Momenti për lojën me pyetje-përgjigje: Cili nga vendet e Lindjes së Mesme u fshi nga harta, jo shumë kohë më parë, për më shumë se gjashtë muaj?
Përgjigje: Kuvajti, nga gushti 1990 deri në shkurt 1991, u zhduk duke u shndërruar në provincën e 19 të Irakut. Ky pushtim brutal nga Saddam Hyseini shënoi kulmin e një radhe pretendimesh territoriale të shfaqura, herë pas here, nga Iraku që prej 1930-s. Për t'i rikthyer sovranitetin Kuvajtit u desh ndërmarrja e një fushate ushtarake nga një forcë jashtëzakonisht e madhe prej gjysëm milion ushtarësh të kryesuar nga amerikanët.
Ngjarje e lartpërmendur të vjen ndër mend, sepse një zëdhënës iranian kohët e fundit, bëri hapur një kërcënim të ngjashëm kundër Bahreinit. Hossein Shariatmadari, një përfaques i udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khameneit, dhe redaktor i të përditshmes "Kayhan", botoi një opinion më 9 korrik ku deklaroi: "Bahreini është pjesë e territorit iranian, duke qenë se është ndarë prej tij falë një plani të fshehtë e të paligjshëm [të vënë në jetë] nga … shahu [Mohammed Reza Pahlavi, në bashkëpunim me] qeverinë amerikane dhe atë britanike." Duke iu referuar shumicës shiite të popullsisë së Bahreinit, z. Shariatmadari pa ofruar asnjë provë, vijoi deklaratën e tij: "Kërkesa kryesore e popullit të Bahreinit sot është rikthimi i kësaj province … tokës mëmë, Iranit Islamik".
Këto komente, siç raporton Instituti për Media dhe Punë Kërkimore në Lindjen e Mesme (MEMRI), "shkaktuan zallamahi në Bahrein", me turma protestuesish përpara Ambasadës së Iranit, komente të rrepta nga ana e qeverisë, rezoluta alarmuese nga të dy dhomat e parlamentit si dhe madje një fatëa që dënonte me vdekje cilindo qytetar të Bahreinit që do të mbështeste irredentizmin iranian. Edhe shtetet e tjera të Gjirit Persik u bashkangjitën me deklarata po aq fshikulluese.
Bahreini provinca e 14 e Iranit? Kështu thonë disa. |
Kuvajti, në fund, u gëlltit në fakt nga Iraku, prandaj fat të ngjashëm mund të ketë edhe Bahreini. As nuk janë këto vendet e vetme në rajon që rrezikojnë këtë fat. Të paktën tri shteteve të tjera të Lindjes së Mesme u kanoset rreziku i shfarosjes.
- Jordania ka qenë e brishtë, e strukur siç është gjeografikisht mes shteteve më të mëdha, më të fuqishme dhe shpesh agresive. Në një formulim të artikuluar qartë të kësaj frike, i cili është vështirë të harrohet, në kulmin e krizës në Kuvajt, në nëntor 1990, trashëgimtari i atëhershëm i kurorës, Princi Hassan, shprehu shqetësimin se "vendi i tij i vogël prej 3.5 milionësh është në prag të zhdukjes."
- Pavarësia e shtetit të Libanit është vënë në diskutim që prej lindjes së tij në 1926, sepse fqinjët sirianë nuk janë pajtuar kurrë me humbjen e territoreve libaneze. Damasku e ka shprehur në mënyra të ndryshme këtë hezitim: kartografikisht (duke paraqitur kufirin me Libanin si "rajonal" e jo ndërkombëtar), diplomatikisht (duke mos hapur asnjëherë një ambasadë siriane në Bejrut) dhe politikisht (duke dominuar për më shumë se tri dekada punët e brendshme të Libanit).
- Ekzistenca e Izraelit si shtet Hebre mbetet nën kërcënim që prej ditës së shpalljes së pavarësisë në 1948. Fitorja e disa raundeve luftërash gjatë dekadave që pasuan i solli një farë prehjeje e stabiliteti, por një elektorat pa një drejtim të qartë dhe një udhëheqje e pazonja që prej vitit 1992 do të thotë që vetë ekzistenca e vendit po përballet me një rrezik në rritje që mund të krahasohet me atë përpara luftës së 1967-s.
Kuvajti ishte provinca e 19 e Irakut për më shumë se gjashtë muaj. |
Ekzistenca në Lindjen e Mesme e këtij kuinteti të rrezikuar të bën të reflektosh mbi disa gjëra. Së pari, gjendja e vështirë në të cilën ndodhen këto shtete është tregues i cilësisë së jetës politike në këtë rajon, e cila dallohet veçanërisht si e dhunshme, e paqendrueshme dhe tejet e rrezikshme; me aq sa di nuk ka ndonjë shtet tjetër, jashtë Lindjes së Mesme, mbijetesa e të cilit të jetë vënë në dyshim.
Së dyti, ky model i pazakontë është pjesërisht rrjedhojë e një problemi mjaft të përhapur që është ai i kufijve të paqendrueshëm. Me disa përjashtime të rralla – në të cilat për ironi të fatit, bëjnë pjesë edhe dy prej kufijve ndërkombëtarë të Izraelit – shumica e kufijve, në Lindjen e Mesme, jo vetëm që nuk janë të çimentuara saktësisht, por as nuk është rënë ndërsjelltazi dakort për to. Ky revizionizëm i dorës së dytë ushqen një ambicje më arrogante, atë të eliminimit të një shoqërie të tërë.
Së treti, kjo situatë e vë në perspektivë dilemën e Izraelit. Megjithëse rreziku i shfarosjes, në rang botëror përbën një anomali, në rajonin rrethues, ai është një rrezik mëse i zakonshëm. Andrallat e Izraelit janë padyshim më të njohurat në këtë grup, qindra herë më shumë të diskutuara në shtyp dhe në libra sesa ato të katër vendeve të tjera të marra së bashku, por që të pestave u kanoset një rrezik thuajse i të njëjtave përmasa. Ky kontekst nënkupton që statusi i pavendosur i Izraelit do të vazhdojë të jetë kështu për një kohë të gjatë.
Së fundi, këto tensione të ngulitura thellë e të pazgjidhura, nëpër të gjithë Lindjen e Mesme, vënë edhe njëherë në dukje se sa absurde është të konsiderosh konfliktin arabo-izraelit si forcën lëvizëse të të gjithë problemeve në rajon. Secili prej shteteve të rrezikuara përballet me problemet e veta në rrethana unike; asnjëri prej tyre nuk përcakton tërësinë e politikave rajonale. Zgjidhja e konfliktit arabo-izraelit nuk zgjidh as më shumë e as më pak sesa vetëm konfliktin në fjalë.
Shtesë e datës 20 shkurt, 2009: Kam vijuar trajtimin e njërit prej këtyre rasteve në shkrimin "Iranian Claims to Bahrain" (Pretendimet iraniane ndaj Bahreinit).