Ja një këshillë për anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara kur të pyeten nëse e mbështesin një sulm të udhëhequr nga Amerika kundër qeverisë së Sirisë.
Filloni shqyrtimin duke caktuar përparësitë dhe duke u qartësuar se çfarë ka më shumë rëndësi për vendin. Administrata Obama me të drejtë vë në dukje dy çështje urgjente: ndalimin e armtimit bërthamor iranian dhe ruajtjen e sigurisë së Izraelit. Këtyre po u shtoj edhe një të tretë: rivendosjen e besueshmërisë parandaluese të SHBA-së, të rrëzuar përtokë nga vetë Obama.
Vini në dukje se kjo listë qartazi nuk përfshin arsenalin kimik të regjimit sirian (që është më i madhi në botë) apo edhe përdorimin e tij tani së fundi. Arsyeja është se ato nuk janë asgjë kur i krahason me tmerrin dhe rrezikun që do sillnin me vete armët bërthamore në ndërtim tani në Iran. Gjithashtu, sulmi në Ghouta, të Sirisë në 21 gusht ishte tronditës por jo më i keq se vrasja e njëqind herë më shumë civilëve me anë të mjeteve të tjera përfshi edhe torturës. Më tej, është e vërtetë që ai sulm shkeli një numër marrëveshjesh ndërkombëtare, mirëpo kush është ai që kujton se me disa "goditje të kufizuara" një diktator i dëshpëruar do të detyrohet të vetëpërmbahet në të ardhmen.
Ndërkohë që po zhvillohet debati në Kongres për Sirinë, Maaloula, një qytet i krishterë, ku ende flitet aramaikja e lashtësisë, ka rënë në duart e një grupi xhihadist të lidhur me Al-Kaedën. |
Atëherë cila është mënyra më e mirë për të arritur këto përparësi reale lidhur me Iranin, Izraelin dhe influencën parandaluese amerikane? Ekzistojnë disa variante. Duke u nisur nga më i dhunshmi te ai më pak i tillë, ato përfshijnë:
1. Rrëzojeni regjimin e Asadit. Është shumë tërheqës si variant për shumë arsye, po edhe sepse heq qafe aleatin numrër 1 të Teheranit, dëmton rrugët e furnizimit të Hizbullave. Mirëpo, ky skenar hap Kutinë e Pandorës me anarki në Siri, me ndërhyrje nga jashtë të fqinjëve, me perspektivën e ardhjes në pushtet në Damask të islamistëve të lidhur me Al-Kaedën, me fillimin e armiqësive me Izraelin sidomos në Lartësitë e Golanit që deri tani ka qenë zonë e qetë, me daljen nga dora të armëve kimike të regjimit duke rënë në duar të organizatave terroriste.
Rrëzimi pra i Bashar al-Asadit kërcënon të ripërsërisë çfarë kemi parë pas eliminimit të diktatorëve jetëgjatë të Irakut në 2003 dhe Libisë në 2011, duke sjellë vite madje edhe dekada paqendrueshmërie dhe dhune. Akoma më keq, kjo mund të sjellë rigjallërimin e figurës tashmë politikisht të mbaruar të Rexhep Tayyip Erdoğanit, të fortit të Turqisë. Ai po përmbyset aktualisht nga gabimet veta.
2. T'ia thyesh këmbët regjimit, por pa e përmbysur atë – strategjia e propozuar nga administrata Obama. Edhe ky skenar na çon jo më pak se i pari në terren të panjohur: ka prova se regjimi i Asadit nuk e vret edhe aq mendjen për "ndëshkimin" e udhëhequr nga SHBA, po ka qysh tani gati plane për të përdorur sërish armë kimike, mbase kundër civilëve ashtu si edhe Irani ndaj objektivave amerikane.
