Rënia kohët e fundit e Fallujah-s në Irak, në duart e një grupi të lidhur me Al-Kaidan, duam apo jo, na kujton sa e sa energji dhe jetë amerikanësh u shpenzuan për marrjen nën kontroll të këtij qyteti nga viti 2004 deri në 2007 - gjithë ai mundim rezultatet e të cilit nuk duken gjëkundi. Në mënyrë të ngjashme, qindra miliardë dollarë, dhënë për të modernizuar Afganistanin, nuk bënë asgjë për të penguar lirimin e 72 të burgosurve që sulmuan amerikanët.
Al-Kaida shtie në dorë Fallujah-n në Irak. |
Këto dy shembuj çojnë në një përfundim më të gjerë: sëmundjet në Lindjen e Mesme (përjashto Izraelin e suksesshwm) janë ngulitur aq thellë sa asnjë fuqi nga jashtë nuk është në gjendje t'u gjejë shërim. Ja një përmbledhje e shpejtë:
Uji po mbaron. Një digë e ngritur mbi Nilin Blu në Etiopi përbën në thelb një kërcënim për t'i prerë Egjiptit furnizimin kryesor me ujë, në sasi tmerrësisht të mëdha për vite me radhë. Siria dhe Iraku vuajnë nga kriza e ujit, sepse të dy lumenjtë Eufrat dhe Tigër po thahen. Për kultivimin e bimës narkotike Khat po shpenzohet kaq shumë nga rezervat e kufizuara të ujit të Jemenit sa Sana'a mund të bëhet kryeqyteti i parë i botës moderne që rrezikon të braktiset [nga banorët e saj] për shkak të thatësirës. Skemat e pamenduara mirë të rritjes së grurit në Arabinë Saudite bënë të shterronin akuiferët.
Nga ana tjetër, Diga e Mosul-it, e ndërtuar keq, në Irak, mund të rrëzohet, gjë që do të sillte përmbytjen e gjysëm milionë banorëve si dhe do të linte shumë më tepër në pikë të hallit pa ushqim dhe pa energji elektrike. Kanalet e ujërave të zeza në Gaza kanë marrë kot. Shumë vende vuajnë nga ndërprerja e energjisë elektrike, veçanërisht gjatë të nxehtit mbytës të stinës së verës që rregullisht kap temperaturat deri në gati 49 gradë celcius.
Një interpretim artistik i Digës së Rilindjes së Madhe Etiopiane tashmë në ndërtim e sipër. |
Njerëzit gjithashtu po shterrojnë. Pas përjetimit të dukurisë së shpërthimit demografik [tipik të vendeve të pazhvilluara] dhe problematik të numrit të popullsisë në moshë të re, shkalla e lindshmërisë po bie kokëposhtë. Irani për shembull ka shënuar rënien më të madhe të shkallës së lindshmërisë foshnjore që është regjistruar ndonjëherë në botë, nga 6.6 lindje për grua në vitin 1977 në 1.6 në vitin 2012. Kjo ka krijuar atë që një analist e quan "panik apokaliptik" që përndez më keq agresivitetin e Teheranit.
Shkollat e varfra, qeveritë shtypëse dhe zakonet shoqërore të cilave u ka ikur koha përbëjnë garanci për një rritje ekonomike me ritme që janë për të të ardhur keq. Uria kërcënon Egjiptin, Sirinë, Jemenin dhe Afganistanin.
Rezervat pafund me naftë dhe gaz natyror kanë shpërfytyruar thuajse çdo aspekt të jetës në vend. Monarki të ngjashme me ato të mesjetës, në miniaturë, si ajo e Katarit bëhen fuqi botërore surreale në luftën në Siri dhe Libi, duke mos e vrarë aspak mendjen për jetët që shkatërrojnë, ndërkohë që një nënklasë e shtypur punëtorësh të huaj rropatet në punë ndërkohë që një princeshë vë në dispozicion buxhetin më të madh ndonjëherë në historinë e njerëzimit për të blerë vepra arti. Të privilegjuarit kënaqin trillet e tyre nga më mizoret, të mbrojtur siç janë nga paratë dhe lidhjet që kanë. Turizmi seksual në vende të varfra si India lulëzon dita ditës.
