Viti 2013 shënon njëqind vjetorin e themelimit zyrtar, të Tempullit Kananejt në Newark, New Jersey. Ishte forma më e hershme e një Islami indigjen afro-amerikan, i cili dallon krejtësisht nga Islami normativ, feja 1,400 vjeçare, me prejardhje nga Arabia, e themeluar nga Muhameti. Nga kjo lëvizje dolën pastaj dhe Elijah Muhammad, Malcolm X dhe Louis Farrakhan.
Profeti fisnik Drew Ali, themeluesi i "Moorish Science Temple of America" (Tempulli i Shkencës Mavritane të Amerikës - shkurt MSTA). |
Timothy Drew (1886-1929), një zezak amerikan që u vetëquajt Fisniku Drew Ali, themeloi tempullin e Newark-ut dhe më pas, në vitin 1952, një tjetër organizatë me emrin e çuditshëm Tempulli i Shkencës Mavritane të Amerikës. Idetë e tij rrjedhin nga katër burime që nuk t'i ha mendja, njëri më i ndryshëm se tjetri: pan-afrikanistët, shrajnërs (Shriners), Myslimanët Ahmadi dhe racistët e bardhë.
(Shënim i përkthyesit: Shrajnersat: Anëtarë të një urdhri vëllazërimi jo-mason, të njohur me emrin "urdhri i lashtë arabik i fisnikëve të sanktuarit mistik," por që pranonte në radhët e tij vetëm të ashtuquajturit mjeshtra masonë).
Nga pan-afrikanistët si Edward Wilmot Blyden dhe Marcus Garvey, ai bëri të tijin nocionin që konsideron Krishtërimin si një fe e të bardhëve dhe Islamin si fe e të zinjve. Si shrajner praktikant që ishte, Fisniku Drew Ali huazoi nga kjo organizatë tiparet dalluese, të tilla si përdorimi i titullit "fisnik" përpara emrit, rregulli që burrat të mbanin fes të zi si dhe rrjetin e llozhave. Nga Ahmadinjtë mori emrat e përveçëm arabikë, motivin me çerekhëne dhe yll, ndalimin e mishit të derrit dhe nocionin që Krishti po udhëtonte drejt Indisë. Nga racistët e bardhë huazoi idenë që zezakët e suksesshëm amerikanë nuk janë aspak afrikanë, por "mavritanë", "mavritano-amerikanë," apo "aziatikë," një popullsi mitike veriperëndimore afrikane, Moabitë, të cilët emigruan në Afrikën subsahariane.
Shkrimi [i shenjtë] i Fisnikut Drew Ali, Kurani i Shenjtë i Tempullit të Shkencës Mavritane të Amerikës. |
Fisniku Drew Ali shpresonte që duke u distancuar nga Afrika, duke shpikur një identitet të ri për zezakët e Amerikës dhe duke i nxitur këta të fundit t'i qëndronin besnik Shteteve të Bashkuara, ata do të shiheshin si emigrantë të rinj. Dhe ashtu si për të porsaardhurit e tjerë, ata [zezakët e Amerikës] do t'u shpëtonin stereotipeve të ngulitura raciste dhe do t'i shmangeshin segregimit. Por kjo nuk mund të ndodhte. Siç shkruan historiani Richard Brent Turner, "Drew Ali-u nuk e kishte marrë vesh që në vitin 1920, nuk kishte vend për zezakët në mozaikun kulturor [amerikan]".
Me vdekjen e Drew Alisë në korrik të vitit 1929, nis dhe rënia e MSTA-së. Organizata në fjalë vazhdon të egzistojë dhe numëron gati një mijë anëtarë. Njëri prej tyre, Clement Rodney Hampton-El, është dënuar për rolin që luajti në vendosjen e bombës në World Trade Center në vitin 1993 dhe është dënuar me 35 vjet burgim. Një tjetër, Narseal Batiste, u dënua me 13 vjet e gjysëm, pasi kishte bërë plan të hidhte në erë Sears Tower në Çikago.
Tempulli ka luajtur një rol kyç si pararendës i organizatës "Nation of Islam" (shkurt: NoI - Kombi i Islamit), e cila u krijua në korrik të vitit 1930. MSTA-ja është nismëtarja e traditës së dyfishtë, që më vonë do të merrej nga NoI-ja, asaj të përvetësimit të imazhit të islamit normativ, por duke lënë jashtë përmbajtjen e tij, si dhe shfrytëzimin më pas të kësaj feje popullore si një mjet për t'i shpëtuar racizmit të bardhë. Të dy organizatat e përqendruan vëmendjen mbi zezakët amerikanë jo-kishtarë dhe shërbyen si urë kalimi për ta që të konvertoheshin në Islamin normativ. Shumë tipare dalluese të MSTA-së - termi "komb," identiteti "aziatik", refuzimi i "Afrikës dhe të i qenit "Negro", identifikimi i Islamit me "njerëzit me ngjyrim të errët," parashikimi që të gjithë të bardhët do të shkatërrohen dhe pretendimi i udhëheqësit për të qenë profet dhe madje me raste dhe hyjni - kanë mbijetuar tek NoI.
Shumë prej anëtarëve të hershëm të NoI-t vinin nga MSTA-ja dhe shpesh e kanë konsideruar NoI-në si pasardhëse të Tempullit. Elijah Muhammad, themeluesi efektiv i NoI-t, e ka lavdëruar vetë pararendësen MSTA dhe nganjëherë me modesti e ka portretizuar lëvizjen e tij si "[një lëvizje] që po përpiqet të përmbushë atë çfarë nisën ata përpara nesh."
Clement Rodney Hampton-El, i dënuar si terrorist lidhur me vendosjen e bombës në World Trade Center. |
Pavarësisht nga të ardhmet e tyre përkatëse pa ndonjë peshë, MSTA-ja dhe NoI-ja e ruajnë rëndësinë e tyre, sepse thuajse të gjithë gati 750,000 muslimanët afro-amerikanë të ditëve tona - si dhe komuniteti që në vitet e ardhshme do të jetë potencialisht akoma më i madh në numër - i kanë rrënjët në Tempullin Kananajt të Newark-ut, themeluar një shekull më parë.