Kohët e fundit në Izrael u bë zhurmë e madhe lidhur me një pyetje krejtësisht teorike: izraelitëve, që jetojnë aktualisht në Bregun Perëndimor, a do t'u lejohet [të vazhdojnë] të jetojnë aty edhe nën sundimin palestinez? Ky debat, në mënyrë të dobishme, bëri që vëmendja të përqendrohej mbi një nga çështjet më delikate dhe më të thella të konfliktit arabo-izraelit dhe si rrjedhim meriton të trajtohet seriozisht.
Naftali Bennett (l) dhe Binyamin Netanyahu, aleatë që nganjëherë kanë mendime krejtësisht të kundërta. |
Gjithë kjo nisi më 24 janar, kur kryeministri izraelit, Binyamin Netanyahu, tha: "Nuk kam aspak ndërmend të zhvendos as edhe një vendbanim të vetëm [hebre në Bregun Perëndimor]. Nuk kam ndërmend të zhvendos as edhe një izraelit të vetëm [hebre]. Duke komentuar mbi këtë deklaratë, një zyrtar anonim nga zyra e kryeministrit shpjegoi se, "ashtu sikurse Izraeli ka një pakicë arabe, kryeministri nuk sheh ndonjë arsye pse Palestina të mos ketë një pakicë hebreje. Hebrenjtë që banojnë në anën tjetër duhet të kenë të drejtën të zgjedhin nëse duan apo jo të qendrojnë aty". Ndihmësi në fjalë e konsideroi këtë si një qendrim "të hershëm" të Netanyahu-t.
Disa nga kampi nacionalist u inatosën nga kjo deklaratë. Kryetari i Habayit Hayehudi, Naftali Bennett, ministër i kabinetit aktual, kritikoi ashpër fjalët e kryeministrit, sepse [sipas tij] ato pasqyrojnë "një iracionalitet vlerash" dhe "një çmenduri etike." Sipas pikëpamjes së tij, sionistët "nuk u kthyen në tokën e Izraelit pas dymijë vjetësh të etur nga dëshira për të jetuar nën qeverinë e Mahmoud Abbasit. Cilido që mbështet idenë e një pranie hebreje në Izrael, nën sundimin palestinez, minon aftësinë tonë për të qendruar në Tel-Aviv".
Por, të tjerë ranë dakort: "Nuk do t'i braktisim ata që janë vendosur në prapavijat armike", tha zëvendës-ministri i Mbrojtjes, Danny Anon. Ide të tilla "u kundërvihen etosit sionist" vuri në dukje zëvendës-ministri i Jashtëm, Ze'ev Elkin. "Qesharake" ishte epiteti i zgjedhur nga zëvendës-ministri pranë zyrës së Kryeministrit Ofir Akunis.
Migron, një avanpost i financuar nga qeveria izraelite dhe më pas i braktisur. |
Kur një tjetër zyrtar i kabinetit të kryeministrit sygjeroi që anëtarët e qeverisë janë të lirë të largohen nga postet e tyre qeveritare nëse nuk bien dakort me kryeministrin, Bennett e ngriti dhe më shumë zërin duke përmendur vrasjet e hebrenjve nga palestinezët dhe duke konkluduar se "Thelbi i sionizmit është sovraniteti. Pa sovranitet, nuk ka sionizëm."
Pas kësaj zyra e kryeministrit u përgjigj duke i kërkuar Bennettit që ose të kërkonte falje ose të jepte dorëheqjen, kërkesë të cilës Bennetti iu përgjigj me fjalët "nëse kryeministri është fyer, ky nuk ishte aspak qëllimi im" duke deklaruar gjithashtu dhe të drejtën e tij "për ta kritikuar atë, sa herë e kërkon situata. Kjo është detyra ime." Incidenti u mbyll me shfaqjen e disa intervistave të hershme për të treguar që në të kaluarën partia e Netanyahut dhe ajo e Bennettit kanë patur pikëpamje të ngjashme, duke i lënë në këtë mënyrë gjërat në një rrëmujë totale.
Ç'konkluzion të nxjerrësh nga gjithë ky debat një javor? Kush ka të drejtë e kush jo? Ndonëse zakonisht jam dakort me pikëpamjet e Bennettit, kësaj radhe Netanyahu ka të drejtë për shumë arsye.
Largimi i turpshëm, traumatik dhe i fare i padobishëm i 8,000 izraelitëve nga Gaza në vitin 2005, i bërë me vullnetin e kryeministrit të atëhershëm Ariel Sharon, një lëvizje që nuk kishte ndodhur më parë në asnjë vend demokratik - nënvizon domosdoshmërinë që qeveria e Izraelit të vendosë një parim të padhunueshëm për të mos larguar asnjëherë qytetarët e saj nga territori. Përvoja e Gazës shërben gjithashtu për të kuptuar se nëse do të përsëritej i njëjti proçes në Bregun Perëndimor, ku popullata izraelite është 40 herë më e madhe në numër, efekti shkatërrues do të rritej në mënyrë eksponenciale. Fakti që Netanyahu e kundërshtoi furishëm vendimin e Sharonit (dhe madje dha dorëheqjen nga qeveria e tij në shenjë proteste) nxjerr në pah qendrimin e tij të lavdërueshëm dhe konsistent lidhur me këtë çështje.
Së dyti, pse qeveria e Izraelit duhet të përmbushë dëshirën e palestinezëve për një Breg Perëndimor Judenrein (pa hebrenj)?
Së treti, të lejosh hebrenjtë të jetojnë nën Autoritetin Palestinez është një zgjidhje krejtësisht praktike. Flamuri izraelit nuk mund të ndjekë çdo hebre dhe ta shndërrojë atë në një ishull të sovranitetit sionist. Shumë hebrenj nëpër botë madje edhe disa në Lindjen e Mesme jetojnë përtej kufinjve të Izraelit. Atëherë pse jo edhe në Bregun Perëndimor?
Hebrenjtë në Hebron aktualisht kanë nevojë për një shumë më tepër siguri. Në foto, një ushtar duke ruajtur paradën me rastin e festës së Purimit në vitin 2012. |
Së katërti, zyra e kryeministrit me zgjuarsi ka hedhur poshtë fushatën për çlegjitimizim të drejtuar kundër hebrenjve që jetojnë në Bregun Perëndimor. Nëse hebrenjtë mund jetojnë në Bregun Perëndimor nën sundimin palestinez, ata nuk kanë se si të paraqiten si pengesë për zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit, duke e bërë kështu krejtësisht të parëndësishme tërë çështjen e "vendbanimeve".
Së fundi, qendrimi i Netanyahu-t ndryshon kushtet e debatit. Ai i lejon Jeruzalemit të argumentojë se një zgjidhje e vërtetë e konfliktit kërkon që izraelitët hebrenj të jenë në gjendje të jetojnë në paqe brenda shtetin palestinez. Siç kam thënë për më shumë se një dekadë, konfliktit do t'i vinte vërtet fundi, vetëm atëherë "kur hebrenjtë që jetojnë në Hebron të kenë nevojë për aq pak siguri sa dhe arabët që jetojnë në Nazaret." Një perspektivë e tillë, sigurisht, është tepër e largët; por pranimi në parim që hebrenjtë të jetojnë në "Palestinë", u lejon sionistëve të pranojnë teorikisht zgjidhjen dy-shtetëshe ndërkohë që në mënyrë të justifikueshme të vonojnë zbatimin e saj për breza me radhë ose ndoshta përgjithnjë.
Bennett dhe mbështetësit e tij duhet të qetësohen dhe të vlerësojnë idenë diplomatike gjeniale të Netanyahut.