Në shkëmbim të fondeve të marra nga taksapaguesit për financimin e studimeve të huaja rajonale, sipas Titullit VI të Aktit Normativ mbi Arsimimin e Lartë, universitetet duhet të bien dakort që të krijojnë programe që i shërbejnë publikut e që kanë në qendër të vëmendjes mësuesit e arsimit parauniversitar dhe publikun në përgjithësi.
Por, siç doli nga puna kërkimore e "Campus Watch" dhe të tjerëve, programet e lartpërmendura [të drejtuara] nga qendrat e studimeve mbi Lindjen e Mesme nuk kanë mundur të fshehin paragjykimet e pandalshme kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, Izraelit në veçanti, ndërsa kanë mbyllur sytë në mënyrë të vullnetshme përpara Islamit radikal. Po ofrojmë tre shembuj:
- Gilbert Achcar i Universitetit të Londrës, në tetor 2011, e hapi leksionin e tij në Universitetin Berkeley të Kalifornisë, me deklaratën, "Mos prisni nga unë të mbaj një qendrim pro-Izrael. Unë jam arab." Më tutje Archar vazhdoi duke thënë se "Shoah [Holokausti] mori fund në vitin 1945, kurse vuajtjet e palestinezëve nuk kanë mbarim".
- Ilan Pappé i "University of Exeter" në Mbretërinë e Bashkuar, foli në UCLA në shkurt të vitit 2012 dhe e akuzoi Izraelin duke thënë që ishte një "shtet kolonizator-kolonësh] dhe thjesht fakti që egziston përbën një "akt kriminal". Ai gjithashtu ofroi këtë apologji për terrorizmin palestinez: "Paqja nuk është i vetmi mjet për t'i dhënë fund shtypjes, në këtë rast kolonizimit, shpronësimit dhe pastrimit etnik."
- Sherman Jackson i "University of Southern California" në nëntor të vitit 2013, në Harvard tha se Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara "mund të sfidohet, modifikohet dhe madje të braktiset" për t'iu përshtatur ligjit islamik, Sherihatit.
Sherman Jackson. |
Pikërisht për të ndrequr këtë dallgë paragjykimesh, në vitin 2008, kritikët e bindën Kongresin amerikan që të kalonte disa reforma sipas të cilave kërkohej që ndihmat financiare të ofruara nga qeveria të jepeshin me kusht që programet e përfshirjes publike "të pasqyronin perspektiva të ndryshme dhe një spektër të gjerë pikëpamjesh si dhe të ngjallnin debate mbi rajonet në shkallë botërore dhe çështjet ndërkombëtare." Me fjalë të tjera, të mos ofrohen vetëm fjalimet e zakonshme, të stërzgjatura anti-amerikane por dhe diçka më të përgjithshme.
Gjithësesi, legjislacioni i vitit 2008 nuk ia doli mbanë të ofronte një mekanizëm që do të mundësontë vënien në jetë [të këtyre reformave] të cilat do t'i vinin universitetet përpara përgjegjësisë dhe si rrjedhojë rezultuan joefikase.
Për të ndrequr këtë problem, një grup i përbërë prej 10 organizatash shpalli më 17 shtator orvatjen për të ndërprerë mbështetjen nga ana e taksapaguesve të atyre programeve studimore mbi Lindjen e Mesme që mbajnë qendrim të njëanshëm anti-amerikan dhe anti Izrael.
Këto dhjetë organizata janë si vijon: Middle East Forum, Accuracy in Academia, AMCHA Initiative, American Association of Jewish Lawyers and Jurists, Endowment for Middle East Truth, Louis D. Brandeis Center for Human Rights Under Law, Scholars for Peace in the Middle East, Simon Wiesenthal Center, Union of Orthodox Jewish Congregations, Zionist Organization of America.
Kjo nismë i bën thirrje Kongresit, që gjatë proçesit të ndryshimeve, ndreqjeve të Aktit normativ mbi arsimin e lartë (që është aktualisht në proçes e sipër) të ndërmarrë dy hapa të vegjël që kanë të bëjnë me çështjen e njëanshmërisë:
Së pari t'u kërkojë universiteteve të cilat përfitojnë nga fondet e titullit VI të krijojnë proçedura për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të brendshme, në rast se programet e tyre në fakt nuk "pasqyrojnë perspektiva të ndryshme dhe një spektër të gjerë pikëpamjesh".
Së dyti, t'i jepen udhëzime U.S. Department of Education (Departamentit Amerikan të Arsimimit) të krijojë një proçes formal për paraqitjen dhe zgjidhjen e ankesave si ai që është aktualisht në veprim i cili të bëjë të mundur zbatimin e Titullit VI të Aktit të të drejtave civile të vitit 1964.
Këto dy hapa mund të ndihmojnë. Por nëse nuk arrijnë të ndreqin problemin, kongresi duhet t'ua ndërpresë fondet cilavedo qendra studimore mbi Lindjen e Mesme që përfitojnë nga titulli VI nëse ato shpërfillin ligjin, dizinformojnë publikun dhe dëmtojnë sigurinë kombëtare.