"Plani i Përbashkët i Veprimit" i firmosur nga Irani dhe e ashtuquajtura P5+1 (Kina, Franca, Gjermania, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara) më 24 nëntor në Gjenevë, shkaktoi gaz e hare mes shiitëve arabë, shqetësim mes sunitëve dhe panik mes sauditëve. Reagimi i sauditëve do të jetë me pasoja në shkallë të gjerë dhe të paparashikueshme.
Turma të ngazëllyera i japin mirëseardhjen nga Gjeneva në atdhe negociatorit iranian. |
Ndërsa kryenegociatori iranian, Mohammad Javad Zarif, u kthye me një marrëveshje prej 23 miliardë dollarësh amerikanë, shiitet arabë menjëherë u rikthyen në vathën e Teheranit. Kryeministri i Irakut, Nouri al-Maliki, shprehu "mbështetjen e tij të plotë për këtë hap". Presidenti Bashar al-Assad i Sirisë e mirëpriti marrëveshjen si "rruga më e mirë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit". Kryetari i Parlamentit të Libanit, Nabih Berri e quajti "marrëveshja e shekullit". Dhe Hezbollahët e konsideruan marrëveshjen "një fitore të madhe për Iranin".
Assad-i i Sirisë, të cilit i kanë vënë kryq në foton më lart, çmoi lart marrëveshjen e Gjenevës. |
Në dallim nga sa më lart, mes sunitëve arab-folës, reagimet kanë variuar nga mbështetje, sa për mirësjellje, në pakënaqësi alarmante. Gazeta egjiptiane pro-qeveritare "Al-Ahram" e cila e cilësoi si "historike" marrëveshjen e mësipërme, ishte ndoshta më entuziastja mes tyre. Shumica e shteteve heshtën. Sauditët shprehën shqetësimin më të madh. Vërtet, kabineti qeveritar shpalli zyrtarisht se "Nëse egziston vullneti i mirë, atëherë kjo marrëveshje mund të jetë një hap përpara drejt arritjes së një zgjidhje të plotë të [cështjes së] programit bërthamor të Iranit", por mos lini pa vënë re skepticizmin që mbartin katër fjalët e para.
Nëse ky reagim qe ndër më të butët, komenti më pa dorashka erdhi ndoshta nga Alwaleed bin Talal, një princ saudit që herë pas here i dërgon familjes mbretërore sondazhe për të matur pulsin: Ai e quajti Iranin "një kërcënim të madh" dhe theksoi se, duke folur nga pikëpamja historike, "perandoria persiane ka qenë gjithnjë kundër perandorisë myslimano-arabe, veçanërisht kundër sunitëve. Kërcënimi vjen nga Persia, jo nga Izraeli", një deklaratë publike kjo sa e papreçedente aq dhe gjurmëlënëse.
Princi saudit, Alwaleed bin Talal ulur në fronin e avionit të tij, nën logon e kompanisë së tij. |
Alwaleed më pas paraqiti në mënyrë të detajuar se si iranianët janë "në Bahrain, ata janë në Irak, në Siri, janë me Hezbollahët në Liban dhe me Hamas-in, që është Sunit, në Gaza." Siç sygjeron kjo renditje, sauditët janë të fiksuar me rrezikun e të qenit të rrethuar nga agjentët e Iranit dhe janë më të frikësuar nga pasojat jobërthamore të planit të përbashkët se sa nga ato bërthamore. Gregory Gause i Universitetit të Vermontit i vë në dukje se sauditët janë të shqetësuar se marrëveshja do t'i hapë rrugë "pa asnjë pengesë" Iranit për të arritur dominimin në rajon. (Në dallim ky me pozicionin e Perëndimit dhe Izraelit, të cilët e kanë përqendruar vëmendjen tek rreziku bërthamor.)
Abdullah al-Askar, kryetar i komitetit të punëve të jashtme të Këshillit Shura, të caktuar nga mbretëria, shpjegon se ai sheh me shqetësim "dhënien e më shumë hapësirë dhe dore të lirë veprimi Iranit në rajon. Qeveria e Iranit, muaj pas muaji, ka dhënë prova se axhenda e saj në rajon është e frikshme, dhe nga ky pikëvështrim askush në rajon nuk do të bjerë në gjumë dhe do të presupozojë se punët po shkojnë vaj. … Njerëzit në rajon … e dinë se Irani do të ndërhyjë në politikën e shumë vendeve."
Mediat saudite e kanë ripërsëritur këtë linjë analize. "Al-watan", një gazetë pro-qeveritare, ka paralajmëruar se regjimi i Iranit, "që po shtrin tentakulat në vende të tjera të rajonit, ose po përpiqet të veprojë kështu, me të gjitha mënyrat e mundshme", nuk do të pengohet nga marrëveshja. Një tjetër e përditshme, "Al-Sharq", ka shprehur opinionin mbi frikën që "Irani bëri lëshime në planin bërthamor në këmbim të një lirie më të madhe për të vepruar në rajon."
Disa analistë, vecanërisht ata të shteteve më të vogla të Gjirit Persik, shkuan më tej. Jaber Mohammad, një analist nga Bahraini, parashikoi se "Irani dhe Perëndimi tano do të bien dakort mbi mënyrën se si do të ndajnë mes tyre influencën në Gji." Al-Quds Al-Arabi, e qeverisë së Qatar-it, shprehu shqetësimin mbi "një aleancë amerikano-iraniane që ka mbështetjen e Rusisë." Zërat se Obama dëshiron të vizitojë Teheranin, vetëm sa i konfirmojnë këto dyshime.
Ambasadori saudit në Londër, princi Mohammed bin Nawaf bin Abdulaziz, nxori përfundimin më të hapur publik, duke kërcënuar se "Nuk do të rrimë duarkryq dhe të presim kur të na kërcënojnë pa menduar seriozisht se si të mbrojmë, sa më mirë të jetë e mundur, vendin dhe rajonin". Që t'jua them disi me takt, diplomatët sauditë flasin normalisht me këtë gjuhë për vëllezërit e tyre myslimanë.
Në ç'përfundim të çon gjithë kjo retorikë e pazakontë? Predispozicioni luftënxitës iranian kombinuar me politikën amerikane pro-iraniane po i japin fund dhjetëvjeçarëve me radhë të mbështetjes strategjike të sauditëve tek Uashingtoni si dhe po i bëjnë këta të fundit të fillojnë të mendojnë se si të vetë-mbrohen. Kjo ka shumë rëndësi, sepse siç mburret me të drejtë Alwaleed, vendi i tij është prijësi i vendeve arabe, me ndikimin më të madh ndërkombëtar, rajonal, kulturor dhe fetar. Rezultatet e këtij vetëbesimi agresiv të sapo gjetur brenda vetes - duke luftuar kundër vëllezërve islamistë, duke hyrë në aleanca të heshtura me Izraelin, ndoshta duke shtënë në dorë armë bërthamore nga Pakistani dhe madje duke iu drejtuar dhe vetë Teheranit - shënon edhe një tjetër pasojë të politikës së jashtme vetë-shkatërruese të Barack Obamës.