Që prej 31 majit rebelimi ka tronditur Turqinë: A mund të krahasohet ai me kryengritjet arabe të cilat që nga vitit 2011 kanë përmbysur katër sundues, apo me Lëvizjen e Gjelbër të Iranit të vitit 2009, e cila solli zgjedhjen si president javën e kaluar të një reformatori në dukje, apo ndoshta me "Pushto Uoll Stritin" (Occupy Wall Street), pasojat e të cilës ishin të papërfillshme?
Qeveria e Stambollit u bëri thirrje nënave t'i "mblidhnin fëmijët në shtëpi," por ato iu bashkangjitën edhe vetë protestave në Sheshin Taksim. |
Rritja materiale, që të kujton Kinën, ka qenë arritja kryesore e Rexhep Tayyip Erdoganit dhe AKP-së, partisë që ai kryeson. Të ardhurat personale janë më shumë se dyfishuar gjatë dhjetëvjeçarit kur ai ka qenë në fuqi, duke ia ndryshuar kështu pamjen vendit. Si vizitor i Turqisë që prej 1972, kam vënë re ndikimin e kësaj rritje në thuajse të gjitha fushat e jetës, që në atë çfarë hanë njerëzit aty e deri në kuptimin që ka marrë për ta ndjesia e të qenit turk.
Kjo rritje e ndjeshme shpjegon dhe përqindjen në rritje të votës kombëtare që shkon për AKP-në në tre zgjedhjet e fundit, nga 34% në 2002, në 46% në 2007 dhe në diçka më pak se 50% në 2011. Ajo gjithashtu shpjegon se si pas 90 vjetësh pushtet politik të plotë të ushtrisë, kjo parti qe në gjendje t'i gjunjëzonte forcat e armatosura.
Por në të njëjtën kohë, dy pika të dobëta po dalin në pah gjithnjë e më shumë, veçanërisht pas zgjedhjeve të qershorit 2011, të cilat po e dëmtojnë mbajtjen në mënyrë të vazhdueshme nën zotërim të qeverisë nga ana e Erdoganit.
Njëra është varësia nga borxhi i jashtëm. Për të përballuar shpenzimet e konsumit, bankat turke kanë marrë hua të mëdha nga jashtë, sidomos nga burime mbështetëse myslimane sunite. Pasojë e kësaj është defiçiti buxhetor i tanishëm, i cili ka krijuar një nevojë aq të madhe për kredi sa vetëm sektorit privat i nevojitet një hua prej 221 miliardë dollarësh amerikanë në 2013, dmth thuajse 30% e GDP-së 775 miliardëshe të vendit. Nëse ndalon fluksi i parave në Turqi merr fund "the party" (si në kuptimin e festës ashtu edhe në kuptimin e AKP-së) dhe gjasat janë që bursa të pësojë kolaps, duke sjellë mbase rënien e tregut të stoqeve, rrokullisjen e valutës dhe mrekullia ekonomike të frenojë në mënyrë të menjëhershme.
Erdogani udhëzon prindërit, "Jam duke ju ruajtur. Do të bëni të paktën tre fëmijë." |
Këto dy pika të dobëta tregojnë se sa e rëndësishme është ekonomia për të ardhmen e Erdoganit, AKP-së dhe vendit. Nëse financat e Turqisë do t'u mbijetojnë pa probleme demonstratave, programi islamist që përbën thelbin e platformës së AKP-së do të vazhdojë të përparojë, qoftë ky edhe në një mënyrë më të matur. Ndoshta Erdogani do të mbetet në krye, duke u bërë, vitin që vjen, president i vendit, i veshur me fuqi të reja më të mëdha; ose ndoshta vetë partia e tij do të lodhet me të – siç ndodhi me Margaret Thatcher në 1990 – dhe do ta nxjerrë mënjanë për t'i bërë vend dikujt që është në gjendje ta përmbushë të njëjtin program, por pa ngjallur kaq shumë armiqësi.
Pas dy javë demonstratash, bursa e Stambollit humbi 10 përqind të vlerës së saj. |
Punësimi me pagesë me bordero ka rënë me 5 përqind. Shpenzimet reale për konsum në tre-mujorin e parë në 2013 kanë shënuar një rënie prej 2 përqind kundrejt vitit 2012. Që kur filluan demonstratat, bursa e Stambollit ra me 10 përqind dhe normat e interesit u rritën me rreth 50%. Për të dhënë një vlerësim mbi të ardhmen e islamizmit në Turqi, mbani nën vëzhgim këto dhe tregues të tjerë ekonomikë.