Çfarë roli luan feja në qendrimin që mbajnë amerikanët ndaj Izraelit? Një analizë e kryeredaktorit të Gallup Inc., Frank Newport, shqyrton 14 sondazhe të bëra nga Gallup-i nga viti 2001 deri në vitin 2014 në të cilat pjesëmarrësit i japin përgjigje të njëjtës pyetje, "Lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, kë simpatizoni më shumë izraelitët apo palestinezët?" Numrat ofrojnë përfundime të ndryshme nga ato që mund të priten.
Studimi nis me dy fakte themelore: Së pari, duke shqyrtuar kampionin e plotë të përgjigjeve të marra nga 14,000 të rritur amerikanë, 59% janë përgjigjur se kanë më shumë simpati për izraelitët dhe 16% kanë pohuar se kanë më shumë simpati për palestinezët, një raport ky thuajse 4:1. Së dyti, Newport ka nxjerrë se "Gjasat janë që amerikanët fetarë të jenë në mënyrë të konsiderueshme më simpatizantë të izraelitëve sesa amerikanët më pak fetarë," që është një konfirmim i asaj çfarë na e merr mendja. Por përveç kësaj, numrat që ai paraqet përmbajnë dhe disa detaje të holla të cilat ia vlen t'i përmendësh.
- Një marrëdhënie gati lineare që egziston mes shkallës së frekuentimit të kishës dhe pikëpamjeve të njerëzve: 66 përqind e frekuentuesve të rregullt të kishës (ata që shkojnë përjavë ose gati përjavë) janë në favor të Izraelit, sikurse janë dhe 58 përqind e frekuentuesve mujorë dhe jo-të shpeshtë të kishës dhe 46 përqind e atyre që nuk shkojnë kurrë në kishë. Në mënyrë të anasjelltë, simpatia ndaj palestinezëve është po ashtu thuajse-lineare: respektivisht 13 përqind, 16 përqind dhe 23 përqind.
- Në të dyja rastet, vajtja në kishë, pavarësisht nga shkalla e rregullsisë, i bën të krishterët më të ngjashëm me njëri-tjetrin kundrejt atyre që nuk shkojnë asnjëherë, një dallim ky që kohët e fundit ka ardhur duke u rritur gjithnjë e më shumë.
- Po të hedhim një sy mes grupimeve fetare, hebrenjtë, mormonët dhe të krishterët jo-katolikë janë më pro-Izrael; ndjenjat katolike përputhen me ato të mesatares së vendit; grupimet e tjera fetare dhe jo-fetarët janë më pak pro-Izrael.
- Pikëpamjet politike dhe ato fetare luajnë rol në pikëpamjet e amerikanëve - por si variabla të pavarur.
- Pikëpamjet politike kanë më shumë peshë se ato fetare: "Republikanët jofetarë janë më të prirur të ushqejnë simpati për izraelitët sesa demokratët shumë fetarë."
- Frekuentimi i kishës luan më shumë rol në pikëpamjet e republikanëve se në ato të demokratëve.
- Mbështetja për Izraelin bashkon dy grupime shumë të ndryshme nga pikëpamja politike, Republikanët e krishterë që frekuentojnë kishën dhe demokratët hebrenj.
Disa refleksione mbi këto shifra:
1. Ndonëse besimi fetar ndihmon të shpjegosh dallimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës, politika ka më shumë rëndësi: [fakti] që madje dhe amerikanët jofetarë mbështesin Izraelin në raport 2 me 1 tregon se sa shumë ndryshojnë ata nga homologët e tyre europianë.
2. Duke patur parasysh dominimin e hebrenjve anti-sionistë në sferën akademike, në media dhe Hollywood, mbështetja 93 me 2 nga ana e hebrenjve për Izraelin duket si e papritur, duke të lënë të mendosh që shumica e hebrenjve të suksesshëm dhe të ngritur kanë prirjen të jenë në mënyrë të shpërpjestuar armiqësorë ndaj Izraelit. Të jetë kjo vallë mënyra që kanë gjetur për t'u integruar në institucionet e majta ku punojnë dhe ku shpresojnë të kenë sukses?
3. Do të donim që kategoria "protestane" të ofronte detaje të mëtejshme nga degëzimet e tjera të saj. Sa dallojnë kishat kryesore nga ato evangjelike? Frekuentuesit e kishave anti-Izrael a e ndjekin udhëheqjen e tyre në këtë aspekt? A ka ndryshime të rëndësishme me kalimin e kohës? Gallup-i duhet të na informojë lidhur me këtë në të ardhmen.
Lakewood Church në Houston, Texas mbledh çdo javë në gjirin e saj gati 44,000 besimtarë, numri më i madh në Shtetet e Bashkuara. |
4. Muslimanët janë përfshirë me të gjithë jo-të krishterët e tjerë, por kanë një profil të veçantë. Në Kanada, ku popullsia muslimane dallon në mënyrë thelbësore nga ajo amerikane, muslimanët pro-Izrael përbëjnë rreth 20 përqind. Sipas llogarive të mija, numri i muslimanëve amerikanë pro-izraelitë mund të jetë sa gjysma e kësaj përqindjeje në mos më pak. Vini re gjithashtu: Të qenit fetar ka efekt të kundërt tek muslimanët nga efekti që ka tek të krishterët, duke i bërë ata më pak pro-Izrael.
Si përfundim, Izraeli përfiton nga fakti që amerikanët shumica fetarë. Por largimi nga feja nuk do të ishte ogur aspak i mirë për Izraelin.