Pas një mungese 90 vjeçare, institucioni i lashtë i kalifatit u ringjall zhurmshëm në ditën e parë të Ramazanit të vitit 1435, ditë e cila i korrespondon 29 qershorit, 2014. Kjo ringjallje e habitshme shënon në mënyrë simbolike kulmin e dallgës islamiste që nisi dyzet vjet më parë. Një analogji me Perëndimin mund të jetë shpallja e rikthimit të perandorisë së Hapsburgëve, e cila e gjurmoi legjitimitetin të saj në Romën e Lashtë.
Nga doli kjo lëvizje e guximshme? A do e ketë vallë të gjatë kalifati? Ç'ndikim do të sjellë?
Si fillim, po hedhim një vështrim të shpejtë mbi kalifatin (nga fjala "khalifa" në arabisht, që do të thotë "vazhdimësi"): sipas historisë kanonike muslimane, ai e ka zanafillën në vitin 632 të e.s., me vdekjen e profetit islamik Muhamet, për t'u zhvilluar më pas spontanisht duke mbushur kështu nevojën në lindje të komunitetit musliman për një udhëheqës të përkohshëm. Kalifi u bë trashëgimtari jo-profetik i Muhametit. Pas katër kalifëve të parë pozita në fjalë u bë e trashëgueshme.
Që në fillim, pasuesit nuk ranë dakort nëse kalifi duhet të ishte muslimani më i zoti dhe më i kulluar apo i afërmi më i afërt i Muhametit; Përçarja që pasoi do t'u jepte formë dy degëzimeve të Islamit, përkatësisht atij Sunit dhe Shiit, duke sjellë si pasojë ndarjen që egziston dhe në ditët tona.
Deri në vitin 750 të gjithë tokat muslimane ishin nën sundimin e një kalifati të vetëm; por më pas dy proçese që u kombinuan bashkë ia zbehën fuqinë. Së pari, provincat e largëta nisën të shkëputeshin dhe madje disa, si Spanja, krijuan kalifate rivale. Së dyti, institucioni vetë u kalbëzua dhe ra në duart e ushtarëve skllevër dhe pushtuesve fisnorë, kështu që aradha origjinale e kalifëve arriti të sundojë në mënyrë efikase afërsisht deri në vitin 940. Dinastitë e tjera e përvetësuan titullin si privilegj të pushtetit politik.
Ky institucion vazhdoi të egzistonte në formë të mpakur për një mijëvjeçar derisa, nëpërmjet një veprimi spektakolar, themeluesi i Turqisë moderne, Kemal Atatürk, hodhi poshtë dhe i dha fund edhe asaj çfarë kishte mbetur ende gjallë [nga ky institucion]. Pavarësisht nga përpjekjet që pasuan për ta rikthyer atë, institucioni në fjalë nuk u ringjall dhe mbeti një simbol i çorganizimit brenda vendeve me shumicë muslimane si dhe një objektiv shumë i lakmuar nga muslimanët.
Punët mbetën në këtë gjendje për 90 vjet, derisa grupi i njohur si Shteti Islamik në Irak dhe Siri - "The Islamic State in Iraq and Syria" (ISIS) lëshoi një deklaratë në 5 gjuhë (Versioni në shqip: Ky është premtimi i Allahut) duke shpallur themelimin e një kalifati të ri nën "Kalifin" Ibrahim. Kalif Ibrahimi (i njohur ndryshe si Dr. Ibrahim Awwad Ibrahim), rreth të dyzetave, nga Samarra, Irak ka luftuar në Afganistan e më pas në Irak. Tani ka shpallur se është udhëheqësi i "muslimanëve kudo që janë" dhe u ka kërkuar atyre të bëjnë betimin për besnikëri. Ai ka deklaruar që të gjitha qeveritë muslimane e kanë humbur legjitimitetin. Jo vetëm kaq, por muslimanët duhet të flakin tutje "demokracinë, laicitetin, nacionalizmin sikurse dhe të gjitha idetë dhe plehrat e tjera [të marra] nga Perëndimi."
Kalif Ibrahimi duke predikuar në një xhami në Mosul në fillim të korrikut 2014. |
Ringjallja e kalifatit universal nënkupton, bën të ditur Premtimi i Allahut, se "gjumit të gjatë në errësirën e lënies pas dore" i ka ardhur fundi. "Ka dalë dielli i xhihadit. Lajmet e gëzueshme të së mirës po rrëzëllejnë. Triumfi është shfaqur në horizont." Të pafetë kanë të drejtë të tmerrohen, sepse ndërsa "lindja dhe perëndimi" nënshtrohen, muslimanët "do të marrin nën zotërim tokën."
Oratori e madhe padyshim, por dhe që nuk ka asnjë shans për sukses. ISIS-i ka gëzuar mbështetjen e vendeve si Turqia dhe Katarri - por për të luftuar në Siri dhe jo për të vendosur hegjemoninë në botë. Fuqitë aty rrotull - Kurdët, Irani, Arabia Saudite, Izraeli (dhe në fund ndoshta edhe vetë Turqia) - e shohin Shtetin Islamik si një armik të betuar, ashtu sikurse e shohin dhe të gjitha lëvizjet rivale Islamike, përfshirë dhe Al-Kaidën. (Bëjnë përjashtim vetëm: Boko Harami; Gazanë tek tuk; dhe një lëvizje e re pakistaneze.) Kalifati ka patur që tani vështirësi për të qeverisur territoret e pushtuara, të një madhësie sa ajo e Britanisë së Madhe, si dhe probleme që do të vijnë duke u shtuar ndërkohë që popullata e nënshtruar do të provojë plotësisht mbi kurriz mjerimin që sjell sundimi islamik. (Shtënia e mundshme në dorë e Digës së Mosulit më 3 gusht paralajmëron krime të papara, përfshirë këtu dhe ndalimin e furnizimit me ujë dhe energji elektrike; apo dhe përmbytje të përmasave katastrofike.)
Parashikimi im është që Shteti Islamik, përballë armiqësisë së fqinjëve dhe popullatës që ka nën sundim, nuk do ta ketë të gjatë.
Gjithsesi, ky shtet do ta lërë një gjurmë. Pavarësisht se ç'fund të tmerrshëm do të ketë Kalifi Ibrahim dhe bashkëpunëtorët e tij të zymtë, ata ia kanë dalë mbanë të ringjallin me sukses një institucion qendror të islamit, duke e bërë sërish kalifatin një realitet plot jetë e gjallëri. Islamistët kudo në botë do ta ruajnë si thesar atë moment lavdie brutale dhe do të gjejnë frymëzim në të.
Lart: Dawlat al-Khilafa (Shteti Islamik): Ose bota siç e sheh ISIS-i, duke përdorur emra vendesh arabë mesjetare. Poshtë: E njëjta hartë me gërma romake. Aty ku hartat ndryshojnë (dhe vërtet ndryshojnë - mjafton të shohësh Indinë) vendos arabishtja. |
Për jo-muslimanët, ky zhvillim ka rrjedhoja komplekse që janë si thikë me dy presa. Në planin negativ islamistët, do të marrin më shumë zemër për të arritur synimet e tyre të shëmtuara, duke lënë pas zinë e pas-masakrës. Në planin pozitiv, zelli barbarik i kalifatit do të ketë si efekt zgjimin e atyre që ende nuk kanë hapur sytë të shohin tmerret e axhendës islamiste.