Si e brumos Islami mënyrën e jetesës së muslimanëve? Kërkesat formale të kësaj feje përbëjnë një bazë të ngushtë për një strukturë shumë më të gjerë trajtash të cilat i përhapin rregullat zyrtare të Islamit duke i shtriqur ato në mënyra të papritura dhe të paplanifikuara. Ja disa shembuj:
Kurani e ndalon kategorikisht konsumin e mishit të derrit, gjë që sjell si pasojë zhdukjen virtuale të derrave të zbutur në zonat me shumicë muslimane, dhe më pas zëvendësimin e tyre me dhen dhe dhi. Këto të fundit i kanë dëmtuar shumë kullotat gjë që ka çuar, siç vë në dukje gjeografi Xavier De Planhol, në "një shpyllëzim katastrofik" që nga ana e tij "është njëra prej arsyeve bazë që shpjegon rrallimin e peisazheve në zonat mesdhetare të vendeve islamike." Vini re pra kalimin gradual nga urdhëri dietor kuranor në shkretimin e hapësirave të tëra territoriale. Pavarësisht se urdhri kuranor nuk ka patur si qëllim të shkaktojë ndonjë dëm ekologjik, pa dashje ka bërë diçka të tillë.
Standartet e larta dhe të paarritshme të Islamit lidhur me mënyrën e qeverisjes, historikisht kanë bërë që drejtuesit në fuqi, me të metat e tyre të shumta, të armiqësohen me nënshtetasit e tyre muslimanë, reagimi i të cilëve ka qenë refuzimi për t'u shërbyer këtyre udhëheqësve qoftë në fushën administrative qoftë në atë ushtarake, duke i detyruar kështu sunduesit që të kërkojnë për personel diku tjetër. Kjo çoi në vendosjen në mënyrë sistematike të skllevërve në poste ushtarake dhe administrative, duke krijuar kështu që nga fillimi i shekullit të tetë një institucion kyç njëmijëvjeçar.
Jeniçerët otomanë ishin trupat më të rëndësishëm dhe më jetëgjatë mes ushtarëve skllevër. |
Doktrina islamike ngulit një ndjesi superioriteti musliman, një lloj përbuzje ndaj besimit dhe civilizimit të të tjerëve gjë që është shoqëruar me dy pasoja të rëndësishme në botën moderne: nga një anë i ka bërë muslimanët subjekte kryeneçe ndaj sundimit kolonial dhe nga ana tjetër i ka penguar ata të mësojnë nga Perëndimi se si të modernizohen.
Shkrimet islamike gjithashtu ngjallin ndjenja armiqësie ndaj jomuslimanëve të cilat nga ana e tyre i hapin rrugë presupozimit që edhe jo-muslimanët ushqejnë ndjenja të ngjashme armiqësie ndaj muslimanëve. Në kohët moderne ky atribuim i ndjenjave të njërës palë palës tjetër e ka bërë më të kollajtë të biesh pre e teorive të konspiracionit diçka kjo që është shoqëruar me pasoja të ndryshme në planin praktik: për shembull, duke qenë se muslimanët janë të vetmit që i bren ideja që vaksinat kundër poliomelitit në fakt sjellin sterilizimin e fëmijëve të tyre, poliomeliti është kthyer në një kamzhik që në 26 vende fshikullon në mënyrë efektive vetëm muslimanët.
Pelegrinazhi i përvitshëm në Mekë, haxhi islamik, nisi fillimisht në shekullin e shtatë si një rit lokal i cili më pas u shndërrua në një takim ndërkombëtar që ka lehtësuar shkëmbimin e gjithshkaje që nga idetë islamiste dhe lëvizjet politike (Idrizët e Libisë) tek mallrat luksozë (si fildishi) bimët (goma në Azinë Juglindore, orizi në Europë) dhe sëmundjet (meningokokët, infeksionet në lëkurë, sëmundjet infektive diarretike dhe ato të transmetueshme nëpërmjet gjakut, infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes përfshirë këtu ndoshta dhe koronavirusin e ri MERS).
