Në një kohë kur kredibiliteti dhe prestigji i Shteteve të Bashkuara në arenën ndërkombëtare po tkurren, presidenti amerikan dhe sekretarët e tij të shtetit dhe të mbrojtjes janë hedhur që ta mohojnë këtë gjë në mënyrë elokuente. Për fatin e tyre të keq, sado bindëse të jenë fjalët, faktet kanë më shumë peshë.
Në Forumin Botëror për Ekonominë, në Davos, "ku në qendër të thashethemeve ishte influenca gjithnjë në rënie e Amerikës në Lindjen e Mesme", John Kerry tha se ishte "i habitur nga zërat që pretendojnë se Amerika në njëfarë mënyre po distancohet nga bota". Aspak e vërtetë, tha ai: "Po hyjmë në epokën e një angazhimi diplomatik amerikan po aq të zgjeruar dhe po aq të thellë sa ai i cilësdo periudhë tjetër të historisë." Në mënyrë të ngjashme, Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel ka bërë thirrje për "një epokë të re dhe më të fuqishme partneriteti me miqtë dhe aleatët tanë."
Në këtë frymë, Obama ka bërë shumë premtime për të qetësuar aleatët.
Koresë së Jugut, e cila i ka varur shpresat tek "këmbëza e pushkës" amerikane për të ndaluar një diktator të çmendur, i cili, po t'i teket, mund ta rrafshojë Seulin brenda pak orëve sulmi me artileri. Obama i ka premtuar se "angazhimi i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Koresë është i palëkundur."
Trupat amerikane dhe ato të Koresë së Jugut duke u stërvitur së bashku. |
Japoninë, e cila i ka varur shpresat tek Flota e Shtatë e Shteteve të Bashkuara për të penguar cënimin territorial gjithnjë e më agresiv të ishujve Senkaku nga Kina, e ka siguruar se "Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura në angazhimet e tyre për të mbrojtur Japoninë."
Tajvanit, siguria kombëtare e të cilit nga Republika Popullore e Kinës varet nga mbrojtja amerikane, i ka "ripohuar angazhimin tonë sipas… Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin", sipas të cilit Shteteve të Bashkuara i kërkohet të ruajnë aftësinë "për t'i bërë ballë çdo përpjekjeje për të përdorur forcën apo ndonjë formë tjetër presioni të dhunshëm që do të vinte në rrezik sigurinë" e Tajvanit.
Filipineve, të shqetësuara nga pretendimet territoriale të Kinës ndaj trojeve të tyre në Detin e Kinës Jugore, e veçanërisht ndaj ishujve Spratly dhe atyre koralorë Skarborou, i ka ripohuar angazhimin sipas Traktatit të Mbrojtjes së Ndërsjellë të hartuar në vitin 1951, i cili parashikon që, në rastin e një sulmi të armatosur, Shtetet e Bashkuara "do të hidhen në veprim për t'i bërë ballë rrezikut të përbashkët".
Njëri prej shumë ishujve Spratly. |
Arabisë Saudite, të alarmuar nga qendrimi i zbutur i Obamës ndaj Iranit që rezultoi në Planin e Përbashkët për Veprim, i ripërsëriti "angazhimin e vendosur të Shteteve të Bashkuara ndaj miqve dhe aleatëve tanë në Gji."
Kurse Izraelit, të rrethuar nga një det me armiq, Obama i deklaroi "Angazhimin e palëkundur të Amerikës në [garantimin] e sigurisë së Izraelit," sepse t'i rrish përkrah Izraelit "është në interesin themelor të sigurisë sonë kombëtare".
Pikësëpari, problemi qendron në atë që vetë amerikanët i vënë në dyshim këto fjalë të bukura e plot përkushtim:
- Sipas Pew Research Center, një numër rekord amerikanësh besojnë se prestigji dhe fuqia amerikane në botë është në rënie. Për herë të parë, që nga sondazhet e bëra në vitet 70, "një shumicë (prej 53%) thonë se Shtetet e Bashkuara krahasuar me një dhjetëvjecar më parë, po luajnë një rol më pak të rëndësishëm dhe fuqiplotë si udhëheqës të botës", ndërsa vetëm 17% janë të mendimit se fuqia amerikane është në rritje. Një shumicë akoma më e madhe, 70%, "thonë se Shtetet e Bashkuara po respektohen më pak në krahasim me të kaluarën." Dhe 51% thonë se Obama "nuk po tregon forcën e duhur" në politikën e jashtme dhe në çështjet e sigurisë kombëtare.
- Sipas Mellman Group, më shumë se dy të tretat nuk e shohin me sy të mirë mënyrën se si Obama po trajton çështjen e Iranit; një shumicë prej 54-37% është në favor të goditjeve ushtarake që kanë në shënjestër impjantet bërthamore iraniane, dhe jo t'i lejohet Iranit të ndërtojë armët bërthamore.
- Sipas McLaughlin & Associates 49 përqind e të intervistuarve mendojnë se reputacioni i Amerikës ka pësuar rënie gjatë 5 viteve të mandatit të Obamës; 40 përqind mendojnë se kundërshtarët e Amerikës e shohin tashmë me përbuzje Obamën.
Josef Joffe, redaktor i të përjavshmes gjermane "Die Zeit". |
Së dyti, Pew Research raporton se gjysma e opinionit publik në Britani, Francë dhe Gjermani sikurse dhe një e treta në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi, janë të mendimit që në fund do të jetë Kina ajo që do t'i zërë vendin Shteteve të Bashkuara si superfuqi udhëheqëse botërore. Dy të tretat e izraelitëve mendojnë se Obama nuk do t'i ndalojë dot iranianët që të prodhojnë armë bërthamore.
Së treti, udhëheqësit botërorë të vendeve të ndryshme si Japonia, Polonia dhe Izraeli i shohin premtimet e Obamës si të shkëputura nga realiteti. Duke shprehur mendimin e shumë të tjerëve, Josef Joffe i të përjavshmes gjermane "Die Zeit", gjen se ka "konsistencë dhe koherencë në përpjekjen e Obamës për t'u tërhequr nga problemet botërore, për t'i nxjerrë Shtetet e Bashkuara jashtë rrezikut. … ose e thënë më ashpër, Obama dëshiron t'i kthejë Shtetet e Bashkuara maksimumi në fuqinë më të madhe të fuqive të mesme".
"Angazhimi diplomatik" i suksesshëm (siç e quan Kerry) duhet të mbështetet nga konsistenca, fuqia dhe vullneti dhe jo nga fjalët e bukura, premtimet boshe dhe fantazia pa themel. A do ta kuptojë këtë gjë dot në kohë administrata e Obamës, përpara se dëmi të bëhet i pariparueshëm? Ndiqni marrëveshjen bërthamore me Iranin për ndryshime të mundshme, ose jo.