Në një artikull të kohëve të fundit kam shkruar që palët pjesëmarrëse të betejës në Irak janë "xhihadistët Sunitë të ndihmuar nga Turqia [që] kanë ngritur krye kundër regjimit Shiit, të qeverisë qendrore të përkrahur nga Irani".
Disa lexues vënë në pikëpyetje faktin nëse Republika e Turqisë ka mbështetur "Shtetin Islamik në Irak dhe Siri," grupi kryesor Sunit që lufton në Irak. Ata vënë gishtin tek sulmet e ISIS-it ndaj interesave turke, brenda Turqisë, përgjatë kufirit me Sirinë dhe në Mosul si dhe një takim të suksesshëm të kohëve të fundit mes presidentit turk dhe atij iranian. Të gjitha vërejtje me vend, por për të cilat ka një shpjegim.
Së pari, ISIS-i është gati të pranojë mbështetjen turke megjithëse i sheh kryeministrin islamist dhe bashkatdhetarët e tij si qafirë (të pafe) të cilëve u duhet treguar Islami i vërtetë.
Së dyti, vizita presidenciale u zhvillua në një nivel ndërsa luftimet në Siri dhe Irak në një nivel krejt tjetër; të dy zhvillimet mund të ndodhin fare mirë njëkohësisht. Rivaliteti turko-iranian është në ngritje dhe, siç vë në dukje gazetari i njohur turk Burak Bekdil në numrin e fundit të "Middle East Quarterly":
Vitet e fundit, në gjuhën zyrtare të të dy vendeve, është dëgjuar të flitet shpesh për një tregti të begatë mes dy palëve si dhe solidaritet të përbashkët në planin ideologjik anti-izraelit. Por kryesisht pas kuintave, ka pasur tregues që dëshmojnë për rivalitet, mungesë besimi dhe dyshime reciproke sektare mes dy vendeve muslimane.
Ankaraja mund ta mohojë ndihmën ndaj ISIS-it, por dëshmitë që provojnë këtë mbështetje janë të shumta. "Duke qenë se kufiri ynë me Sirinë është më i gjati," shkruan Orhan Kemal Cengiz, opinionist i një gazete turke, "mbështetja që i ka dhënë Turqia hyrje daljeve të xhihadistëve ka qenë jetike për këta të fundit." Dhe vërtet, fortesat e ISIS-it jo rastësisht janë të grumbulluara pranë kufirit me Turqinë.
Kurdët, ekspertët e botës akademike dhe opozita siriane janë të një mendjeje që sirianët, turqit (llogaritet një numër prej 3,000 vetash) dhe luftëtarët e huaj (sidomos sauditë, por dhe një numër i konsiderueshëm perëndimorësh) kanë kaluar kufirin turko-sirian sipas qejfit, shpesh për t'iu bashkangjitur radhëve të ISIS-it. Ajo, të cilën gazetari turk Kadri Gursel e quan "autostrada dykalimshme xhihadiste", nuk ka pika të bezdisshme kufitare dhe nganjëherë përfshin dhe ndihmën aktive të shërbimeve sekrete turke. CNN ka transmetuar një video "Rrugëkalimi i fshehtë përmes Turqisë i kontrabandës xhihadiste."
Në fakt, turqit kanë ofruar shumë më tepër se një rrugëkalim të kollajtë kufitar: u kanë dhënë ISIS-it një pjesë të madhe të fondeve, të logjistikës, trajnimit dhe të armëve. Turqit që banojnë në afërsi të kufirit me Sirinë tregojnë për ambulanca turke që shkojnë në zonat ku zhvillohen luftimet mes kurdëve dhe ISIS-it dhe më pas transportojnë në spitalet turke të plagosurit mes radhëve të ISIS-it. Dhe vërtet, është shfaqur një foto e bujshme e komandantit të ISIS-it Abu Muhammad shtrirë në krevatin e spitalit shtetëror Hatay, në prillin e këtij viti, duke marrë mjekim për plagët e marra në betejë.
Abu Muhammad i ISIS-it i shtruar në Spitalin Shtetëror të Hatay në prill, 2014, duke u mjekuar për plagët e marra gjatë luftimeve në Siri.
Sipas një politikani turk të opozitës Turqia ka paguar $800 milionë ISIS-it për furnizim me naftë. Një tjetër politikan ka nxjerrë një informacion lidhur me trajnimin që disa ushtarë turq që kryejnë shërbim ushtarak, u bëjnë anëtarëve të ISIS-it. Kritikët vënë në dukje që Kryeministri turk Recep Tayyip Erdoğan është takuar tre herë me njëfarë Yasin al-Qadi, i cili ka lidhje të ngushta me ISIS-in si dhe e ka financuar.
Flamuri i Rojava-s apo Kurdistanit sirian
Përse vallë kjo mbështetje turke ndaj ekstremistëve syçartur? Sepse Ankaraja do të eliminojë dy entitete politike siriane, regjimin e Asadit në Damask dhe Rojava-n (shtetin Kurd që po nxjerr krye) në verilindje.
Përsa i përket regjimit të Asadit: "Pavarësisht nga kundërshtimet e zjarrta të zyrtarëve, Turqia i ka mbështetur xhihadistët duke menduar se ata do të sjellin një rrëzim të shpejtë të regjimit të Asadit në Siri," shkruan Cengiz, "fillimisht së bashku me disa vende arabe dhe perendimore dhe më vonë pavarësisht nga paralajmërimet e tyre."
Përsa i përket Rojava-s: duke qenë se udhëheqja e Rojava's është rreshtuar krah PKK-së, grupit (ish) terrorist kurd me bazë në Turqi, gazetari serioz turk Amberin Zaman nuk ka shumë dyshime lidhur me faktin "që deri kohët e fundit, Turqia u ka lejuar luftëtarëve xhihadistë të lëvizin pa problem përmes kufinjve të saj" për të luftuar kundër kurdëve.
Në vija më të përgjithshme, siç vë në dukje analisti turk Mustafa Akyol, Ankaraja ishte e mendimit që "kushdo që luftonte al-Assad-in ishte djalë i mirë dhe kishte gjithashtu njëfarë "mosrehati ideologjik me idenë që islamistët mund të bëjnë gjëra të tmerrshme." Kjo sipas Akyol-it, ka çuar drejt "një lloj verbimi" kundrejt xhihadistëve të dhunshëm. Dhe vërtet, ISIS-i është kaq popullor në Turqi sa të tjerët në mënyrë publike ia kanë kopjuar stemën.
Një organizatë bamirëse me bazë në Stamboll (me akronimin HİSADER) ka bërë të sajën stemën e ISIS-it me deklaratën islamike të besimit.
Gjendur përballë kësaj mbështetjeje, gazeta on-line "Al-Monitor" i bën thirrje Turqisë t'ia mbyllë kufinjtë ISIS-it, ndërsa Rojava ka kërcënuar Ankaran që nëse Turqia nuk i jep fund ndihmës, do të ketë "pasoja shkatërrimtare".
Në mbyllje, me Assadin ende në pushtet dhe me entitetin kurd gjithnjë e më të fuqishëm, udhëheqësit turq po e shohin Sirinë si një kënetë ku po zhyten dyfish. Si kundërveprim, ata po bashkëpunojnë me elementë që janë madje më ekstremistë, më reaksionarë dhe më të egër, të tillë si ISIS-i. Por kjo mbështetje ka hapur një front të dytë në Irak i cili nga ana e tij, po e sjell gjithnjë e pranë përplasjen mes dy titanëve të Lindjes së Mesme, Turqisë dhe Iranit.