Duke marrë në dorë Mosulin në 9 qershor, xhihadistët siguruan kontrollin mbi qytetin e dytë më të madh të Irakut, një depozitë të pasur armatimesh, një sasi ari me vlerë 429 milion dollarësh amerikanë, si dhe hapën rrugën drejt pushtimit të Tikritit, Samarras dhe ndoshta kryeqytetit Bagdad. Kurdët e Irakut kanë marrë në dorë Kirkukun. Kjo është ngjarja më e rëndësishme në Lindjen e Mesme që prej revoltave arabe që filluan në 2010. Ja sepse:
Kërcënimi rajonal: Shteti Islamik në Irak dhe Siri (ISIS), i shpallur si një grup terrorist, është në gjendje që të përmbysë qeveritë e Irakut dhe Sirisë dhe ndoshta edhe më tej duke filluar me Jordaninë. I shtrirë në të dy anët e kufirit irako-sirian, ai është duke rrezikuar si fshirjen e këtij kufiri gati shekullor mes këtyre dy krijesave koloniale ashtu edhe duke rrezikuar fundin e ekzistencës së tyre duke i shpërbërë si shtete. Kjo do të përmbyste rendin politik në Lindjen e Mesme që prodhoi Lufta e Parë Botërore. Qeveria e SHBA-së me të drejtë po e quan ISIS-in, "një kërcënim për të gjithë rajonin".
Hartë me qytetet nën kontrollin e Shtetit Islamik të Irakut dhe Sirisë. |
Fuqizim i papritur: Këto zhvillime provojnë që forma më e dhunshme dhe e skajshme e Islamizmit, e përfaqësuar nga Al-Kaida dhe gupe të ngjashme, mund të shkojë përtej terrorizmit duke formuar milici guerrilase që pushtojnë territore dhe sfidojnë qeveri në fuqi. Me këtë hap, ISIS i bashkohet Talibanëve në Afganistan, Al-Shabaabit në Somali, Frontit Al-Nusra në Siri, Ansar Dine në Mali dhe Boko Haram në Nigeri.
Një vetëvrasës me bombë me flamurin e Al-Kaidës ("Nuk ka perëndi tjetër veç Zotit, Muhameti është Profeti i Zotit" dhe "Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë, si poshtë ashtu edhe djathtas, lart). |
Myslimanët e urrejnë Islamizmin: Falë namit për egërsi që ka marrë ISIS nga kryeqyteti i tij në Raka të Sirisë dhe tjetërkund, besohet se një e katërta e popullsisë prej dy milionë të Mosulit ka marrë arratinë. Raundi i rradhës së brutalitetit të ISIS-it do ta bëjë Islamizmin akoma edhe më të huaj në sytë e miliona myslimanëve të tjerë.
Banorët e Mosulit duke ikur nga ISIS i kanë shndërruar rrugët në sheshe parkimi. |
Mbushja e kupës: Për të gjitha këto, sado dëme që të shkaktojnë këto organizata të tipit Al-Kaida, ndaj pronave dhe jetëve të njerëzve, ato nuk mund të dalin fitimtare në fund (domethënë nuk mund të krijojnë një kalif, që zbaton tërësisht dhe prerazi të drejtën islamike) sepse ekstremizmi i tyre i pazbutur armiqëson vetë myslimanët si dhe tremb jomyslimanët. Në fund, forma taktikisht më të kujdesshme të Islamizmit (si për shembull ato të Fethullah Gülen në Turqi) kanë potencialin më të madh sepse janë tërheqëse për një numër shumë më të madh myslimanësh pa shqetësuar jomyslimanët.
Sunitët kundër Shiitëve: Përparimet ushtarake të ISIS kërcënojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë Irakun e mbizotëruar nga regjimi pro-iranian i shumicës Shiite. Teherani nuk mund të lejojë që ky regjim të rrëzohet; jo më kot, qysh tani forcat iraniane kanë ndihmuar për rimarrjen e Tikritit dhe një përfshirje më e madhe iraniane është premtuar. Kjo ngjan si dy pika uji me linjat etnike të luftës civile në Siri, ku xhihadistët Sunitë të ndihmuar nga Turqia kanë ngritur krye kundër regjimit Shiit, të qeverisë qendrore të përkrahur nga Irani. Ashtu si në Siri kjo përplasje çon drejt një katastrofe humanitare ndonëse i vënë Islamistët që të luftojnë njëri-tjetrin, duke u shërbyer kështu interesave Perëndimore.
