Shënim: Titulli si është botuar në Washington Times: "Qiproja lundron në një det të trazuar me mundësi për naftë e gaz"
Republika e Qipros është futur në vorbullën e rajonit më të paparashikueshëm e më të pastabilizuar të botës, falë zbulimit të rezervave të reja të naftës dhe të gazit natyror kombinuar ky me luftën civile në Siri dhe politikën e jashtme të çoroditur turke. Edhe pse udhëheqësit e këtij ishulli mesdhetar po tregojnë aftësi në mënyrën se si po trajtojnë si mundësitë ashtu dhe rreziqet e reja, atyre u nevojitet një Flotë Detare Amerikane e fuqishme, e cila për momentin nuk është në dispozicion për ndihmë.
Solon Kassinis njeriu pas strategjisë qipriote për gaz natyror. |
Pjesa më e madhe e kësaj energjie ka të ngjarë të eksportohet në Turqi dhe Europë. Një gazsjellës drejt Turqisë do të ishte gjëja më e lirë dhe më e kollajtë, por për sa kohë që trupat turke të vazhdojnë të mbajnë të pushtuar 36% të Qipros, diçka e tillë nuk do të ndodhë. Një vendim gjyqësor i kohëve të fundit i cili i lejon qeverisë izraelite të vendosë mbi sasinë e energjisë që eksporton, u hap udhë mundësive të reja: Qiproja mund të shkëmbejë gaz natyror me Izraelin, që më pas shkon në Turqi ose të dy aleatët mund të ndërtojnë bashkarisht në Qipro një terminal gazi natyror të kthyer në gjendje të lëngshme.
Nëse Egjipti, Gaza, Libani dhe Siria gjejnë gaz natyror dhe i bashkangjiten botës moderne, edhe ato mund të marrin pjesë, duke kthyer kështu zonën mes Egjiptit dhe Qipros në një burim vërtet të madh; sipas "U.S. Geological Survey", pellgjet ujëmbledhëse të Deltës së Nilit dhe të pjesës lindore të Detit Mesdhe së bashku përmbajnë rezerva që llogariten të jenë 345 tcf gaz natyror dhe 3.44 miliardë fuçi nafte.
Pellgjet ujëmbledhëse të Deltës së Nilit dhe të pjesës lindore të detit Mesdhe së bashku përmbajnë një sasi që llogaritet të jetë 345 tcf gaz natyror dhe 3.44 miliardë fuci nafte. |
Këto rezerva të sapogjetura mund ta ndihmojnë ose ta përndezin më keq problemin qipriot. Qeveria qipriote me shumë mënçuri caktoi kufinjtë detarë me Egjiptin në 2003, Libanin në 2007 dhe Izraelin në 2010. Ka hyrë në marrëveshje për eksplorime të reja me kompaninë energjitike franceze Total, atë italiane ENI dhe me Kogas-in e Koresë së Jugut. Turqia e etur për energji po i vjen vërdallë këtij thesari. Ankaraja do që shteti i saj kukull në pjesën veriore të Qipros të marrë një pjesë të të ardhurave të dala nga vendburimet e reja, ndërsa pushtimi në vitin 1974 i ishullit nga Turqia, ngjall frikën që kryeministri i saj i çoroditur dhe i paskrupullt, Recep Tayyip Erdoğan, mund të pushtojë territorin e Republikës.
Erdoğan dhe ministri i jashtëm Ahmet Davutoğlu kanë ndjekur një politikë të jashtme ambicioze që konsiston në "zero probleme me fqinjët", por që për ironi, ka sjellë si rezultat zero miq për Turqinë. Marrëdhëniet e sforcuara me Gjeorgjinë, Armeninë, Azerbaixhanin, Iranin, Irakun, Sirinë, Izraelin, Autoritetin Palestinez, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Serbinë krijojnë gjasa që Ankaraja t'i rikthehet një mënyre veprimi alla turka dhe t'i vërsulet si Qipros edhe Greqisë. Të dy rastet, për shembull, mund të nxisin vërshime të pakontrollueshme refugjatësh.
Llogaritë e korrikut 2012, mbi numrin e refugjatëve sirianë, tregojnë që Qiproja deri tani i ka shpëtuar dyndjes. |
Këtu është pika ku lufta civile që po zhvillohet në Siri, dmth vetëm 110 km larg, bëhet pjesë e ekuacionit. Deri tani, që konflikti në Siri nuk ka patur ndikim të madh tek vetë Qiproja, por tek vendet afër saj. Aftësitë e saj të kufizuara mbrojtëse dhe anëtarësia në Bashkimin Europian (dmth nëse një emigrant i paligjshëm shkel në Qipro ai është fare pranë futjes në Gjermani dhe Francë) e vënë atë në një pozitë tepër të brishtë. Deri tani, 2.2 milionë refugjatët nga Siria që prej 2011-s e kanë anashkaluar Qipron duke preferuar (në rend zbritës) Libanin, Jordaninë, Turqinë, Egjiptin dhe Irakun, por diçka e tillë mund të ndryshojë shpejt nëse Alavitët që jetojnë shumë më afër Qipros do t'i drejtoheshin detit në turma të mëdha. Ose nëse Turqia i inkurajon sirianët të emigrojnë në pjesën veriore të Qipros e më pas të vidhen përgjatë kufirit drejt e në brendësi të republikës.
Në dallim nga Izraeli aty afër, i cili gjithashtu është i rrethuar, Qipros i mungon si alternativa ushtarake ashtu dhe gardhet mbrojtëse: personeli i forcave të armatosura turke numëron rreth 700,000 vetë, gati sa e gjithë popullsia e Republikës së Qipros prej rreth 850,000 banorësh. Ose e thënë ndryshe, popullsia e Turqisë është gati 100 herë më e madhe se ajo e Qipros. Por Nikozia mund të futet në aleanca, me Izraelin sidomos, për të rritur shkallën e sigurisë. Izraeli nga ana e tij ka si përfitim një kombinim gjërash: operacionet me gazin natyror, një thellësi strategjike për forcat ajrore si dhe një mik në çështjet diplomatike. Siç më tha një ndihmës i presidentit të Qipros Nicos Anastasiades, "Ne jemi ambasadori i Izraelit në Bashkimin Europian."
Deri tani, gjithshka në rregull. Por prania e Marinës së Shteteve të Bashkuara në Mesdhe është zvogëluar në atë pikë sa, siç e përshkruan një ish-zyrtar i Marinës amerikane, Seth Cropsey, Flota e 6 është katandisur në një anije komande në Itali dhe disa destrojerë të raketave balistike në Spanjë. Është mëse e nevojshme që kjo forcë të rigjallërohet urgjentisht për t'i dalë zot aleatëve amerikanë në pjesën lindore të Mesdheut në një kohë kur në rajonet shumë pranë tyre tensionet po rriten me shpejtësi.