Të japësh një përkufizim për terrorizmin është diçka që ka rrjedhoja praktike për vetë faktin që vërtetimi në mënyrë formale që një akt dhune përbën një akt terrorist shoqërohet me pasoja të rëndësishme në legjislacionin e Shteteve të Bashkuara.
Ata që dyshohen për terrorizëm, mund të mbahen në gjendje arresti pa iu ngritur padi penale, më gjatë se të dyshuarit për akte kriminale. Mund të merren në pyetje pa praninë e një avokati. U jepen dënime me burgim më afatgjata. "Të burgosurit terroristë" u nënshtrohen një numri të madh masash kufizuese shtesë të njohura me emrin Masa të Veçanta Administrative ("Special Administrative Measures" shkurt "SAMs"). "Terrorism Risk Insurance Act of 2002" (Akti i Sigurimit nga Rreziku i Terrorizmit i vitit 2002 tw cilit aktualisht i ka ardhur koha të rinovohet) u bën disa lëshime të veçanta viktimave të terrorizmit në korporata si dhe mbron pronarët e ndërtesave nga disa padi të caktuara. Kur citohet terrorizmi, familjet e viktimave, si p.sh. ato të sulmit të 2009-ës në Fort Hood, kanë disa përfitime shtesë në formën e lehtësirave fiskale, sigurimit të jetës si dhe pagesave që kanë të bëjnë me pjesëmarrje në përleshje. Atyre madje mund t'u jepet edhe një qiellgërvishtës në New York City.
"Terrorism Risk Insurance Act of 2002" e ka bërë edhe më të rëndësishme çështjen e përkufizimit se çfarë do të thotë "terrorizëm". |
Pavarësisht nga fuqia ligjore e termit në fjalë, kur kalohet përtej kuptimit të vagullt [që i është dhënë] si "një veprues jo-shtetëror që sulmon objektiva civilë për të përhapur frikë në emër të një qëllimi të hamendësuar politik," terrorizmi mbetet gjithsesi [një term] i papërkufizuar. Një studim me titull "Terrorizmi Politik", liston 109 përkufizime. Një specialist amerikan për çështje të sigurisë David Tucker, vë në dukje me ironi që "Në portat e ferrit është shkruar paralajmërimi që të gjithë ata që futen aty duhet të lënë pas çdo lloj shpresë. Më pak ekstrem, por për të njëjtin qëllim paralajmërohen ata që mundohen të përkufizojnë [termin] terrorizëm." Një specialist izraelit për çështje të anti-terrorizëmit, Boaz Ganor thotë me shaka se "Beteja për të përkufizuar [termin] terrorizëm është nganjëherë po aq e vështirë sa dhe vetë beteja kundër terrorizmit."
Kjo mangësi në specifikim shkakton kaos sidomos mes policëve, prokurorëve, politikanëve, shtypit dhe profesorëve.
Përkufizimi [i termit terrorizëm si] "Dhunë e kryer në bashkëpunim me një grup terrorist të sanksionuar ndërkombëtar" si Al-Qaeda, Hezbollah apo Hamas është ai mbi të cilin policia ka bazuar punën e saj. Kjo shpjegon dhe deklarata të tilla disi çuditshme pas një sulmi si, "Nuk kemi gjetur asnjë lidhje me terrorizmin," diçka kjo që nënkupton në mënyrë absurde se "ujqërit e vetmuar" nuk janë asnjëherë terroristë.
Atëherë, nëse [gjithnjë sipas përkufizimit] ata nuk janë terroristë, policisë i duhet të gjejë një shpjegim tjetër për aktet e tyre dhunshme. Zakonisht, policia ofron si shpjegim një problem të natyrës personale: sëmundje mendore, tensione në familje, konflikt në punë, "ankth adoleshenti emigrant", ilaç që jepet me recetë mjeku, ose madje një udhëtim i trazuar me avion. Duke u vënë theksin djajve që ka gjithsecili prej nesh dhe jo ideologjisë, ata e zhvendosin vëmendjen tek jeta private (zakonisht pa kurrëfarë lidhje me çfarë ka ndodhur) e autorit të krimit duke injoruar kështu arsyet shumë më domethënëse politike të tij.