Hija e Digës së Mosulit: Në vitet 1980, Sauditët dhe Arabë të tjerë financuan një digë të përkohshme që u ndërtua në mënyrë difektoze mbi Lumin Tigris rreth 35 milje në veriperëndim të Mosulit. Ndërtimi jocilësor ka bërë që të ketë rrjedhje dhe nevojë të përhershme për meremetim dhe masa të kushtueshme për të shmangur rrëzimin kataklizmik. A do të kujdesen kokat e nxehta të ISIS-it për të vazhduar këto punime meremetuese? Apo thjesht do t'i lenë mënjanë duke rrezikuar jo vetëm Mosulin por një pjesë të madhe të Irakut të banueshëm me një përmbytje katastrofike?
Dështimi amerikan: Akoma më qartë, ky sukses i forcave të ISIS nxjerr në pah ambicjen e tepruar të pushtimit të Irakut të udhëhequr nga SHBA (si dhe atë të Afganistanit) që i kushtoi Perëndimit mijëra jetë dhe mbi një trillion dollarë. Fasada zbukuruese e 53 miliardë dollarëve amerikanë që shkuan për sponsorizimin e institucioneve që variojnë nga spitale të dështuara te Simfonia Kombëtare e Irakut, janë demaskuar tashmë si fiasko. Ushtarët e ISIS-it që pozojnë në mënyrë triumfale në majë të mjeteve ushtarake të dhuruara nga SHBA të kujtojnë çmendurinë e shpresave të dikurshme amerikane për një "Irak të qendrueshëm, demokratik dhe të begatë".
Trupa të sigurisë të qeverisë së Irakut hedhin uniformat e tyre për të shpëtuar nga ISIS. |
Republikanët: Republikanët fajësojnë padrejtësisht Barack Obamën për fitoret e ISIS: Jo, ishte George W. Bush që u angazhua për të rikrijuar Irakun dhe nënshkroi "Marrëveshjen për Statusin e Forcave" në 2008 që i jepte fund pranisë ushtarake amerikane në Irak, afër vitit 2011. Për Partinë Republikane që të përparojë në politikën e jashtme, ajo duhet të pranojë këto gabime dhe të mësojë prej tyre, në vend që t'i injorojë duke ia hedhur fajin Obamës.
Demokratët: Ekzekutimi i Osama bin Ladenit, tri vjet më parë, ishte një hap i rëndësishëm simbolik hakmarrës. Por nuk solli ndonjë ndryshim operacionalisht dhe ka ardhur koha që Obama të ndalë refrenin se si e mposhti Al-Kaidën. Në fakt, Al-Kaida dhe partnerët e saj janë më të rrezikshëm se kurrë, sepse kanë kaluar nga terrorizmi në pushtime territoresh. Mirëqënia e amerikanëve dhe e të tjerëve varet nga njohja e këtij realiteti dhe veprimi ndaj tij.
Politika Perëndimore: Ky është praktikisht një problem i Lindjes së Mesme dhe forcat e jashtme duhet të kenë në mendje mbrojtjen e interesave të tyre dhe jo zgjidhjen e krizave të Lindjes së Mesme. Teherani dhe jo ne duhet të luftojë ISIS-in.
Shtesë e datës 12 qershor, 2014: Eleminimi efektiv i kufirit Irak-Siri gjatë ditëve të shkuara ngre mundësinë e dy skenareve mjaft kontradiktore, të dyja të pamendueshme deri tani:
- Themelimi i "Surakia", një gërshetim i Sirisë dhe Irakut, një sipërfaqe në formën e një Gjysëm Hëne. Anton Sa'ada, themeluesi i Partisë Social Nacionaliste Siriane, e ka shpikur këtë emër në fund të viteve 1940, përpara se të vdiste. Termi është rishfaqur herë pas here, si për shembull, në 2009.
- Ndarja e Irakut në dy ose tri mini-shtete (Kurdistani, një shtet jugor Shiit dhe mbase një Trekëndësh Sunit).
Po përfundimi më i përgjithshëm është se paqendrueshmëria e Lindjes së Mesme, e trashëguar nga kufijtë e imponuar nga Perëndimorët në epokën e Luftës së Parë Botërore tashmë është bërë shumë e qartë. Ndryshimet e kujfive në zemër të botës arabe mund të kenë një efekt ndikues shumë më të gjerë.