Është një privilegj të jesh një amerikan që punon në fushën e politikës së jashtme, siç kam punuar unë që prej fundit të viteve 70, si një pjesëmarrës në shkallë të vogël në projektin madhështor që kërkon t'i gjejë një vend në botë atdheut tim. Por në ditët tona, nën Barak Obamën, rëndësia e vendimeve të marra në Washington sa vjen e tkurret në mënyrë dramatike. Një gjë e tillë sa të shqetëson aq dhe të dëshpëron. Dhe gjithashtu nuk është më një privilegj.
Si gjatë periudhës së strukturuar të Luftës së Ftohtë apo dy dekadave kaotike që e pasuan, fuqia ekonomike e Amerikës, epërsia teknologjike, mjeshtëria ushtarake dhe elementët themëlorë të korrektesës dëshmuan se edhe kur qeveria e Shteteve të Bashkuara ishte joaktive, ajo kishte po aq peshë në zhvillimet ndërkombëtare në mos më shumë se cilido vend tjetër. Kur teshtinte Uashingtoni dikë tjetër në botë e zinte gripi.
Presidentë të dobët dhe kryesisht indiferentë si Xhimi Karter apo Bill Klinton kishin gjithësesi rëndësi, si në rastin e revolucionit iranian të 1978-79 ose konfliktit arabo-izraelit në vitet 90. Presidentë të fuqishëm dhe aktivë si Ronal Reagan apo George W. Bush patën ndikim të madh, qoftë në përshpejtimin e rënies së Bashkimit Sovjetik apo pushtimin e Afganistanit dhe të Irakut.
Por, në kohën tonë, me Barak Obamën në krye, rëndësia e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, rajonit më të trazuar në botë, po vithiset drejt një minimumi tronditës. Mungesa e koherencës, inkompetenca dhe pasiviteti e kanë shndërruar administratën e Obamës në një administratë impotente. Në fushën e politikës së jashtme, Obama po sillet tamam si dikush që do të preferonte të ishte kryeministri i Belgjikës, një shtet i vogël që zakonisht imiton vendimet e fqinjëve të tij më të mëdhenj kur vjen momenti për të votuar në Kombet e Bashkuara ose që fryhet si shumë i moralshëm kur bie fjala për turbullira gjeografikisht të largëta. Duke përdorur shprehjen e famshme të dalë nga Shtëpia e Bardhë e Obamës, belgët e kanë zakon "të udhëheqin nga pas."
Fjalimi i Obamës në Kajro në 2009 duket tani shumë i largët. |
Katarri (me një popullsi prej 225,000 banorësh) ka ndoshta një ndikim më të madh në zhvillimet aktuale sesa Shtetet e Bashkuara që janë 1,400 herë më të mëdha (me popullsi prej 314 milionë banorë). Vini re si Obama këto kohë zë vend pas emirëve të Doha-s: Ata drejtojnë furnizimin me armë të rebelëve në Libi, ndërsa ai u shkon nga mbrapa. Ata ndihmojnë aktivisht rebelët në Siri, ai druhet. Ata u sigurojnë miliarda udhëheqjes së re në Egjipt, ai pengohet me këmbët e veta. Ata mbështesin pa rezerva Hamasin në Gazë, ai vazhdon ushqen iluzione për një "proçes paqeje" mes izraelitëve dhe palestinezëve. Për të bërë të mundur këtë të fundit, Sekretari amerikan i Shtetit ka bërë vetëm 4 muajt e fundit 6 udhëtime në Izrael dhe në territoret palestineze për të përmbushur një nismë diplomatike që thuajse askush nuk beson se do t'i japë fund konfliktit arabo-izraelit.
Doha, tashmë ka më shumë influencë se Uashingtoni në Lindjen e Mesme. |
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka bërë 17 herë biseda telefonike 60-90 minutëshe me udhëheqësin egjiptian Abdul-Fattah al-Sisi-n e megjithatë nuk ia ka dalë mbanë ta ndalojë që të përdorë forcën kundër Vëllazërisë Musulmane. Akoma më tronditës është fakti që al-Sisi ka refuzuar të flasë në telefon me Obamën.
$1.5 miliardët ndihmë financiare në vit nga Shtetet e Bashkuara kanë filluar të mos i hynë në sy Egjiptit kur i krahason me $12 miliardët e derdhura nga tri vendet e Gjirit Persik, së bashku me premtimet për të kompensuar cilëndo prej ndërprerjeve të ndihmave nga vendet perëndimore. Secila nga palët në të dy anët e honit të thellë politik të Egjiptit e akuzojnë Obamën që po mban anën e palës kundërshtare si dhe përmendin me urrjetje emrin e tij. Ndërsa dhjetëra kisha Koptike ishin përfshirë nga flakët, ai [Obama] luajti gjashtë raunde golf. Për ironi të fatit, Egjipti është vendi ku 4 vjet më parë Obama mbajti një fjalim të rëndësishëm ku me një pamje prej triumfatori hodhi poshtë politikat e George W. Bush-it.
Woodrow Wilson (1913-1921) ishte i pari nga katër presidentët demokratë që ndikoi ndjeshëm në rritjen e fuqisë së shtetit. |
Deri tani, çmimi që kanë paguar interesat amerikane si pasojë e inkompetencës së Obamës nuk ka qenë i lartë. Por kjo mund të ndryshojë shpejt. Shumë më shqetësues është fakti që Irani shumë shpejt mund të arrijë sukses në fushën bërthamore dhe të fillojë të tregojë fuqinë e tij andej këndej, në mos duke vendosur armët e tij fringo të reja. Regjimi i ri i vendosur në Egjipt mund t'i rikthehet anti-amerikanizmit dhe anti-sionizmit të tij të dikurshëm; që tani elementë me peshë në Egjipt po kërkojnë refuzimin e ndihmave nga Shtetet e Bashkuara dhe dhënien fund të traktatit të paqes me Izraelin.
Si amerikan që e sheh vendin e tij si një forcë positive në botë, zhvillimet e fundit janë sa të dhimbshme aq dhe të frikshme. Bota ka nevojë për një Amerikë aktive, të mençur dhe të vendosur. Siç thotë, me të drejtë, historiani Walter A. McDougall: "Krijimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është epiqendra e gjithë ngjarjeve të 400 viteve të fundit" dhe se qytetërimi amerikan "trazon trajektoret e gjithë qytetërimeve të tjera thjesht duke ekzistuar". Dakord, po ku janë trazimet e ditëve që jetojmë; qoftë e shkurtër kjo e tashme zhgënjyese.