Më 29 janar në Las Vegas u zhvillua një veprimtari e vogël, por kuptimplotë e Koalicionit Hebre Republikan. Organizuar nga Sheldon Adelson, mega-donatori i fushatave presidenciale republikane, kjo veprimtari tërhoqi pjesëmarrjen e katër kandidatëve kryesorë pretendentë për president në zgjedhjet e vitit 2016, përfshirë dhe guvernatorin e New Jersey-t Chris Christie-n.
Gjatë seancës së pyetje-përgjigjeve, Christie tregoi për një udhëtim të tijin në vitin 2012 në Izrael me Koalicionin Hebre Republikan. Gjatë një fjalie copë-copë përmes së cilës po shprehte admirimin për Izraelin, ai përdori termin "territore të pushtuara" për t'iu referuar Bregut Perëndimor [të lumit Jordan]: "Bëra një udhëtim me helikopter mbi territoret e pushtuara, … dhe përjetova vetë aty për aty, se [ç'përvojë] e jashtëzakonshme ishte, të kuptosh rrezikun ushtarak me të cilin përballet çdo ditë Izraeli."
Guvernatori i New Jersey-it Chris Christie foli gjatë një veprimtarie të Koalicionit Hebre Republikan më 29 mars në Las Vegas. |
Termi shkaktoi zhurmë mes të pranishmëve në sallë. Ndërsa Christie po largohej, Morton Klein, president i Organizatës Sioniste Amerikane u konfrontua me të në corridor: "Guvernator Christie, ju përdorët një term të pasaktë dhe të gabuar". Klein më tha se i kishte shpjeguar Christie-t që Mbretërisë së Jordanisë nuk i njihet kontrolli mbi ato territore dhe se ato u takojnë hebrenjve shumë më tepër se arabëve. Ai i kërkoi Christiet që në të ardhmen të mos thoshte më "territore të pushtuara" por "Judea dhe Samaria", "Bregu Perëndimor", ose "territoret e diskutueshme."
Christie iu përgjigj, "Po, e pashë se si e tunde kokën kur përdora atë term". Klein e pranoi që vërtet e kishte tundur kokën dhe e pyeti sërish Christien nëse do të përdorte një formulim tjetër. Christie e shpërfilli edhe herën e dytë duke i thënë, "Po, po e pashë që po tundje kokën," dhe u largua.
Menjëherë pas kësaj, Christie pati një takim privat me Adelsonin. Aktualisht janë botuar dy versione të kësaj bisede. Kevin Bohn i CNN shkruan:
Sipas Andy Abboud, zëvendës-president i Las Vegas Sands Corp. Christie të Andersonit, Christie e ka pranuar që është shprehur gabim. Abboud, i cili gjithashtu ndoqi seancën, tha për CNN se lidhur me idenë që Bregu Perëndimor është pushtuar nga Izraeli Christie tha "Nuk e besoj [një gjë të tillë]". … "Takimi mes tyre ishte i përzemërt", tha Abboud për CNN.
Kenneth Vogel i "Politico"-s ofron një version të ngjashëm.
Christie "sqaroi me sa mundi që komentet e tij të sotme nuk përbënin një deklaratë politike." Për më tepër, … Christie e bëri të qartë "që ishte shprehur gabim kur i ishte referuar "territoreve të pushtuara." Ai gjithashtu bëri të ditur miqësinë e tij të palëkundur dhe mbështetjen e vendosur ndaj Izraelit, dhe shprehu keqardhjen për konfuzionin e krijuar si rezultat i shprehjes së gabuar". Adelson nga ana e tij e pranoi shpjegimin e ofruar nga Christie.
Për të marrë një konfirmim lidhur me këto dy versione pyeta Andy Abboudin në mënyrë specifike nëse Christie kishte kërkuar ndjesë: "Guvernator Christie nuk kërkoi ndjesë", u përgjigj Abboud. "Ai tha se ishte shprehur gabim dhe se i vinte keq për këtë. Ishte diçka e zhveshur nga emocionet. Ai nuk ra në gjunjë, por theksoi se shumë njerëz të tjerë e përdorin atë term. Pastaj e mbylli atë çështje. Nuk ishte ndonjë gjë me rëndësi".
Me fjalë të tjera, Christie e pranoi që "ishte shprehur gabim" dhe u distancua nga shprehja inkriminuese, duke thënë se nuk ishte "deklaratë politike". Por nga ana tjetër nuk e tërhoqi mbrapsht përdorimin e termit territore të pushtuara dhe as nuk premtoi që nuk do ta përdorte më. Dhe as nuk ka kërkuar ndjesë për përdorimin e tij. Me fjalë të tjera, Christie nga pikëpamja taktike u tërhoq, por ai ende e sheh Bregun Perëndimor si territor të pushtuar.
John Stewart tallet me guvernatorin Christie: "Unë për vete njëherë mezi po pres që guvernatori i sapongrehur i New Jersey-it t'ua plasë të folurën e tij 'të nderçme' troç atyre në Las Vegas për të treguar se nuk shitet për para". |
Nga ky incident i vogël kam arritur në dy përfundime:
Së pari, kini mendjen nga spërdredhjet gazetareske. Uebsajti shumëinformues "Politico" në mënyrë të pasaktë i vuri artikullit të vet titullin: Chris Christie kërkon ndjesë për termin 'territore të pushtuara' dhe shumë media të tjera - si "Daily Mail", "New Republic", "Huffington Post", and "Daily Show with Jon Stewart" - e bazuan mbulimin e këtij [incidenti] mbi këtë përmbledhje. Duke raportuar që Christie i kërkoi ndjesë Adelsonit në mënyrë të përulur, ata arritën më pas në përfundime të mëdha, por të pabaza mbi rolin dominues që luan paraja në politikën amerikane.
Me fjalë të tjera, media ofron fakte të sakta, por i paraqet ato si i vjen për shtat qëllimeve të saj. Lexuesi i mprehtë lexon mes rreshtave, sikur të ishte duke lexuar Pravda-n dhe nxjerr konkluzionet e veta.
Së dyti, mospërfillja e treguar duke mos iu përgjigjur Kleinit bie në kundërshtim me tërheqjen përpara Adelsonit dhe të lejon të depërtosh në thellësi e të kuptosh disa gjëra të rëndësishme. Mungesa e vijueshmërisë në qendrimet e tij është tregues qoftë i pikëpamjeve të vërteta të guvernatorit (që nuk janë aspak shenjë e mirë për Izraelin) qoftë i karakterit të tij.
Me dikë që takoi në korridor mbajti qendrim përbuzës; me financuesin më të madh politik, në historinë e Amerikës, tha në mënyrë mekanike minimumin e nevojshëm. Ky është vallë politikani që mbahet se "i thotë gjërat ashtu siç janë"? Jo, Christie keqtrajton ata që kanë më pak pushtet se ai dhe u serviloset atyre të cilëve ua ka nevojën.
Ai nuk duhet të bëhet kandidat republikan për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.