Fatah nuk është "qeveria" zyrtare palestineze. Si rrjedhim, Ministria e Jashtme suedeze nuk merret me këto lloj nxitjesh për vrasje.
Përgjigja ime: Fatah, OÇP-ja dhe Autoriteti Palestinez janë tre emra të ndryshëm të të njëjtit entitet. Dallimi legalistik mes tyre, bën të mundur që Mahmoud Abbas-i, kryetari i të trejave, të dalë pa u lagur nga akuzat për vrasje.
4. Kërkesa që palestinezët të njohin Izraelin si shtet hebre është një kurth për Abbas-in, diçka që ai nuk mund ta bëjë për shkak se në Izrael jetojnë shumë arabë.
Përgjigja ime: Të mos e pranosh Izraelin si shtet hebre nënkupton hedhjen poshtë të të gjithë ndërrmarrjes sioniste. Një kërkesë e tillë nuk është kurth; përkundrazi është një përgjigje ndaj ndryshimeve që ndodhën në 2006-ën nga ana e arabëve izraelitë. Për ç'arsye tjetër Ehud Olmert - kryeministri i atëhershëm i Izraelit, i cili shfaqi një pasion po aq të madh sa ai suedez tani, për të arritur një marrëveshje me Abbas-in - i dha shtysë kësaj kërkese?
Fatah-u ka shprehur hapur mbështetjen ndaj "makinës palestineze të xhihadit" në një karikaturë në të cilën paraqitet një makinë që shëmbëllen me kupolën e faltores Qubbat As-Sakhrah dhe ku janë shkruar fjalët "Të vrasësh izraelitë duke i shtypur me makinën e operacioneve të ndërmarra në Jeruzalem." |
Kjo mosmarrëveshje e plotë lidhur me faktet, interpretimet e tyre si dhe parashikimet është tregues i një hendeku të jashtëzakonshëm që sa vjen e zgjerohet mes vendeve dhe qeverive të themeluara mbi vlera të ngjashme. Në një kohë kur radhët e armiqve po zgjerohen gjithnjë e më shumë, fakti që ata që duhet të tregohen realistë dhe miqësorë preferojnë t'u besojnë fantazive, më bën pesimist lidhur me të ardhmen e Europës. Vallë,ç'katastrofë duhet të ndodhë që t'u hapen sytë suedezëve - e më së pari zyrtarëve të nderuar suedezë të politikës së jashtme.