Al-Mayassa bint Hamad bin Khalifa Al-Thani (lindur në 1983), motra e emirit të Katarit dhe kryetare e Organizmit Drejtues të Muzeumeve të Katarit, flitet se ka një buxhet prej 1 miliardë dollarësh në vit për të blerë vepra arti. |
Përpjekjet për vendosjen e demokracisë dhe për pjesëmarrje politike ose veniten si në Egjipt ose sjellin në fuqi fanatikë që me dinakëri fshehin qëllimet e tyre të vërteta, si në rastin e Turqisë. Përpjekjet për të përmbysur tiranët e pangopur, kanë sjellë tiranë ideologjikë akoma më të këqinj (si në Iran në vitin 1979) ose anarki (si në Libi dhe Jemen). Zakonisht bëhet tifozllëk që të mos fitojë asnjëra palë. Shteti i së drejtës mbetet thjesht një mirazh.
Islamizmi, aktualisht ideologjia politike më dinamike dhe kërcënuese, mund të përmblidhet me pak fjalë në deklaratën makabër që Hamas-i ka bërë ndaj Izraelitëve: "Ne e duam vdekjen më shumë se sa doni ju jetën." Poligamia, burkat, cungimi i organeve gjinore dhe vrasjet në emër të ruajtjes së nderit bëjnë që gratë në Lindjen e Mesme të jenë më të shtypurat në botë.
Jeta në Lindjen e Mesme është e krimbur nga paragjykime të forta - shpesh zyrtare - që kanë në bazë fenë, sektin, etninë, tribunë, ngjyrën e lëkurës, kombësinë, gjininë, orientimin seksual, moshën, qytetarinë, punën dhe paaftësinë. Skllavëria mbetet një plagë e rëndë.
Teoritë konspirative, fanatizmi politik, mbajtja e inateve, shtypja, anarkia dhe agresiviteti bëjnë ligjin në politikat rajonale. Nocionet moderne që kanë të bëjnë me individin mbeten të zbehta në një shoqëri ku lidhjet e hershme familjare apo ato mes tribuve dhe klaneve mbeten mbizotëruese.
Alaa Hussein Ali (majtas) sundoi Republikën e Kuvajtit për 6 ditë në gushtin e vitit 1990 përpara se vendi t'i aneksohej Irakut nga Saddam Hussein. (djathtas).
Lindja e Mesme vuan nga një dëshirë e shfrenuar për të gllabëruar vende të tëra. Izraeli është potencialisht viktima më e njohur në botë, por Kuvajti në fakt u zhduk për gjysëm viti ndërkohë që Libani, Jordania dhe Bahreini mund të gëlltiten nga momenti në moment.
Shtetet e Lindjes së Mesme shpenzojnë shuma kolosale të pasurisë së tyre për të financuar shërbimet sekrete dhe ushtrinë, duke krijuar forca të panevojshme që survejojnë njëra tjetrën. Nisen jashtë për të blerë tankse, anije dhe avionë. Hedhin shuma të pazakonta për arsenale armësh bërthamore, biologjike dhe kimike si dhe për platformat përkatëse për transportimin e tyre. Madje dhe grupe terroriste si Al-Kaida komplotojnë për të shtënë në dorë Armë të Shkatërrimit në Masë. Metodat më të avancuara të terrorizmit zhvillohen në Lindjen e Mesme.
Dështimet e natyrës ekonomike dhe politike sjellin krijimin e turmave të refugjatëve; Që prej viteve 80, afganët përbëjnë popullatën me numrin më të madh të refugjatëve në botë; sirianët kërcënojnë t'ua kalojnë në numër, duke sjellë varfëri dhe kaos në vendet ku kërkojnë strehim. Shpirtra të dëshpëruar përpiqen të largohen nga rajoni drejt vendeve perëndimore, një pjesë e të cilëve vdesin rrugës. Ata që ia dalin mbanë, sjellin me vete sëmundjet e rajonit nga vijnë edhe në vende të dlira si Suedia dhe Australia.
Diplomatët e shekullit të 19-të e quajtën Perandorinë Osmane "I Sëmuri i Europës." Tani, personalisht po e quaj gjithë Lindjen e Mesme: I Sëmuri i Botës. Urrejtjet, ekstremizmi, dhuna dhe despotizmi në rajon kanë nevojë për dhjetëvjeçarë të tërë për të gjetur shërim.
Në pritje që ky proçes të nisë ndoshta, bota e jashtme bën mirë të mos shpenzojë as gjak dhe as pasuri për të shëruar Lindjen e Mesme - një mision ky i pashpresë - por për t'u mbrojtur nga kërcënimet e shumta që vijnë nga rajoni që nga Sindroma e Rrugëve të Frymëmarrjes e Lindjes së Mesme (MERS) tek haremet, mega-terrorizmi dhe impulsi elektromagnetik [shkatërrues].