Dita e sotme shënon njëzet-vjetorin e Middle East Forum (MFE - Forumit për Lindjen e Mesme).
24 janari i vitit 1994 ishte absolutisht momenti më i gabuar për të krijuar një organizatë që të merrej me çështjen e Lindjes së Mesme. Sikurse u shpreh asokohe, pa shumë takt, një donator i mundshëm: "E kush jua ka nevojën?" Fitorja e Shteteve të Bashkuara në Kuvajt, rënia e Bashkimit Sovjetik si dhe marrëveshjet e Oslos i kishin bërë vëzhguesit e zhvillimeve në Lindjen e Mesme të ndjeheshin si rrallë herë më parë optimistë. Siç thoja me shaka në atë kohë, ajo ishte mundësia për të përmirësuar teknikën e goditjes me kurrizin e dorës në tenis si dhe të barbekjusë.
Kështu pra, kur sapo filluam, na u desh të punonim shumë për t'i mbushur mendjen publikut mbi rreziqet që po zienin. Kjo do të thoshte të mbaje vëmendjen në mënyrë specifike të përqëndruar tek problemet. Për shembull në hyrjen e numrit të parë të botimit tonë, "Middle East Quarterly" kam shkruar:
"Me mbarimin e Luftës së Ftohtë, Lindja e Mesme bëhet rajoni më i militarizuar i botës. I vendosur në vorbullën e Europës, Afrikës dhe Azisë, armiqësitë e vjetra në rajon së bashku me teknologjitë e reja ushtarake nuk paralajmërojnë tjetër veç probleme të shumta si brenda dhe jashtë rajonit."
11 shtatori pati ndikim të thellë tek Middle East Forum. |
Nuk ishte aspak e lehtë të bindje publikun, dhe periudha e viteve 90-të nuk ishte aspak e lehtë nga pikëpamja financiare. Kur bota arriti të shihte me sytë e saj vizionin tonë më të zymtë, 11 shtatorin, luftërat në Afganistan dhe Irak si dhe rritjen e islamizmit, temat që trajtonim kërcyen si me katapultë në qendër të vëmendjes amerikane dhe asaj botërore, duke na dhënë kështu një mundësi unike për të bërë të njohur mesazhin tonë kudo. Dhe kur situata më në fund ishte qetësuar disi, ja ku ia behën trazirat në botën arabe, shtimi i arsenalit bërthamor iranian, të cilat i ngatërruan punët sërish duke na lënë sërish pa gjumë deri natën vonë.
Ja disa nga gjërat që kemi vënë re gjatë dy dhjetëvjecarëve të fundit:
Sloganin tonë e kam zgjedhur vetë, "Duke promovuar interesat e Amerikës", për të theksuar faktin që analistët në Shtetet e Bashkuara janë të prirur ta harrojnë këtë dimension si dhe për të lënë të kuptohet që kur amerikanët veprojnë në përputhje me intersat e tyre, përfitojnë gjithashtu edhe të tjerët.
Forumi u krijua si një grupim tradicional ekspertësh tamam në prag të revolucionit të Internetit. Në vitet e para, e dërgonim informacionin me postë, vareshim nga botimet në letër për të bërë të njohura shkrimet tona, dërgonim materiale me faks kur e kishim me ngut dhe merrnim me vete manjetofonë në aktivitete të ndryshme. Interneti shumë shpejt solli një transformim në jetën tonë, duke bërë të mundur 20 milionë vizita në faqet e website-it tonë, duke na vënë në Facebook e Twitter, duke i lejuar pjesës më të madhe të stafit tonë profesionist të jetonte kudo si dhe duke bërë të mundur që zyra jonë të funksiononte edhe atëherë kur të gjithë ishim në shtëpi për shkak të stuhisë së borës, (siç ndodhi javën e kaluar).
Megjithëse emri i [forumit tonë] mban fjalët "Lindje e Mesme," ne i kemi kushtuar gjithashtu shumë vëmendje atyre që janë nga Lindja e Mesme dhe jetojnë në Perëndim, duke menduar se njohuritë tona për rajonin mund të kontribuojnë në mënyrë të dobishme për të kuptuar këto popullata të reja si dhe problemet që ato ngrenë.
Fakti që jemi një institut kërkimor që nuk e ka qendrën as në Washington dhe as në New York (gjendemi në Philadelphia) ka ndikuar në rolin që luajmë si dhe ka përcaktuar grupin e atyre që na ndjekin: Ne nuk e përqendrojmë vëmendjen në çështjet e përditshme që preokupojnë qeveritarët tanë dhe as nuk e kalibrojmë punën tonë për të tërhequr vëmendjen e medias. Ne jemi të specializuar për të ofruar interpretimet tona në një kontekst shumë më të gjerë.
Themeluar kryesisht me qëllimin për të ofruar një alternativë tjetër veç analizave që vijnë nga studimet zyrtare mbi Lindjen e Mesme, MEF-ja ia ka arritur këtij qëllimi në dy mënyra: në mënyrë pozitive, botimi ynë "Middle East Quarterly" - fillimisht me mua si redaktor e më pas me Martin Kramer-in, Michael Rubin-in, Dennis MacEoin, dhe (aktualisht) Efraim Karsh-in - ofron një interpretim të detajuar të rajonit. Në mënyrë negative, Campus Watch i bën shpesh kritika të vendosura asaj çfarë shkruan bota akademike amerikane.
Të frymëzuar nga suksesi që ka patur iniciativa e lartpërmendur, kemi krijuar dhe tre të tjera. "Islamist Watch" është përqendruar në replikat ndaj përpjekjeve jo të dhunshme për të promovuar Islamin, përpjekje këto që ne i konsiderojmë jo më pak të rrezikshme se ato të dhunshme. "Legal Project" mbron të drejtat e atyre si puna e jonë që shprehemi hapur për Islamin dhe çështjeve që lidhen me të. Si dhe "Washington Project" i kryesuar nga Steven J. Rosen, që ka si qëllim të ushtrojë ndikim mbi politikën e Shteteve të Bashkuara lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me rajonin me të cilin merremi.
Diçka që nuk ndodh në stafin e Forumit për Lindjen e Mesme (Middle East Forum). |
Nga të gjithë ata që kanë bërë të mundur punën tonë - bordi, stafi, kolegë dhe vullnetarë - falenderoj në mënyrë të veçantë Amy Shargel-in, drejtoreshën e MEF-së. Ishim së bashku në janarin e vitit 1994, kur bëmë planet për Forumin ulur në tavolinën e kuzhinës dhe që nga ai moment ajo ka qenë në krye të administratës së këtij forumi thuajse gjatë gjithë kohës. Këtë organizatë e kemi ndërtuar së bashku. I jam borxhli asaj për inteligjencën, inisiativën dhe integritetin që ka treguar.
Me sytë e drejtuar nga e ardhmja, sinqerisht, sfida më e madhe mbetet ajo e gjetjes së pasardhësve që do të na zëvendësojnë ne, themeluesit. Nuk do të jetë e lehtë të gjejmë individë që të kujdesen e të çojnë përpara çfarë kemi krijuar si dhe ta zhvillojnë më tej atë sipas mënyrës së tyre. Gjithsesi, kam bindjen se ditë më të mira e presin Forumin tonë.