Pa kurrëfarë paralajmërimi, kalifati, një institucion i lashtë dhe prej kohësh i patakat, u ringjall më 29 qershor, 2014. Çfarë paralajmëron një ngjarje e tillë?
Koncepti klasik i kalifatit - një pasardhës i vetëm i Muhametit që mban nën sundim një shtet musliman të njësuar - zgjati vetëm më shumë se një shekull dhe u shua me daljen në skenë të dy kalifeve në vitin 750 të e.s. Pushteti i kalifatit ra rreth vitit 940 e.s. Pas një egzistence të zgjatur dhe jo shumë të qartë, institucioni në fjalë u rrëzua tërësisht në vitin 1924. Përpjekjet e vetme që pasuan për ta ringjallur ishin të papërfillshme, si p.sh. i ashtuquajtuari "Kalifatsstaat" në Këln, Gjermani. Me fjalë të tjera, kalifati nuk ka vepruar për gati një mijëvjeçar dhe nuk ka qenë i pranishëm për afro një shekull.
"Rasti Kaplan", artikull kryesor i faqes së parë të një revistë gjermane mbi "Kalifin e Këlnit". |
Grupi i quajtur "Shteti Islamik" në qershor, në Irak dhe Siri shtiu në dorë qytetin e Mosulit, me një popullatë prej 1.7 milionë banorësh; ditë më vonë, ai mori emrin "Shteti Islamik" dhe shpalli rikthimin e Kalifatit. Kryeqyteti i tij është qyteti historik i Raqqa-s, Siri (me një popullatë prej 220,000 banorë) i cili jo rastësisht shërbeu si kryeqyteti i kalifatit nën sundimin e Harun-al-Rashid-it për 13 vjet. Nën komandën e një irakeni të quajtuar Ibrahim Awwad Ibrahim, kalifati i ri ka ambicjen pakufi për të vënë nën sundim tërë botën ("lindje" dhe "perëndim") si dhe për t'i imponuar të gjithëve një formë të pashoqe, sa të dhunshme, po aq primitive dhe fanatike të ligjit Islamik.
Harun al-Rashid siç imagjinohej në një pullë postare hungareze të vitit 1965. |
Sipas parashikimeve të mija, "Shteti Islamik", pavarësisht nga ngritja spektakolare, nuk do të arrijë të mbijetojë: "i vënë përballë armiqësisë së fqinjëve dhe popullatës që ka nën sundim, nuk do ta ketë të gjatë."
Gjithsesi, sipas parashikimit tim ky shtet do ta lërë një trashëgimi. Pavarësisht se ç'fund të tmerrshëm do të ketë Kalifi Ibrahim dhe bashkëpunëtorët e tij të zymtë, ata ia kanë dalë mbanë të ringjallin me sukses një institucion qendror të islamit, duke e bërë sërish kalifatin një realitet plot jetë e gjallëri. Islamistët kudo në botë do ta ruajnë si thesar atë moment lavdie brutale dhe do të gjejnë frymëzim në të.
Duke parë drejt së ardhmes, ja cilat janë disa nga parashikimet e mija më specifike lidhur me trashëgiminë aktuale të kalifatit.
1. Tani që akulli u thye, islamistë të tjerë ambiciozë do të veprojnë më me guxim duke e shpallur veten kalifë. Mund të ketë një shtim të tyre në rajone të ndryshme, nga Nigeria në Somali, Afganistan, Indonezi dhe më tutje.
2. Shpallja e kalifatit nuk vjen pa rrjedhoja të rëndësishme: nga një anë e bën atë tërheqës për xhihadistët anekënd umma-s (komuniteti musliman mbarëbotëror) nga ana tjetër e nxit të marrë në dorë kontrollin absolut të territorit.
3. Që nga zhdukja zyrtare e kalifatit otoman të vitit 1924, shteti saudit ka luajtur një rol gati-kalifal. Me lindjen e kalifatit Raqqa, mbreti saudit dhe këshilltarët e tij do të tundohen keqaz që të shpallin dhe ata versionin e tyre. Nëse "Rojtari i dy Xhamive të Shenjta", të ditëve tona, (siç i pëlqen mbretit saudit ta quajnë), i cili sapo mbushi 90 vjeç, nuk i jepet këtij lloj pretendimi, kjo nuk do të thotë aspak që pasardhësit e tij të veprojnë në mënyrë të ngjashme, duke u bërë kështu kalifati i parë në gjirin e një shteti të njohur.
Papa Benedikt XVI (në të djathtë) u takua në vitin 2007 me mbretin saudit (dhe kalifin e ardhshëm?) Abdullah. |
4. Gjasat janë që Republika islamike e Iranit , fuqia e madhe Shiite, të bëjë të njëjtën gjë duke mos dashur të mundet nga pikëpamja konceptuale nga sunitët në Riad, duke u bërë kështu shteti i dytë kalifal zyrtar.
5. Kjo mori kalifesh do të përkeqësonte më tej anarkinë dhe armiqësinë shkatërrimtare mes popujve muslimanë.
6. Zhgënjimi nuk do të vonojë. Kalifatet nuk do të sjellin as siguri personale, as drejtësi, as rritje ekonomike dhe as ndonjë arritje kulturore. Njëra pas tjetrës, këto shtete të vetëshpallura do të rrëzohen, do të pushtohen ose do të heqin dorë nga pretendimet e tyre ambicioze.
7. Kësaj çmendurie kalifat-shpallëse do t'i vijë fundi disa dhjetëvjeçarë më vonë, me një rikthim të gjërave, në vija të trasha, në gjendjen që ishin përpara 29 qershorit, 2014. Kur të kthejmë kokën pas, ky shpërthim kalifal, do të na duket si një anomali anakroniste, një pengesë ndaj modernizimit të umma-s, nje ëndërr e keqe.
Me një fjalë, shpallja e kalifatit më 29 qershor ishte një ngjarje e madhe; dhe kalifati është një institucion koha e të cilit ka kaluar dhe si rrjedhim ringjallja e tij të lë të parashikosh trauma të panumërta.