Më tej, siç e kam vënë në dukje, një goditje e kufizuar mund të sjellë "dhunë kundër Izraelit, zgjim të celulave në pritje në vendet perëndimore ose një rritje të varësisë nga Teherani. Nëse u mbijeton goditjeve, Asadi do të ketë mundësi që të mburret se e mposhti SHBA-në". Ky hap rrezikon po aq sa edhe rrëzimi i Asadit, por pa përfitimin e heqjes qafe të tij. Pra ky është më i keqi nga të tre opcionet.
3. Mos bëni asgjë. Ky skenar ka disa dizavantazhe: e lë Bashar al-Assadin të padënuar për sulmin me armë kimike; e shkatërron kredibilitetin e Obamës pasi ka deklaruar se përdorimi i kimikateve është një "vijë e kuqe"; dhe përforcon vijën e ashpër në Iran. Mirëpo, ky opsion ka edhe avantazhe shumë më të mëdha se nuk i hedh zjarrit benzinë në një zonë që edhe kështu është mjaft shpërthyese, duke ruajtur një barazpeshë strategjike përfituese mes regjimit dhe rebelëve. Më e rëndësishmja, nuk ia largon vëmendjen Washington-it nga vendi që vërtet ka rëndësi: Irani.
Gërshetimi i 5 anketimeve amerikane dhe 1 britanike nga RealClearPolitics,com tregon një kundërshtim 52% ndaj 32% për veprim ushtarak të SHBA-së në Siri. |
Sipas të gjitha burimeve, mullahët në Teheran po i afrohen gjithnjë e më shumë pikës kur mund të urdhërojnë në çdo moment prodhimin e bombave bërthamore dhe bërjen e tyre gati për përdorim. Ndryshe nga përdorimi i armëve kimike kundër civilëve sirianë, kjo perspektivë është një shqetësim shumë më i rëndësishëm, i drejtpërdrejt dhe jetësor për amerikanët. Ai mund të çojë në një sulm me një puls elektromagnetik kundër rrjetit të tyre elektrik duk i kthyer sakaq në një ekonomi të shekullit të 19, me mbase 200 milionë të vrarë.
Krahasuar me këto, metoda me të cilën sirianët vrasin njëri-tjetrin është në mënyrë vendimtare shumë më pak e rëndësishme si çështje për Kongresin sesa planet amerikane për të gjunjëzuar Shtetet e Bashkuara. Nga ky pikëvështrim, vini në dukje se Barack Obama ka ndjekur shokun e tij demokrat, Bill Clinton në gatishmërinë e tyre për të përdorur forcën pikërisht aty ku interesat amerikane nuk janë vërtet të kërcënuara: Somali, Bosnie, Kosovë, Haiti, Libi dhe tani në Siri. A ka nevojë vërtet që të argumentojmë se pse trupat amerikane duhet të përdoren vetëm për të mbrojtur vendin e tyre?
Kerry dhe Asadi me gratë e tyre darkuan së bashku në Restaurantin Naranj, në pjesën e vjetër të Damaskut në 2009, një kujtesë se disa prej tyre që sot janë anti-Basharistët më të ashpër ishin gjithashtu deri dje apologjistët e tij më të zellshëm. |
Ndërsa, ministri i Jashtëm saudit dhe Liga Arabe, sikur t'ua kenë për borxh kërkojnë që "komuniteti ndërkombëtar" të bëjë detyrën duke ndaluar gjakderdhjen në Siri, autori amerikan i këtij shkrimi që po lexoni, sugjeron që myslimanët sunitë që dëshirojnë të mbrojnë njerëzit e tyre në Siri ta bëjnë vetë atë punë duke përdorur petrodollarët e tyre të shumtë dhe ushtritë e tyre të mëdha.
Duke pasur parasysh të gjitha këto, i rekomandoj Kongresit që të hedhë poshtë këtë shpërqendrim të panevojshëm të kërkuar nga administrata dhe në vend të saj të kalojnë një rezolutë që mbështet dhe inkurajon përdorimin e forcës kundër infrastrukturës bërthamore iraniane.