Analistët bien dakord se "erozioni i aftësive të regjimit sirian po përshpejtohet" dhe se hap pas hapi, po vijon të zbrapset, duke bërë gjithnjë e më të mundshme një sukses të rebelëve dhe një fitore islamiste. Si reagim, po ndryshoj rekomandimin tim për qendrimin ndaj këtij konflikti, nga neutraliteti në diçka që si humanitarian dhe si kundërshtar prej dekadash i dinastisë Asad, më bën që të pushoj një çast përpara se të shkruaj.
Qeveritë perëndimore duhet të mbështesin diktaturën e poshtër të Bashar al-Asadit.
Ja cila është llogjika ime për këtë këshillë që e jap me keqardhje: Forcat e së keqes janë më pak të rrezikshme ndaj nesh kur janë në luftë me njëra-tjetrën. Kjo (1) i mban të përqendruara lokalisht dhe (2) pa i lënë që të dalin fitimtare (dhe prej kësaj të paraqesin një rrezik akoma edhe më të madh). Fuqitë perëndimore duhet t'i shtyjnë armiqtë drejt një barazimi pa rrugëdalje, duke ndihmuar secilën palë që është duke humbur sa kohë që kjo e zgjat konfliktin e tyre.
Kjo politikë ka precedent. Përgjatë shumicës së Luftës së Dytë Botërore, Gjermania Naziste ishte në ofensivë kundër Rusisë Sovietike dhe ishte kritike për fitoren e Aleatëve që trupat gjermane të mbeteshin të mbërthyera në Frontin e Lindjes. Prandaj Franklin D. Ruzvelti ndihmoi Jozef Stalinin duke furnizuar forcat e tij dhe duke koordinuar me të angazhimin në luftë. Në retrospektivë, kjo politikë moralisht e qortueshme, por strategjikisht e nevojshme, në fund doli me sukses.Dhe Stalini ishte një monstër shumë herë më e keqe se Asadi.
Stalini, Sadam Hyseini ... dhe Bashar al-Asadi? |
Lufta Irak-Iran e viteve 1980-88 krijoi një situatë të ngjashme. Pas mesit të vitit 1982, kur forcat e Ajatollah Khomeiniit i morën para ato të Sadam Hyseinit, qeveritë perëndimore filluan të mbështesin Irakun. Po, regjimi iraken kishte qenë i pari që nisi konfliktin dhe ishte më brutal, mirëpo ai Iranian ishte më i rrezikshëm ideologjikisht dhe ishte në ofensivë. Më e mira ishte që përleshja të gozhdonte të dy palët në mënyrë që asnjëra të mos dilte fituese. Duke cituar fjalët apokrifale të Henri Kisinxherit, "Sa keq që nuk mund të dalin që të dy të humbur".
FDR, Regani ... dhe Obama? |
Duke zbatuar të njëjtën llogjikë, për Sirinë, sot, gjenden paralele të dukshme. Asadi mund të zërë rolin e Sadam Hyseinit – një diktator bathist brutal që e filloi i pari dhunën. Forcat rebele i ngjajnë Iranit – viktimës fillestare por që po forcohen me kalimin e kohës dhe duke paraqitur një rrezik islamist në rritje. Vazhdimi i luftimeve rrezikon rajonin. Të dyja palët kanë kryer krime lufte dhe paraqesin një rrezik për interesat perëndimore.
Po. Nga mbijetesa e Asadit përfiton Teherani, regjimi më i rrezikshëm i rajonit. Por një fitore e rebelëve, mos harroni, do të ishte një fuqizim i qeverisë gjithnjë e më të pabindur të Turqisë, ndërkohë që do të përforconte xhihadistët dhe do të zëvendësonte qeverinë e Asadit me islamistë triumfatorë dhe të përndezur. Vazhdimi i luftimeve i bën më pak dëm interesave perëndimore sesa marrja e pushtetit prej tyre. E keqja më e vogël është që islamistët Suni dhe Shia të vazhdojnë të përplasen apo që xhihadistët e Hamasit të vrasin xhihadistët e Hezbollahut dhe anasjelltas. Më mirë të mos fitojë asnjëra palë.
Një skenë shkatërrimi në Aleppo. |
Në të njëjtën kohë, Perëndimorët, duhet t'u përmbahen moraleve të tyre dhe t'i japin fund dhunës kundër civilëve, milionave njerëzve të pafajshëm që po vuajnë pa asnjë arsye tmerret e luftës civile. Qeveritë perëndimore duhet të gjejnë mekanizma që të detyrojnë të dy palët në konflikt që t'iu përmbahen rregullave të luftës dhe në mënyrë specifike atyre që izolojnë luftuesit nga joluftuesit. Për këtë do të ishte e nevojshme presioni mbi ata që furnizojnë rebelët (Turqia, Arabia Saudite, Katari) dhe ata që mbështesin qeverinë siriane (Rusia, Kina) për ta kushtëzuar ndihmën me respektimin e rregullave të luftës. Madje kjo mund të përfshijë edhe përdorimin e forcës nga Perëndimi kundër shkelësve të rregullave në secilën palë. Kjo do të përmbushte përgjegjësinë për të mbrojtur.
Në ditën e lumtur kur Asadi dhe Teherani luftojnë rebelët dhe Ankaranë deri në shpartallimin e përbashkët, mbështetja perëndimore duhet t'u shkojë pastaj elementeve jobathistë dhe joislamistë në Siria, për t'i ndihmuar që të ofrojnë një alternativë të moderuar në vend të zgjedhjeve të këqia që paraqiten sot dhe t'i udhëheqim drejt një të ardhme më të mirë.