Çfarë motivesh qendronin pas shpërthimeve në Maratonën e Bostonit vitin e kaluar dhe sulmit të planifikuar ndaj trenit të linjës "VIA Rail" në Kanada?
Të majtët dhe regjimtarët herë pas here ofrojnë përgjigje të pasakta ose të lodhura (si për shembull "ekstremizmi i dhunëshëm" apo "zemërimi kundër imperializmit perëndimor") të cilat nuk meritojnë diskutim serioz. Konservatorët, në të kundërt, angazhohen në debate të gjalla me njëri-tjetrin: disa thonë se është Islami si fe që ofron motivin, të tjerë thonë se është një variant modern ekstremist i fesë, i njohur si "Islami radikal" apo Islamizmi.
Si pjesëmarrës në këtë debatin e fundit, ja cili është argumenti im se pse duhet të përqendrohemi te Islamizmi.
Xhamia Al-Azhar në Kajro, e përfunduar në vitin 972, përfaqëson një kulm të kulturës myslimane. |
Ata që thonë se e keqja është te vetë Islami (si ish-myslimanët Wafa Sultan dhe Ayaan Hirsi Ali) vënë në dukje se që nga jeta e Muhamedit, përmbajtja e Kuranit dhe Haditheve e deri te praktika e sotme myslimane ka një vazhdimësi domethënëse. Duke rënë dakord me filmin "Fitna" të Geert Wildersit, ata theksojnë vijueshmërinë e habitshme ndërmjet vargjeve kuranike dhe veprimeve të xhihadit. Ata citojnë nga skripturat islamike për të argumentuar se sa esenciale është supremacizmi mysliman, xhihadi dhe misogjinia, duke arritur në përfundimin se krijimi i një forme të moderuar të Islamit është i pamundur. Ata sjellin si shembull mënyrën se si kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan përqeshi madje edhe thjesht idenë e një Islami të moderuar. Pyetja e tyre më e fuqishme është: "A ishte Muhamedi një mysliman apo një islamist?" Ata besojnë se ne që fajësojmë vetëm Islamizmin e bëjmë vetëm për korrektesë politike apo nga burracakëria.
Kësaj ne i përgjigjemi: Po është e vërtetë se ka vijueshmëri dhe se islamistët qartësisht ndjekin fjalëpërfjalë Kuranin dhe Hadithet. Myslimanët e moderuar ekzistojnë por u mungon fuqia gati hegjemonike e islamistëve. Mohimi që Erdogani i bën Islamit të moderuar në fakt dëshmon një përputhje interesante të pikëpamjeve të Islamizmit dhe atyre të anti-Islamit. Muhamedi ishte mysliman puro, por ai nuk ishte një islamist, sepse ky koncept merr kuptim vetëm duke filluar nga vitet 1920. Dhe jo, nuk jemi burracakë, por ofrojmë analizat tona të vërteta.
Dhe kjo analiza ndjek këtë rrugë:
Islami është një fe që ekziston që prej 14 shekujsh, me më shumë se një miliard besimtarë që përfshijnë këdo, që nga Sufit e qetë te xhihadistët e dhunshëm. Myslimanët arritën një sukses të jashtëzakonshëm ushtarak, ekonomik dhe kulturor afërsisht ndërmjet viteve 600 dhe 1200 të erës sonë. Të ishe mysliman në atë kohë do të thoshte të bëje pjesë në ekipin fitues. Një fakt që i frymëzoi gjerësisht myslimanët që ta lidhnin fenë e tyre me suksesin e përhershëm. Këto kujtime të lavdisë mesjetare mbeten jo thjesht të gjalla, por edhe qendrore në besimin e myslimanëve te Islami dhe në veten e tyre si myslimanë.
Trauma moderne myslimane fillon: Napoleoni në Betejën e Piramidave, 1798, si është përfytyruar nga Antoine-Jean Gros. |
Një hendek i madh filloi të krijohej rreth vitit 1800, kur myslimanët papritur humbën luftëra, tregje dhe superioritetin kulturor karshi europianëve perëndimorë. Kjo vazhdon edhe sot, ndërsa myslimanët i gjen të grumbulluar në fund të shkallës së çdo indeksi arritjesh. Kjo rënie ka shkaktuar kunfuzion dhe zemërim masiv. Ku u gabua? Pse duket sikur Zoti i ka braktisur besimtarët e Tij? Divergjenca e papërballueshme e arritjeve paramoderne me dështimet moderne ka shkaktuar trauma.
Myslimanët i janë përgjigjur kësaj krize në tri mënyra kryesore. Shekullaristët duan që myslimanët të heqin dorë nga Sherihatit (E Drejta Islamike) dhe të ecin në gjurmët e Perëndimit. Apologjistët gjithashtu duan të imitojnë Perëndimin, por pretendojnë se janë duke e bërë këtë duke ndjekur Sherihatit. Islamistët e hedhin poshtë Perëndimin në favor të një prapakthimi dhe një zbatimi të gjithanshëm të Sherihatit.
Bernard Lewis botoi një libër në vitin 2001 me titullin: "Ku u gabua?" (What Went Wrong.) |
I mbështetur nga 10-15 përqind e myslimanëve, Islamizmi përfiton nga kuadro të devotshëm dhe të talentuar, të cilët kanë një ndikim shumë më të madh se sa duhej të kishin normalisht në bazë të numrit të mbështetësve të tyre. Ai paraqet rrezik ndaj jetës së civilizuar në Iran, Egjipt dhe jo vetëm në rrugët e Bostonit por edhe në shkollat, parlamentet dhe gjykatat perëndimore.
Pyetja jonë më e fuqishme është: "Si mendoni se mund të mposhtet Islamizmi?" Ata që shohin armikun te Islami në tërësi, jo vetëm që bien pre e një iluzioni banalizues dhe esencialist por edhe nuk kanë ndonjë mekanizëm se si mund të mposhtet ky armik. Ne, që përqendrohemi vetëm te Islamizmi, shohim Luftën e Dytë Botërore dhe Luftën e Ftohtë si modele për nënshtrimin e një totalitarizmië të tretë. Ne e kuptojmë që Islami radikal është problemi dhe Islami i moderuar është zgjidhja. Ne punojmë më myslimanët anti-Islamistë për të mposhtur një fatkeqësi të përbashkët. Në do të triumfojmë edhe kundër këtij variant të barbarizmit në mënyrë që të triumfojë një formë moderne e Islamit.