Ndërkohë që amerikanët po përpiqen të zgjedhin mes alternativës së zymtë e aspak joshëse sipas së cilës udhëheqjes fanatike të tërbuar iraniane i lejohet të ketë armë bërthamore dhe alternativës tjetër të bombardimit të qendrave bërthamore për t'i paraprirë të keqes, një analist ofron një shteg të tretë. Është interesant fakti që kjo rrugëdalje e gjen frymëzimin tek një politikë e ndjekur kohë më parë ndaj një armiku tjetër – bëhet fjalë për politikën që ndoqi administrata e Reganit ndaj Bashkimit Sovjetik - e megjithatë ky model i vështirë për t'u pranuar, ofron në fakt një prototip të dobishëm.
Abraham D. Sofaer, një ish-gjykatës distrikti i Shteteve të Bashkuara dhe këshilltar juridik pranë Departamentit të Shtetit, aktualisht studjues i rëndësishëm pranë Institutit Hoover, në librin e tij të dalë nga shtypi kohët e fundit "Të përballesh me Iranin: Forca, diplomacia dhe rreziku iranian" (Taking On Iran: Strength, Diplomacy and the Iranian Threat) botuar nga Hoover Institution, në 2013, argumenton se që prej rënies së Shahut gjatë administratës së Karterit, Uashingtoni "i është përgjigjur agresionit iranian me sanksione të paefektshme si dhe me dënime e paralajmërime boshe".
Sipas tij, qeveria e shteteve të Bashkuara që prej 1988-s, nuk e ka përqëndruar vëmendjen e saj mbi forcën ushtarake iraniane e cila mbron në veçanti rendin islamik në vend dhe shpesh sulmon jashtë territorit të saj. Ajo quhet Pasdaran ose Sepah në persisht dhe Iranian Revolutionary Guard Corps (Trupat Ruajtëse Revolucionare Iraniane )-IRGC në anglisht. Kjo forcë e fuqishme elitare e krijuar në 1988, e cila numëron afërsisht 125.000 vetë, luan një rol të pamatë në jetën politike dhe ekonomike të Iranit. Ajo ka ushtrinë e saj, flotën detare dhe njësitë e forcave ajrore, kontrollon programet e predhave balistike si dhe ka pjesërisht nën kontroll programin bërthamor të vendit. Drejton Basixhin (milicinë paramilitare të përbërë nga vullnetarë - shënim i përkthyesit) që imponon zakonet islamike mbi popullin iranian. Forcat e saj ushtarake kanë më shumë peshë se forcat e rregullta ushtarake. Forca e saj Kuds e cila numëron rreth 15.000 agjentë ka si detyrë të përhapë revolucionin e Khomeinit nëpër botë nëpërmjet infiltrimit dhe vrasjeve. Anëtarët e personelit të saj zënë pozita kyçe në qeverinë iraniane.
Abraham D. Sofaer i Institutit Hoover. |
Në total, IRGC-ja ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 1.000 ushtarëve amerikanë, si dhe të shumë anëtarëve të forcave të tjera të armatosura apo të joluftëtarëve. Qeveria amerikane e ka dënuar IRCG-në si sponsorizues shtetëror i terrorizmit dhe e ka cilësuar si përhapës të armëve të shkatërrimit në masë.
Sofaer mbështet një linjë veprimi me Teheranin të zhdërvjelltë dhe të dyfishtë: "bëji ballë në mënyrë të drejtpërdrejtë agresionit të IRGC-së dhe zhvillo bisedime me Iranin".
Përballja në mënyrë të drejtpërdrejtë nënkupton që Uashingtoni të shfrytëzojë "të gjithë gamën e alternativave në dispozicion për të mbajtur nën fre IRGC-në përpara se të sulmojë bazat bërthamore. Ai argumenton se forcat e SHBA-së kanë të drejtën dhe duhet të marrin në shenjë fabrikat dhe depot e armatimeve, strukturat e IRGC-së (baza, porte, kamionë, aeroplanë, anije), ngarkesa armësh gati për t'u eksportuar si dhe njësi të IRGC-së. Qëllimi i Sofaerit nuk është thjesht të mbajë nën fre dhunën e IRGC-së por gjithashtu "të minojë kredibilitetin dhe influencën e IRGC-së si dhe të bindë Iranin që të marrë seriozisht bisedimet" mbi programin e armëve bërthamore.
Me bisedime nënkuptohet të flasësh me Teheranin rreth çështjeve që kërkojnë zgjidhje e jo ta ndëshkosh atë duke mbajtur distancë. Sofaer citon Xhejms Dobbins, një ish të dërguar të posaçëm të SHBA-së në Afganistan, të ketë thënë: "Ka ardhur koha që në Iran të zbatohen politikat që sollën fitoren e Luftës së Ftohtë, që shpërbënë Traktatin e Varshavës dhe që ri-bashkuan Europën: zbutje dhe mbajtje nën kontroll, komunikim sa herë që është e mundur, konfrontim sa herë që është e nevojshme. Ne folëm me Rusinë e Stalinit. Ne folëm me Kinën e Maos. Në të dy rastet, ekspozim i ndërsjelltë solli ndryshimin e sistemit të tyre dhe jo tonit. Ka ardhur koha të flasim me Iranin pa u kushtëzuar dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse". Së bashku me Çester A Kroker (Chester A. Crocker), një tjetër ish diplomat amerikan, Sofaer e sheh diplomacinë si "motorin që shndërron energjinë e papërpunuar dhe fuqinë fizike në rezultate politike kuptimplote."
IRGC-ja kordinoi bombardimin në vitin 1996 të Kullave Khobar në Arabinë Saudite, duke vrarë 19 vetë nga personeli ushtarak amerikan. |
Sofaer beson se, duke mbajtur krah për krah konfrontimin dhe bisedimet, Teherani do të detyrohet të përmirësojë sjelljen e tij në përgjithësi (p.sh. lidhur me terrorizmin) dhe kjo do të çojë mbase në mbylljen e programit bërthamor, duke lënë sidoqoftë të hapur në tavolinë mundësinë e një sulmi parandalues "nëse gjithshka tjetër dështon".
Ish-Sekretari i Shtetit Xhorxh P Shulc (George P. Shultz), në parathënien e librit "Taking on Iran", e quan idenë e Sofaerit "një alternativë që duhej të ishte vënë në zbatim kohë më parë". Vërtet, jemi vonuar në përgjigjen tonë ndaj mizorive të IRGC-së me gjuhën e vetme që janë në gjendje të kuptojnë udhëheqësit iraniane, atë të forcës – e cila ndoshta mund të ketë dhe një avantazh tjetë, shmangien e konflikteve akoma shumë më të mëdha.