Tre janë mënyrat kryesore se si vrasja e JFK-it vazhdon të ketë pasoja tek amerikanët dhe gjithë bota mbarë. Ajo zë gjithashtu një vend të veçantë në jetën time.
Së pari, nëse vrasja nuk do të kishte dalë më sukses, ka të ngjarë që as lufta e Vietnamit dhe as zmadhimi i qeverisë i njohur si "Great Society" (Shoqëria e Madhe) nuk do të kishin rënduar mbi Shtetet e Bashkuara siç ndodhi në të vërtetë. Projekti "JFK virtual: Vietnami nëse Kennedy do të kishte vazhduar të jetonte" arrin në konkluzionin se "JFK do të kishte vazhduar të kundërshtonte luftën në Vietnam. Megjithëse qeveria e Sajgonit, e dobët dhe e korruptuar siç qe, ishte e destinuar të përfundonte në koshin e plehrave të historisë, ai [Kennedy] do t'i kishte rezistuar thirrjeve për të dërguar trupat ushtarake amerikane në Vietnam. Ai mund t'i kishte dhënë fund përfshirjes ushtarake".
Sa për zgjerimin e programeve qeveritare, historiani amerikan Don Keko shkruan se Kennedy-t "i mungonin aftësitë legjislative të Lyndon Johnson-it gjë që do të kishte fundosur rëndë pjesën më të madhe të asaj që sot njihet si "Great Society"… Pa këtë "Great Society", kombi amerikan nuk do të kishte përjetuar defiçite të mëdha të buxhetit dhe ekonomia do të kishte qenë më e fortë".
Së dyti, vrasja e Kennedy-t dëmtoi thellësisht liberalizmin amerikan. Libri i 2007-s nga James Piereson, "Kameloti dhe Revolucioni Kulturor" (i shtëpisë botuese Encounter) tregon se si liberalët nuk e përtypën dot faktin që Lee Harvey Osvald, një komunist, vrau Kennedy-n për të mbrojtur mbajtjen nën kontroll të Kubës nga Fidel Castro. Kennedy u vra si pasojë e anti-komunizmit të tij; por kjo binte në kundërshtim të fortë me narrativën liberale, kështu që ata e mohuan këtë fakt dhe me këmbëngulje e paraqitën Kennedy-n si viktimë të së Djathtës Radikale, duke e nxjerrë Osvaldin jashtë loje.
Kthesën që mori liberalizmi amerikan drejt anti-pesimizmit amerikan, Piereson-i ia atribuon "mohimit apo mospërfilljes" ndaj rolit të dukshëm që pati Osvaldi në vrasje. "Theksi reformist i liberalizmit amerikan, i cili kishte qenë pragmatik me sytë nga e ardhmja, i la vendin frymës kombëtare të vetëfajësimit". Fajësimi me të madhe i kulturës amerikane për fundin e Kennedy-t, ia zhvendosi fokusin liberalizmit nga ekonomia në barazinë kulturore (racizmi, feminizmi, liria e seksit, të drejtat e homoseksualëve) dhe çoi drejt identifikimit të tyre me lëvizjen kundër-kulturore të fundit të viteve 60-të. Kjo rezultoi në atë që Piereson e quan një "sasi e mbetur ambivalence" ndaj peshës së vlerave tradicionale amerikane.
Liberalët kanë mbetur në kurthin e këtij shtrembërimi, siç del në pah për shembull, në fjalët e Michelle Obama-s në 2008-n, lidhur me suksesin e të shoqit: "Për të parën herë në jetën time prej gruaje të rritur, jam krenare për vendin tim", apo në një artikull të kësaj jave të "The New York Times", ku për vrasjen e Kennedy-t faji u vihet konservatorëve të Dallasit dhe jo një të çorientuari të së majtës ekstreme.
Së treti, katastrofa Osvald-Ruby krijoi një lloj magjepsjeje të vazhdueshme ndaj teorive të çmendura konspirative mes njerëzve që normalisht janë mirë nga mendtë. Vërtet, një sondazh i kohëve të fundit i Gallup-it shtroi pyetjen "Mendoni që një njeri i vetëm ishte përgjegjës për vrasjen e Presidentit Kennedy, apo jeni të mendimit se të tjerë ishin përfshirë në komplot?" Si përgjigje, 60% thanë se të tjerë ishin përfshirë, dhe vetëm 30% thanë një njeri i vetëm.
Jo më pak impresionuese se ky raport 2:1 është ai që, nga të gjithë ata që janë të mendimit se janë përfshirë të tjerë, vetëm 8% tregojnë me gisht si fajtorë Kastron, Kubën, Bashkimin Sovjetik apo vendet e tjera komuniste.
Siç u ankua Gerald Posner në studimin e tij përfundimtar të vitit 1993, "Çështje e mbyllur" që shkruan: "Në diskutim nuk është më çështja nëse JFK u vra nga Lee Osvald që vepronte me kokë të tij apo si pjesë e një komploti – por cila nga teoritë e komplotit është ajo e sakta?" Në këtë mes, e vetmja grimcë lajmi të mirë është fakti që numri prej 61% i mbështetësve të teorive konspirative është më i vogli në më shumë se 40 vjet. Ndoshta Posneri, Vincent Bugliosi dhe të tjerë në fund do të kenë përparësi mbi revizionistët.
Lee Harvey Oswald dhe arma e tij: të lënë krejt jashtë skenarit nga liberalët. |
Së fundi, nga një pikëvështrim personal, kujtimet e të premtes së 22 nëntorit, 1963, mbeten të gjalla. Lajmi i vrasjes në orën 1:30 p.m. EST u përshpërit nëpër sallën e studimit në Commonëealth School të Bostonit. Për habinë e nxënësve, ora e biologjisë e vitit të parë gjimnaz me Ellen Kaplanin, jo vetëm që u zhvillua, por iu nënshtruam dhe një provimi. Pas disa koshave mjeranë basketbolli në palestër, u përpoqa të blej një gazetë, por radhat ishin të pafundme. Në shtëpi, familja ime ashtu si gjithë vendi ndoqi në heshtje lajmet në televizor.
Megjithëse më parë kisha numëruar votat në zgjedhjet e 1960-s dhe kisha parë ceremoninë e inaugurimit të presidentit në vitin 1961, drama e vrasjes ishte ngjarja e parë politike që pati tek unë një ndikim emocional. Dhe vërtet, kaq i thellë e kaq i madh qe ai ndikim sa madje edhe sot – dhe pavarësisht ç'ka dalë në shesh për Kennedy-n që atëherë (përfshirë dhe cilësi të tijat jo shumë të virtytshme) – ajo ditë vazhdon të më rrënqethë dhe të më përlotë, një reagim nga thellë brenda meje ndaj një ngjarjeje politike që nuk është përsëritur kurrë më, madje as kur Vietnami dhe Shoqëria Madhe më çuan drejt së djathtës.
Kështu pra ishte tragjedia e 22 nëntorit, 1963, sa kombëtare aq dhe intensivisht personale.