Në një kohë kur Siria dhe Egjipti janë ndezur flakë, pse Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, po rikthehet në Lindjen e Mesme, për të gjashtën vizitë, që nga shkurti, për t'iu përkushtuar edhe më shumë varavingos diplomatike mes izraelitëve dhe palestinezëve?
Pjesërisht, ngaqë ai dhe liberalë të tjerë mendojnë se lufta arabe, iraniane (tani edhe turke?) me Izraelin, në fund të fundit, reduktohet thjesht në konfliktin Izraelo-palestinez. Si rrjedhim, kjo përmasë e luftës fryhet më shumë nga ç'është në të vërtetë. Një arsye tjetër, është se ai ka përvetësuar iluzionin e liberalëve se çështjet që lidhen me Izraelin përbëjnë "epiqendrën" e rajonit (siç u shpreh dikur James L. Jones, në kohën kur ishte këshilltar për çështjet e sigurisë kombëtare në administratën e Obamës), kështu që zgjidhja e tyre duhet t'u paraprijë problemeve të tjera në Lindjen e Mesme.
John Kerry, duke i matur pulsing Binyamin Netanyahut. |
Por ka dhe një arsye tjetër të mundshme që fshihet pas entuziasmit të Kerryt: pasi i mati pulsin kryeministrit të Izraelit, Binyamin Netanyahu, zbuloi se ky i fundit e kishte marrë vërtet seriozisht çështjen e arritjes së një marrëveshjeje me palestinezët dhe nuk po luante pjesën thjesht sa për t'i bërë qejfin Uashingtonit.
Gjithësesi kjo është teza e paraqitur në Israel Hayom nga David M. Weinberg i Universitetit Bar-Ilan: "Netanyahu ka bërë disa deklarata të zjarrta, jashtë natyrës së tij, lidhur me proçesin diplomatik; deklarata që shkojnë përtej llomotitjeve të zakonshme mbi dëshirën e Izraelit për të angazhuar palestinezët dhe për të ndërmjetësuar një zgjidhje dyshtetëshe". Sipas Weinbergut, Netanyahu ka "dëshpërimisht nevojë për një lëvizje diplomatike [pasi] e ka besuar pa doreza argumentin e të majtës sipas të cilit status-quo është e paqëndrueshme". Weinbergu ka ndjesinë se po bëhen përgatitje për "një nismë të njëanshme nga ana e Izraelit për të dorëzuar pjesë të konsiderueshme të Judeas dhe Samarias".
Po pse Netanyahu, i cili qartazi nuk pati këtë platformë elektorale, duhet të bëjë plane të tilla? Weinbergu i hedh sytë kryesisht nga politika e brendshme:
Netanyahu nuk ka ndonjë pikë tjetër në axhendën kombëtare për të mbajtur fort pozitën si kryeministër. Atij i nevojitet një mesazh i ri që në mendjen e publikut ta ripozicionojë si udhëheqës, dhe çështja palestineze është gjithshka ka e me të cilën mund të merret. Nismat për çështjet ekonomike dhe sociale i kanë zënë [rivalët e tij politikë Yair] Lapidi dhe [Naftali] Bennetti. Për situatën e ndezur në Siri dhe Egjipt, Netanyahu nuk ka ndonjë gjë të madhe për të bërë. Detyra e tij është të reagojë me maturi dhe kujdes ndaj zhvillimeve aty, dhe të mos e çojë Izraelin drejt konfrontimit.
Një tërheqje e njëanshme e Izraelit, vë në dukje Weinberg, "do ta çonte në djall aleancën Lapid–Bennett, gjë kjo që përbën dhe prioritet politik të dorës së parë për Netanyahun". Pas kësaj, kryeministri "do të kridhej në lumin e lëvdatave nga elitat e Washingtonit dhe Tel-Avivit", do të tërhiqte mbështetje nga elektorati i majtë dhe ai i qendrës dhe gjasat do të ishin që do të lundronte lehtësisht drejt një fitoreje tjetër elektorale.
Ky shpjegim nuk është bindës për mua: Irani i paraqet një kërcënim i mundshëm vetë ekzistencës së Izraelit dhe përballja me të është mëse e mjaftueshme "për të mbajtur fort pozitën si kryeministër". Publiku izraelit e ka vëmendjen të përqendruar tek Teherani e jo te Ramallah, kurse Netanyahu që rreh gjoksin duke thënë se shpenzon 70% të kohës me çështjet e sigurisë, vështirë se ka nevojë për diplomacira me Mahmoud Abbasin, për të dhënë prova për aftësitë e tij drejtuese.
David Ben-Gurion (1886-1973), shembulli në bazë të të cilit kryeministrat izraelitë që erdhën pas tij gjykojnë veten. Nga kopertina e revistës "Time" të 16 gushtit, 1948. |
Që pas 1948, kompleksi Ben Gurion nënkupton t'i japësh fund kërcënimeve që i vijnë nga jashtë Izraelit. Fatkeqësisht, kjo ambicje e vyer ka nxitur raste të përsëritura hipokrizie dhe shtrembërimesh. Siç e kam përshkruar në 2004 këtë dukuri: "Së pari, çdo ministër i zgjedhur i Izraelit [që prej 1992, qoftë Yitzhak Rabin, Ehud Barak, Ariel Sharon apo edhe Netanyahu] nuk e kanë mbajtur fjalën lidhur me mënyrën se si do të merren me Arabët. Së dyti, çdonjëri prej tyre ka ndjekur një rrugë të papritur lëshimesh".
Netanyahu bëri një premtim në fushatën e vitit 1996 se po të ishte ai në pushtet, Izraeli "nuk do të zbriste kurrë nga Lartësitë Golan"; por vetëm dy vjet më vonë u përpoq t'i ofronte Damaskut gjithë territorin e Lartësive Golan për një copë letër. (Nëse Netanyahu do të kishte patur sukses në atë kohë, mund t'i merrni vetë me mend pasojat në ditët e sotme, me Sirinë e përflakur dhe njësitë e Al-Kaedas që do të përparonin drejt kufijve të Izraelit.) Fatmirësisht, anëtarët e kabinetit të tij e penguan vënien në jetë të kësaj marrëzie.
Falë anëtarëve kryesorë të kabinetit qeveritar, Izraeli vazhdon të ruajë kontrollin mbi Lartësitë Golan. Në foto pjesa e Lartësive Golan që sheh mbi territorin sirian. |
Në ditët tona, ka një konsensus mes qendrës dhe të majtës, se që të eliminohet kërcënimi nga jashtë i Izraelit duhet arritur një marrëveshjeje dyshtetëshe me palestinezët. (Unë nuk jam dakort). A do të marrë Netanyahu kthesë majtas? A do të sfidojë elektoratin e tij? Dhe a do të nënshkruajë një marrëveshje të tillë për të rifituar zgjedhjet? Që prej vitit 2009, prirja e vënë re shpesh e kryeministrave të paparashikueshëm si dhe biografia e Netanyahut më kanë bërë të shqetësohem se ai mund ta tradhëtojë mandatin e tij.
Por ndoshta nuk do të jetë e nevojshme ta marrim një përgjigje: kokëfortësia palestineze po e nervozon Kerryn dhe ka mundësi që edhe njëherë, trysnia diplomatike mbi Izraelin të bjerë.