Në një exposé shokuese, prej 4,000 fjalësh me titull "Fuqitë e Huaja blejnë influencë në Institucionet Studimore", të botuar në gazetën "The New York Times" më 7 shtator, Eric Lipton, Brooke Williams dhe Nicholas Confessore marrin në shqyrtim një çështje të re që ka të bëjë me financimin e Institucioneve Studimore amerikane nga qeveri të huaja.
Treshja e autorëve vuri në dukje se ndërsa shkalla e shtrirjes së përgjithshme "ishte e vështirë të përcaktohej … që prej vitit 2011, të paktën 64 qeveri të huaja, entitete të kontrolluara nga shteti apo zyrtarë qeveritarë kanë dhënë kontributin e tyre në një grup të përbërë nga 28 organizatat më të mëdha kërkimore me bazë në Shtetet e Bashkuara." Duke shfrytëzuar informacionin jo shumë të hollësishëm në dispozicion, kanë arritur të llogarisin "një minimum kontributesh apo detyrimesh të tjera nga interesat e qeverive të përtej oqeanit prej 92 milionë dollarësh në katër vitet e fundit. Totali është natyrisht më i lartë."
Në këmbim për këtë bujari, institucionet kërkimore në fjalë u ofruan dhuruesve të tyre dy përfitime të mëdha: Së pari, ushtruan trysni mbi anëtarët e stafit në dy drejtime "që të ndaloheshin kritikat ndaj qeverive donatore" dhe "të arriheshin konkluzione dashamirëse ndaj qeverive [që kishin siguruar] financime." Dhe së dyti, kanë "shtyrë zyrtarë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të bëjnë të tyret politika që shpesh reflektojnë përparësitë e donatorëve." Si përfundim: Paratë e ardhura nga jashtë kanë hedhur dyshim mbi ligjitimitettin dhe objektivitetin e punës kërkimore të këtyre institucioneve "duke e shndërruar njëkohësisht dhe gjithnjë e më shumë, botën njëherë e një kohë të matur të institucioneve kërkimore, në një muskul të fortë të lobizmit të qeverive të huaja në Uashington."
Reagimi im, një javë pas daljes së këtij raporti eksploziv:
Disa nga këto fonde janë dhënë në mënyrë klandestine, në formë parash të marra nën tryezë nga institucionet kërkimore, në një kohë kur përfitonin nga imazhi moral i atij që nuk ka ndonjë interes në mes. Në një nga rastet më të dukshme, qeveria e Katarrit, siç raportoi "The New York Times", "futi qindra milionë në Gazën e drejtuar nga Hamasi dhe u dha zemër sulmeve ndaj Izraelit me raketa dhe [gërmime] tunelesh," firmosi gjithashtu në vitin 2013, një marrëveshje 4-vjeçare prej 14.8 milionë dollarësh për të financuar Brookings Institution ku Martin Indyk është zëvendës president dhe drejtor i Programit të Politikës së Jashtme. Indyk ka punuar për Sekretarin e Shtetit John Kerry nga korriku 2013 deri në qershor 2014 si i dërguar i posaçëm në bisedimet mes izraelitëve dhe palestinezëve. Duke u gjendur në pozitën e dikujt që është në listën e pagave të armikut për vdekje të Izraelit, si do të mund të pritej që Indyk të vepronte në mënyrë të paanshme?
Martin Indyk (djathtas) me ish-bosin e tij, Sekretarin e Shtetit John Kerry. |
Presidenti i Institutit Brookings, Strobe Talbott, jo vetëm që nuk kërkoi ndjesë apo nuk tregoi qoftë dhe një grimcë sikletosjeje për faktin që qeveri të huaja i kanë dhënë 12 përqind të fondeve, por pati guximin të përgjigjej që "institucionet kërkimore duhet të marrin para nga qeveritë e huaja." Duke përdorur fjalë të kohës si "governancë" apo shprehje të tilla si "kultura filantropike po ndryshon," argumentoi me njëfarë vetëkënaqësie që "është tërësisht e pranueshme që të punojmë me [këto qeveri] kur e kemi aftësinë për të kontribuar me analiza dhe sygjerime lidhur me çështje me të cilat ato po merren në sferën politike."
The Brookings Institute, i themeluar në vitin 1916, është institucioni kërkimor më i vjetër në Amerikë dhe njëkohësisht në krye të atyre që marrin fonde nga taksapaguesit e huaj. |
Artikulli i Times-it nxjerr në dukje - në mënyrë të habitshme - korrupsionin e institucioneve liberale si "Brookings Institute", "Center for American Progress", si dhe "National Democratic Institute". Sa e ndershme, e nderuar dhe e papritur nga një gazetë që është bërë tabelë emulacioni për banalitete liberale të papeshuara mirë. Nga ana tjetër, ky raport nuk arriti të gjente asnjë qindarkë të marrë nga institucionet konservatore si "American Enterprise Institute", "Heritage Foundation", dhe "Hudson Institute". (Nëse New York Times vazhdon të ofrojë gazetari të këtij kalibri, mund të vendos të paguaj që të marr App-in e saj për iPhone).
Mitchell Bard tregon rreth lobit të vërtet të Lindjes së Mesme që vepron në Uashington. |
Në mënyrë të ngjashme, lidhur me Lindjen e Mesme, aty ku në artikull përmenden [emrat e] vendeve të ndryshme (Bahreini, Kuvajti, Katarri, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe) qeveritë e të cilave janë futur në lojën e blerjes së opinioneve dhe të influencës, Izraeli nuk është. Diçka e tillë provon në mënyrë emfatike tezën e paraqitur nga Mitchell Bard në nëntitullin e librit të tij të vitit 2010, Lobi Arab: "Aleanca e Padukshme që Minon Interesat Amerikane në Lindjen e Mesme (shtëpia botuese: Harper). Siç vë në dukje Steven J. Rosen, dikur anëtar i American Israel Public Affairs Committee (Komitetin e Çështjeve Publike amerikano-izraelite), po qe se "matjen e bëjmë duke u bazuar në shkallën e përpjekjeve, dhe jo të rezultateve, përpjekjet e lobit Arab janë të barabarta, në mos superiore, me të gjitha ato që kanë bërë miqtë e Izraelit."
Së fundi, exposé-ja e New York Times-it ka bërë që të gjitha institucionet kërkimore të hidhen në mbrojtje. Nëse organizata elitare si Brookings janë korruptuar, mbi të gjithë ne bien hijet e dyshimit. Parë në këtë dritë, organizata të cilën drejtoj (sllogani i të cilës është: "Duke promovuar interesat amerikane") menjëherë lëshoi një deklaratë për shtyp, "Forumi për Lindjen e Mesme nuk merr fonde nga Qeveritë e Huaja," e cila prerazi pohoi që "asnjëherë nuk kemi kërkuar dhe as nuk kemi marrë fonde as nga ndonjë qeveri e huaj dhe as nga ndonjë përfaqësues i ndonjë qeverie të huaj. Dhe asnjëherë nuk do të marrim."
Në vija më të përgjithshme, siç argumenton John B. Judis, "financimi nga jashtë i institucioneve studimore po korrupton demokracinë tonë." Prandaj, ka ardhur koha që të gjitha organizatat kërkimore që e paraqesin veten si ofruese analizash objektive, të betohen në mënyrë të ngjashme, ose ndryshe të tregojnë qartazi se kush i pagoi apo bleu konkluzionet e tyre.