Ndërsa Recep Tayyip Erdoğan ulet sot në kolltukun e Presidentit të Turqisë, zëvendësuesi i zgjedhur personalisht prej tij, Ahmet Davutoğlu, do të bëhet kryeministër, posti i vjetër i Erdoğan-it. Çfarë paralajmërojnë për Turqinë dhe politikën e saj të jashtme këto ndryshime? E thënë me dy fjalë: asgjë të mirë.
Recep Tayyip Erdoğan (majtas) me Ahmet Davutoğlu (djathtas) |
Në qershor 2005, kur Davutoğlu shërbente si këshilltari kryesor i Erdoğan-it për politikën e jashtme, pata rastin të flas për gati një orë me të në Ankara. Dy tema nga ajo bisedë më mbeten shumë të gjalla.
Davutoğlu më pyeti rreth lëvizjes neo-konservatore në Shtetet e Bashkuara, në atë kohë në kulmin e famës dhe të influencës, që presupozohej që vinte bashkë me të. E nisa bisedën duke shprehur dyshime lidhur me anëtarësinë time në këtë grup elitar, siç dukej se kishte marrë me mend Davutoğlu, dhe vijova të vë në dukje që asnjë prej vendim-marrësve me peshë të administratës së George W. Bush-it (presidenti, zëvendës/presidenti, sekretarët e shtetit dhe të mbrojtjes apo këshilltarët për cështjet e sigurisë kombëtare) nuk ishin neo-konservatorë, një fakt ky që më bënte skeptik lidhur me fuqinë për të cilën i kishte dalë nami [lëvizjes neo-konservatore]. Davutoğlu u përgjigj në një formë të tillë që kishte nuanca antisemitizmi, duke ngulur këmbë që neo-konservatorët ishin shumë më të fuqishëm nga ç'kisha dëshirë të pranoja unë, sepse punonin së bashku brenda një rrjeti sekret të ngritur mbi lidhje fetare. (Ai pati mirësinë të mos përmendte se për cilin grup fetar bëhej fjalë.)
Nga ana ime e pyeta lidhur me synimet e politikës së jashtme turke në Lindjen e Mesme, në erën e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) e cila shënon fillimin e saj në vitin 2002, duke vënë në dukje ambicjet e reja të Ankarasë në një rajon të cilin e kishte shpërfillur për një kohës të gjatë. Ai [Davutoğlu] e pranoi këtë ndryshim dhe më pas më bëri një përmbledhje të qartë dhe të shpejtë të gjërave nga Afganistani në Marok, duke vënë në dukje lidhjet e veçanta të Turqisë me shumë vende. Këtu përfshiheshin prania e turkofonëve (p.sh. në Irak), trashëgimia e lënë nga sundimi otoman (Liban), simbioza ekonomike (Siri), lidhjet islamike (Arabi Saudite) dhe ndërmjetësimi diplomatik (Iran).
Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte optimizmi mburracak si dhe vetësiguria e plotë e Davutoğlu-së, ish profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një ideolog islamist. Ai jo vetëm la të kuptonte që Turqia mezi e kishte pritur një si ai si dhe vizionin e tij të madh, por dhe nuk e fshehu aspak ngazëllimin që ishte gjendur në një pozitë të tillë që i lejonte të vinte në jetë teoritë e tij akademike në kanavacën e politikës ndërkombëtare. (Një privilegj si ky ndodh çuditërisht rrallë.) Me një fjalë, ajo bisedë nuk më ngjalli as besim e as admirim.
Nëse Davutoğlu në vitet që pasuan ka arritur të ketë sukses në planin vetjak, kjo ka ndodhur falë pozitës së tij si këshilltar i një patroni të vetëm, Erdoğanit. Rezumeja e aktivitetit të tij, nga ana tjetër, flet për politikë jo koherente dhe dështime të vazhdueshme, dështime kaq të mëdha sa shumë pak i ndan nga fiaskoja. Nën udhëheqjen e Davutoğlusë, lidhjet e Ankarasë me vendet perëndimore janë dëmtuar në mënyrë universale, ndërsa ato me Iranin, Irakun, Sirinë, Izraelin, Egjiptin dhe Libinë, mes shumë shtetesh të tjera të Lindjes së Mesme, kanë shënuar rënie të ndjeshme. Për t'i vënë kapak, sundimi turk është vënë në rrezik madje dhe provincën e Qipros Veriore.
"Parimi i Dilbertit" |
Në mënyrë simbolike, Turqia po rrëshqet nga aleanca e vendeve demokratike të NATO-s drejt një grupimi ruso-kinez të njohur ndryshe si Organizata për Bashkëpunim e Shangait. Siç e ka vënë në dukje me keqardhje dhe udhëheqësi i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu "Turqia po mbetet vetëm në botë."
Pasi ka dështuar si ministër i jashtëm, Davutoğlu tani - në zbatim të parimit të Dilbertit - është ngritur në një pozitë drejtuese sa marramendëse aq dhe të nënshtruar si nga AKP-ja ashtu dhe nga qeveria. Ai tashmë përballet me dy sfida të mëdha:
Si udhëheqës i AKP-së ai ka si detyrë të sigurojë një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2015, që të mund të bëjë modifikime në kushtetutë dhe ta kthejë pozitën gjysëm-formale të presidentit në një sulltanat të zgjedhur, diçka për të cilën Erdoğanit i shkon goja lëng. A do arrijë t'i marrë votat Davutoğlu? Unë jam skeptik për këtë gjë. Erdoğani do e qajë ditën kur hoqi dorë nga posti i kryeministrit për t'u bërë president, në një kohë kur ndjehet i injoruar dhe i mërzitur nga jeta në "kampusin" e tij madhështor presidencial.
Si kryeministër i 26-të i Turqisë, Davutoğlu gjendet përballë një flluske sapuni ekonomike që rrezikon të pëlcasë keq, një krize të shtetit ligjor, një vendi të përndezur nga politika "përça e sundo" e Erdoğanit, një lëvizjeje armiqësore nga ana e Gulenit dhe një AKP-je të përçarë, [probleme këto] të cilat konvergojnë të tëra brenda përbrenda një vendi gjithnjë e më shumë islamist (dhe si rrjedhim jo civil). Për më tepër, problemet e politikës së jashtme që ka krijuar vetë Davutoğlu vazhdojnë ende, sidomos kriza e pengjeve të ISIS-it në Mosul.
Konsullata turke në Mosul përpara se të binte në duart e ISIS-it. |
Davutoğluja i pafat të sjell ndër mend një ekip pastrimi që arrin në festë në orën 4:00 të mëngjezit, duke u gjendur kështu përballë një rrëmuje të shkaktuar nga të ftuarit që tashmë janë larguar. Fatmirësisht, Erdoğani, sa kontroversial aq dhe autokratik, nuk zë më një pozitë kyçe në qeverinë turke; por megjithatë vendimi për ta lënë vendin në duart që dridhen të një lojalisti që e ka treguar veten si të paaftë, të bën të shqetësohesh rishtazi për Turqinë, fqinjët e saj dhe për të gjithë ata që i duan të mirën këtij vendi.