"Çmenduri". Kështu e përshkroi Danny Danon vendimin e kryeministrit Binyamin Netanyahu për t'i dorëzuar Autoritetit Palestinez 104 vrasës si një "shenjë e vullnetit të mirë".
Dhe vështirë se është i vetmi, në një kohë kur shumë vëzhgues (përfshirë edhe mua) jemi tejet të inatosur nga kjo lëvizje. Por Danoni, 42 vjeçar, zë një vend të veçantë në këtë debat, për shkak se ai (1) ka një vend në parlament si anëtar i partisë së Netanyahut, Partia Likud, (2) është kryetar i Komitetit të fuqishëm Qendror të Likudit, dhe (3) është gjithashtu zëvendës ministër i Mbrojtjes. Po të sjellim një analogji me Amerikën, kritika e tij ngjan me talljen që në intervistën e vitit 2010, gjenerali Stanley McChrystal i bëri Zv. Presidentit Joe Biden. Por, ndërkohë që McChrystal u largua [nga detyra] brenda pak ditëve, influenca dhe autoriteti i Danonit sa vjen dhe rritet.
Danoni (djathtas) po shihet masivisht si një gjemb në krah të Netanyahu-t, siç e tregon dhe kjo karikaturë e gazetës Ha'aretz. |
Danon i ka mbetur besnik parimeve thelbësore të partisë dhe të vendit të tij. Opozita e tij e drejtë kur partia ku ai bën pjesë gabon – si në rastin e ndërprerjes në 2009, të ndërtimeve të banesave të hebrenjve në Bregun Perëndimor ose pranimi i zgjidhjes dy-shtetëshe janë tregues i një karakteri të fortë. Siç thekson ai vetë, "Nuk është e lehtë të jesh në një dhomë me tridhjetë vetë dhe të jesh i vetmi që thotë jo."
Ngjitja e tij nëpër institucionet kombëtare të së djathtës izraelite nxjerr në pah aftësitë e tij taktike: nga ndihmës i Uzi Landau-t, në kryetar të Organizatës Botërore Betar, më pas kryetar i organizatës botërore të Likudit, organizator i protestave të rrugës dhe rival i kryeministrit për të marrë udhëheqjen e partisë. Këto përpjekje arritën kulmin në paraqitjen e tij shumë të mirë në listën elektorale të partisë së tij (ku zuri vendin e 5) si dhe në përqindjen habitshmërisht të lartë të votave (85%) që fitoi në zgjedhjet për postin drejtues të Komitetit Qendror të Likudit. Me shumë të drejtë, gazeta "Forward" e quan "mjeshtër të medias shoqërore dhe konvencionale" kurse "The Times of Israel" e cilëson "një pengesë e jashtëzakonshme ndaj shtetit të pavarëur të Palestinës".
Yitzhak Shamir, kryeministri i fundit parimor i Izraelit, i cili e la detyrën në vitin 1992. |
Duke argumentuar se "historia na mëson se në shumicën e herëve, është më mirë për Izraelin, kur vepron me kokë të tij… madje dhe atëherë kur diçka e tillë nënkupton t'u kundërvihesh dëshirave të administratës amerikane", ai arrin në konkluzionin që shteti i Izraelit "ia del mbanë me sukses kur merr vendime që bazohen mbi interesat e tij më të mirë". Ai është i mendimit se Jeruzalemi duhet të kërkojë përmbushjen e synimeve që i ka vënë vetes "me ose pa mbështetjen e aleatëve të tij". Ky argument, ndonëse mjaft i zakonshëm për shumë shtete të tjera, tingëllon i guximshëm në rastin e një shteti të vogël e në rrethim si Izraeli.
Mbase ka ardhur momenti i Danonit. Në një kohë kur Netanyahu po duket se po i bën lëshime të tepërta dhe të pamoralshme Autoritetit Palestinez, Danoni po shfaqet si një disident kryesor i gatshëm për të sfiduar kryeministrin e tij. (Kujtoni komentin e tij "çmenduri"). Në rast se Netanyahu nuk ndjehet më i mirëpritur brenda partisë së tij dhe largohet prej saj për të krijuar një të re (duke ndjekur pikë për pikë gjurmët e Ariel Sharon-it në 2005), Danoni do të jetë kandidati i mundshëm për të udhëhequr Likudin dhe për të fituar zgjedhjet në vijim.
Një tregues i ngjitjes së tij është gjuha fyese që po përdoret kundër tij. Ministrja e Drejtësisë Tzipi Livni krijoi termin "Danonizëm" dhe i bëri thirrje Netanyahut që ta refuzojë. Gideon Levy, një opinionist me pikëpamje të majta ekstremiste i gazetës "Ha'aretz", shkruan me përbuzje, por edhe me frikë se "vogëlushi Danny Danon do të bëhet i madh, mjalti i të djathtëve izraelitë … [ai] do të bëjë përpara".
Daniel Pipes duke dëshmuar përpara Komitetit të Knesset-it për Çështjet e Emigracionit, Absorbimit dhe Diasporës, të drejtuar nga Danny Danon, në mars 2012. |
Personalisht, gjatë dy dhjetëvjeçarëve, që prej kohës së Shamirit, nuk kam reshtur së kërkuari për dikë me karakterin, energjinë, aftësitë dhe vizionin e duhur pët të drejtuar Izraelin. Danonin e kam njohur që prej vitit 2009 dhe kam arritur në përfundimin që ai i ka cilësitë e nevojshme. Shpresoj dhe pres prej tij që t'i qendrojë besnik parimeve të veta dhe të bëjë përpara e të arrijë deri aty nga ku të mundë t'i japë fund politikave jokonsekuente të shtetit të Izraelit dhe t'i vendosë ato përkrah arritjeve të shumta e të jashtëzakonshme të këtij vendi. Fati i shumë gjërave do të përcaktohet nga kjo.