Haxhi nga ceremoni lokale u shndërrua në një eveniment ndërkombëtar ku kryhen shkëmbime nga më të rëndësishmet. |
Ndonëse jo qëllimisht, edhe rregulla të tjera strikte islamike kanë patur pasoja negative për shëndetin. Domosdoshmëria për të qenë modeste ka bërë që disa gra muslimane të mbulohen nga koka tek këmbët (me nixhabë dhe burka gjë që ka sjellë mungesa në organizëm të vitaminës D), të mos bëjnë ushtrime fizike duke u bërë kështu pre e problemeve të ndryshme mjekësore si acarimeve të lëkurës, sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes, rakitit, dobësimit të kockave dhe sklerozës së shumëfishtë.
Agjërimi gjatë Ramazanit shpesh ka bërë që besimtarët muslimanë të bëjnë më pak ushtrime fizike dhe "të priren të hanë babëzisht gjatë iftarit, në shumicën e herëve ushqime të rënda, të yndyrshme dhe shumë kalorike," vë në dukjë kryesia e "Emirates Diabetes Society". Sipas një sondazhi në Jidda të Arabisë Saudite, rezulton se 60% e të pyeturve kanë raportuar rritje të theksuar në peshë pas Ramazanit.
Për ironi Ramazani është muaji i agjërimit por dhe i të ngrënit babëzisht. |
Parapëlqimi ndaj martesave me kushërinjtë e parë, që zë fill në praktikat farefisnore pre-islamike (për të ruajtur pasurinë brenda përbrenda familjes dhe për të përfituar nga pjelloria e vajzave) për rreth 50 breza ka sjellë shumimin brenda për brenda familjes në shkallë të gjerë gjë që është shoqëruar me pasoja negative, mes të cilave mund të përmenden dyfishimi i numrit të rasteve të prekura nga çrregullime gjenetike si talasemia, anemia e shkaktuar nga eritrocitet në formë drapri, atrofia muskulare e shtyllës kurrizore, diabeti, shurdhimi, memecëria dhe autizmi.
Për sa i përket grave, rregullat lidhur me mbrojtjen mahram nga të afërmit meshkuj si dhe statusi masivisht i ulët social dhe ligjor të kombinuara bashkë kanë krijuar pa dashje dukuri të përsëritura si veçimi fizik, fiksimi me virgjërinë, vrasjet në emër të nderit, cungimet e gjenitaleve femërore dhe apartejdin gjinor (alla saudit). Poligamia krijon gjithashtu ankth të vazhdueshëm tek gratë.
Ndonëse në ligjin islamik (kafala) jetimët zënë një vend nderi, ai nder është i lidhur ngushtë me një strukturë farefisnore që nuk pajtohet me shoqërinë moderne, gjë që ka sjellë si pasojë diskriminimin e jetimëve muslimanë në ditët tona madje dhe nga vetë muslimanët në Perëndim.
Shkrimet islamike kanë hedhur themelet mbi të cilat janë zhvilluar struktura të tjera ku përfshihen: vendosja e dinastive jo nëpërmjet përmbysjeve të brendshme, por përmes pushtimit; problemet periodike lidhur me vazhdimësinë e dinastive; fakti që pushteti të sjell pasurinë dhe jo e kundërta; mungesa thuajse e plotë e qeverisjes komunale; rregullorja e papërshtatshme e administrimit të qyteteve; ligjet e nxjerra mbi bazë vendimesh ad hoc e jo mbi bazën e legjislacionit zyrtar; mbështetja tek haëala-t për transferimin e parave si dhe praktikat e terrorizmit përmes vetëvrasjes.
Strukturat e krijuara pa dashje, të quajtura nganjëherë Islamicate, ndryshojnë me kalimin e kohës, disa (skllevërit e kthyer ushtarë) janë zhdukur dhe të tjera (poliomeliti) po nxjerrin krye kohët e fundit. Gjithsesi, ato mbeten po aq të fuqishme sot sa dhe ç'kanë qenë në kohërat pre-moderne dhe luajnë një rol kyç në përpjekjen për të kuptuar jetën islame dhe atë muslimane.