Siç ka vënë në dukje Geoffrey Blainey në studimin e tij mjeshtëror "Shkaqet e luftës", politikanët i nisin luftërat kur janë optimistë për perspektivat që ato ofrojnë për të nxjerrë fitime; përndryshe do të përpiqeshin t'i shmangnin. Përse atëherë Hamasi sapo provokoi një luftë me Izraelin? Papritur e pakujtuar, më 11 qershor nisi hedhjen e raketave, duke thyer qetësinë që zotëronte aty që prej nëntorit 2012. Misteri i [arsyeve] të këtij shpërthimi, e nxiti David Horovitz-in, redaktorin e "Times of Israel", të nxjerrë në dukje faktin që luftimet aktuale nuk kanë "as justifikimin më të vogël". Dhe përse udhëheqja e Izraelit u përgjigj në mënyrë minimale, në përpjekje për ta shmangur luftën? Dhe kjo në një kohë kur të dyja palët e dinë mirë që forcat e Izraelit ia kalojnë ndjeshëm atyre të Hamasit në çdo aspekt - mbledhje informacioni, komandë dhe kontroll, teknologji, fuqi goditëse, mbizotërim të hapësirës ajrore.
Forcat Ajrore të Izraelit mbajnë nën kontroll të plotë hapësirën ajrore. |
Si shpjegohet atëherë ky ndryshim rolesh? Janë Islamistët vërtet kaq fanatikë sa të mos e vrasin mendjen që do të humbasin? Po sionistët, i preokupon vallë kaq shumë humbja e jetës në luftë?
Në fakt, udhëheqësit e Hamasit janë mjaft racionalë. Në mënyrë periodike (2006, 2008, 2012), ata vendosin të hyjnë në luftë me Izraelin të qartë që në fushëbetejën ushtarake do të humbasin, por optimistë për fitoren në planin politik. Ndërsa udhëheqësit izraelitë presupozojnë që nga pikëpamja ushtarake do të dalin fitimtarë, por nga ana tjetër i tremben humbjes në planin politik - mbulim negativ dhe kritika nga shtypi, rezoluta të OKB-së e kështu me radhë.
Zhvendosja e fokusit në planin politik është diçka me rëndësi historike; gjatë 25 viteve të para të saj, egzistenca e Izraelit u sfidua në mënyrë të përsëritur (veçanërisht në vitet 1948-49, 1967 dhe 1973) dhe askush nuk e dinte se si do të përfundonin ato luftëra. Më kujtohet dita e parë e luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967, kur egjyptianët trumbetonin fitore të shkëlqyera ndërkohë që heshtja e plotë nga ana e shtypit të Izraelit të linte të nënkuptoje një katastrofë. Lajmi që Izraeli kishte shënuar fitoren më të madhe në analet e luftërave, qe vërtet shokues. Ajo çfarë ka rëndësi të theksohet është që mënyra se si do të përfundonte lufta u përcaktua në mënyrë krejt të paparashikueshme në sheshbetejë.
Bota nuk e merrte dot me mend që forcat e Izraelit kishin rrëzuar përdhe forcën ajrore të Egjyptit. |
Por nuk është më kështu: Rezultati i luftërave arabo-izraelite në 40 vitet e fundit ka qenë mëse i parashikueshëm; çdokush e di që forcat izraelite do t'ia dalin mbanë. Por më shumë se çështje lufte, ajo është kthyer në njëfarësoj në një lojë polici-hajduti. Në mënyrë paradoksale kjo lloj asimetrie e largon vëmendjen nga fitorja dhe humbja dhe e kthen atë nga moraliteti dhe politika. Armiqtë e Izraelit e provokojnë atë që të vrasë civilë, vdekja e të cilëve u sjell përfitime të shumëfishta.
