Që Shteti Islamik (ISIS) ka skllavëruar gra e fëmijë të popullsisë jezide që ka kapur gjatë luftës është tashmë një fakt i ditur: për shembull, një raport nga Kombet e Bashkuara zbulon se: "300 gra [jezide] janë detyruar të pranojnë skllavërimin". Tani, në gazetën e tij, të pashme dhe shumëgjuhëshe, ISIS ofron edhe një justifikim teologjik për këtë praktikë.
Refugjatë jezidë pranë Sinxharit duke marrë arratinë nga frika e përparimit të forcave të ISIS në gusht 2014. |
Shumica e "Ringjallja e Skllavërisë Përpara Orës", një artikull katërfaqësh i sapobotuar në edicionin e gjuhës angleze të "Dabiq", merret me temën e dhënë nga titulli: si do të funksionojë skllavëria ndërkohë që afrohet Dita e Gjykimit. Më tej arsyetohet skllavërimi i jezidëve, që besojnë një fe të lashtë dhe që nuk janë më shumë se një milionë vetë në numër, shumica e të cilëve banorë të Sinxharit në Irak. Feja e tyre paraislamike ka megjithatë ndikime nga sufistët. Autori anonim argumenton se ata nuk janë monoteistë, por ndjekin një besim "devijant nga e vërteta". Prandaj, nuk meritojnë status mbrojtës (dhimmi).
Malak Ta'us, palloi ëngjëll i jezidëve dhe udhëheqës i kryeëngjëjve. |
Ai shpjegon pastaj pasojat e këtij verdikti, duke siguruar së pari (brenda kllapave katrore janë përkthimet e mia), që
Shteti Islamik është përballur me këtë grup si shumica e fuqahā' [jurisprudentë] dhe ka treguar sesi duhen trajtuar mushrikīn [politeistët].
Me fjalë të tjera, ISIS ndjek pikërisht atë për të cilën ka rënë dakord tradita legale paramoderne islamike.
Ndryshe nga hebrenjtë dhe të krishterët, nuk kishte arsye që të paguanin xhizian.
Xhizia është një taksë e paguar nga jomyslimanët ndaj pushtetarëve të tyre myslimanë në shkëmbim për "mbrojtje" dhe është një privilegj që u rezervohet monoteistëve (atyre që besojnë në një zot të vetëm – shënim i përkthyesit); jezidët, të cilët nuk janë monoteistë nuk e gëzojnë këtë privilegj.
Gjithashtu gratë e tyre mund të skllavërohen ndryshe nga gratë e apostatëve që përbëjnë shumicën e fuqahā' dhe që nuk mund të skllavërohen, por duhet t'u jepet ultimatum për t'u penduar ose përndryshe do të ndëshkohen me shpatë.
Sipas ekspertëve legalë islamikë, jezidët, duke mos qenë apostatë, mund të skllavërohen.
Pas kapjes, gratë dhe fëmijët jezidë u ndanë sipas Sherihatit, mes luftëtarëve të Shtetit Islamik, të cilët morën pjesë në operacionet e Sinxharit, pasi një e pesta e skllevërve ishin ndarë në fillim dhe dërguar për qendrën e Shtetit Islamik që të ndahej si khums [një e pesta e plaçkës së luftës i shkon shtetit].
Pra Shteti Islamik ka aplikuar doktrinën klasike islamike përsa i përket plaçkës së luftës.
Ky skllavërim në shkallë të gjerë i familjeve mushkrike [politeiste] është ndoshta i pari që prej braktisjes së ligjit të Sherihatit. I vetmi rast i njohur, ndonëse shumë më i vogël, është ai i skllavërimit të grave dhe fëmijëve të krishterë në Filipine dhe në Nigeri nga muxhahedinët e atjeshëm.
Paragrafi i mësipërm i referohet Grupit Abu Sayyaf në Filipine dhe Boko Haramit në Nigeri.
Familjet e skllavëruara jezide tani po shiten nga ushtarët e Shtetit Islamik ashtu si dikur mushrikīn-ët u shitën nga Bashkëluftëtarët [e Profetit] (radiyallāhu 'anhum) [Zoti qoftë i kënaqur me ta]. Shumë vendime të njohura mirë po respektohen, përfshi edhe atë të ndalimit të ndarjes së nënës nga fëmijët e vegjël.
ISIS përsëri nënvizon se po sillet sipas rregullave. Vini re foljen "shiten".
Shumë prej grave dhe fëmijëve mushrikë kanë pranuar në mënyrë të vullnetshme Islamin dhe tani mezi presin që ta praktikojnë me sinqeritet të dukshëm pasi kanë dalë prej errësirës së shirkut [politeizmit].
Autori e mbyll më pas me tre hadithe (histori të thënieve dhe veprave të Muhametit) që konfirmojnë nevojën për skllavëri për të arritur konvertimet në Islam dhe për të fituar një vend në parajsë. Në këtë mënyrë nga skllavërimi përfitojnë si komuniteti mysliman (duke u zgjeruar), ashtu edhe skllavi individual (që ka siguruar kështu parajsën). Çfarë marrëveshje e mirë për cilindo!
Tempull jezid në Lalesh, Irak. |
Ka një numër përfundimesh për të nxjerrë këtu:
Anglishtja e arabizuar rëndë e artikullit është tipike e diskursit të ISIS-it, si në të folur ashtu edhe në të shkruar. Anglishtja ofron strukturën, por fjalët kyçe janë në arabishten klasike, me dialekt që vetëm paksa bie në sy (si për shembull, mushrikīn). Transliterimet nga arabishtja janë pedantike e akademike, të plotësuara me 'ayns (') dhe makronet (ā, ī).
Ashtu si në çdo aspekt tjetër të jetës, ISIS aplikon pa e fshehur dhe brutalisht të drejtën paramoderne islamike, duke mos u bërë asnjë lëshim zakoneve që ka sjellë të koha. Ai kërkon të krijojë një kalifat universal sikur të ishim edhe njëherë në shekullin e shtatë. Prerjet e kokave dhe skllavërimi janë vendimet kuranore më shokuese për ndjeshmërinë moderne, dhe ky grup ngazëllen pikërisht kur i kryen këto dhe ua imponon atyre të cilët i konsideron si të pafe.
Impulset e egra, reaksionare të ISIS-it tërheqin vetëm një numër jashtëzakonisht të vogël të atyre që i shohin, ndërkohë që zelli i tij mesianik e ka përhapur shumë shpejt që nga kufiri me Turqinë në rrethinat e Baghdadit. Mirëpo, veprimet e tij kanë neveritur shumicën dërrmuese, myslimanë dhe jomyslimanë duke çuar kështu drejt rrëzimit të tyre të pashmangshëm si dhe duke i sjellë dëme të pariparueshme Islamit.