Por në raste të tjera, në mënyrë kontradiktore, nuk bëhet ndonjë përpjekje për të gjetur lidhjet me ndonjë grup ndërkombëtar. Kur Oscar Ramiro Ortega-Hernandez qëlloi 8 herë me radhë në Shtëpinë e Bardhë në nëntor 2011, prokurori i Shteteve të Bashkuara tha se "Të qëllosh me armë zjarri në Shtëpinë e Bardhë për të dhënë një mesazh politik është padyshim terrorizëm" - [në këtë rast] nuk u pa e nevojshme [të bëhej lidhja me] ndonjë grup terrorist ndërkombëtar. Në mënyrë të ngjashme, kur në nëntor 2013, Paul Anthony Ciancia qëlloi me breshëri në aeroportin ndërkombëtar të Los Angeles, duke vrarë një punonjës të TSA-së [shënim i përkthyesit: njësi e administratës amerikane që merret me sigurinë e aeroporteve], sipas akt-padisë ai u akuzua për "planifikim dhe paramendim në mënyrë të detajuar me qëllim që të shkaktonte vdekjen e një personi si dhe të kryente një akt terrorizmi."
Kjo parregullsi terminologjike shkakton çoroditje të plotë. Gjithë bota e quan terrorizëm atentatin me bomba në Maratonën e Bostonit, përveç Departamentit të Thesarit (të Shteteve të Bashkuara) i cili një vit e gjysëm më vonë "nuk ka vendosur ende nëse është kryer "akt terrorizmi" sipas "Terrorism Risk Insurance Act of 2002." Gjykatësi që drejtoi në janar të 2014 gjyqin për terrorizëm kundër Jose Pimentel, i akuzuar se kishte në plan të vendoste bomba (të përgatitura në kushte shtëpie) në Manhattan, e hodhi poshtë kërkesën e prokurorit për marrjen e një eksperti që të justifikonte akuzën për terrorizëm. Zyrtarët qeveritarë nganjëherë thjesht ngrenë duart lart: E pyetur në qershor të vitit 2013 nëse qeveria e Shteteve të Bashkuara i konsideronte Talibanët një grup terrorist, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit u përgjigj: "Eh, nuk jam e sigurtë se ç'përkufizim u është dhënë në momentin në të cilin flasim."
Bota mbarë, me përjashtim të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e sheh atentatin me bomba gjatë Maratonës së Bostonit si akt terrorizmi. |
Akoma më i ngatërruar ishte sulmi me armë zjarri në majin e vitit 2013 në New Orleans, ku u plagosën 19 vetë. Një zëdhënëse për FBI-në e quajti sulmin në fjalë jo-terrorizëm, por "në mënyrë strikte, një akt dhune urban." Kryetari i Bashkisë nuk ra dakort; i pyetur nëse e konsideronte terrorizëm [çfarë kishte ngjarë] ai tha: "Mendoj se po," sepse familjet "kanë frikë të dalin në rrugë." I ngarkuar për të sqaruar këtë kontradiktë, një agjent special survejimi i FBI-së për New Orleans i bëri gjërat edhe më të paqarta: "Mund të thuhet që është padyshim terrorizëm urban; terror urban. Por nga pikëpamja e FBI-së dhe bazuar tek ajo me çfarë merremi në nivel kombëtar, nuk është ajo çfarë ne konsiderojmë në vetvete terrorizëm." A morët vesh gjë?
Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara nuk e ka kuptuar ende nëse talibanët janë apo nuk janë terroristë. |
Mungesa e qartësisë paraqet një sfidë të rëndësishme të politikës publike. Terrorizmi me të gjitha rrjedhojat e tij ligjore dhe financiare, nuk mund të mbetet një koncept i vagullt dhe subjektiv, por kërkon një përkufizim të qartë dhe të saktë i cili duhet zbatuar me konsekuencë.