Katër konfliktet e shpërthyera që prej vitit 2006 ia kanë ripërtërirë Hamas-it famën e zbehur si "lëvizje për rezistencë," kanë krijuar solidaritet në frontin e brendshëm, kanë ngjallur mosmarrëveshje mes arabëve dhe hebrenjve në Izrael, i kanë dhënë zemër palestinezëve dhe muslimanëve të tjerë të hedhin veten në erë, kanë vënë në siklet udhëheqësit arabë jo-islamistë, kanë garantuar rezoluta të reja të Kombeve të Bashkuara në dëm të Izraelit, kanë frymëzuar europianët të vendosin sanksione edhe më të ashpra kundër Izraelit, kanë hapur rubinetat e kritikave gërryese të së Majtës Ndërkombëtare kundër shtetit Hebre dhe kanë siguruar ndihma shtesë nga Republika Islamike e Iranit.
Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk i shijon asgjë më shumë se sa të dënojë Izraelin. |
Grali i shenjtë i luftës politike është të fitojnë simpatinë e së majtës mbarëbotërore duke e paraqitur veten si humbës dhe viktima. (Ia vlen të përmendet që nga pikëpamja historike, kjo është shumë e çuditshme: Tradicionalisht, luftëtarët përpiqen ta trembin armikun duke u paraqitur si të frikshëm dhe të pandalshëm.)
Pjesë e taktikave të kësaj lufte të re është dhe paraqitja e një narrative emocionale bindëse, përmendja e mbështetjes nga personalitete të famshme, thirrjet drejtuar ndërgjegjes, vizatimi i karikaturave politike të thjeshta, por të fuqishme (mbështetësit e Izraelit kanë shkëlqyer në këto të fundit, si në të kaluarën dhe tani). Palestinezët janë treguar edhe më krijues duke krijuar teknika binjake mashtrimi: "fauxtography"-në për [dizinformimin] nëpërmjet fotove të rreme si dhe "Pallywood"-in për video. Në të kaluarën, izraelitët kanë treguar një lloj vetëkënaqësie lidhur me nevojën për atë çfarë ata quajnë "hasbara," dhënien e mesazhit jashtë vendit, [nevojën për të bërë propagandë], por vitet e fundit i kanë kushtuar kësaj më shumë vëmendje.
Majat e kodrave, qytetet dhe rrugëkalimet strategjike kanë rëndësi të jashtëzakonshme në luftërat civile në Siri dhe Iran, kurse moraliteti, proporcionaliteti dhe drejtësia janë ajo çfarë mbizotëron në luftërat arabo-izraelite. Siç kam shkruar gjatë kohës së përballjes mes Izraelit dhe Hamasit në vitin 2006, "Solidariteti, morali, besnikëria dhe mirëkuptimi kanë zënë vendin e çelikut, gomës, naftës dhe municioneve." Apo në vitin 2012: "Editorialet i kanë zënë vendin plumbave, media sociale u kanë zënë vendin tanksave." E thënë më në përgjithësi, kjo është pjesë e një ndryshimi themelor në luftërat e kohës sonë kur përleshen forcat perëndimore dhe ato jo-perëndimore, si në luftërat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe Irak. Siç do të thoshte strategu prusian Clausewitz, opinioni publik është qendra e re e gravitetit.
Pas gjithë kësaj që thamë, si i ka punët Hamasi? Jo mirë. Humbjet në fushëbetejë që prej 8 korrikut duken dhe më të larta se sa priteshin dhe dënimet mbarëbotërore kundër Izraelit nuk kanë vërshuar ende. Madje dhe media arabe relativisht nuk janë ndjerë, Nëse kjo vazhdon, Hamasi mbase arrin në përfundimin që breshëritë e raketave kundër shtëpive izraelite nuk janë ide fort e mirë. Dhe vërtet, për ta bërë të ndërrojë mendje e të mos ndërmarrë ndonjë sulm të ri për disa vjet, duhet që [Hamasi] t'i humbasë të dyja luftërat si në planin politik dhe në atë ushtarak, dhe t'i humbasë shumë rëndë.