Pse Barak Obama po i kushton kaq shumë vëmendje Izraelit dhe betejës së tij me Arabët?
Nuk është thjesht fakti që këtë javë ai po kalon ditë të tëra në Izrael, por mbi të gjitha përpjekja e tij pamatë katër-vjeçare për t'i gjetur zgjidhje konfliktit arabo-izraelit. Gjatë gjithë ditës së parë si president, në 2009, ai u mor me caktimin e George Mitchell-it si i dërguar i posaçëm në Lindjen e Mesme, si dhe me telefonata udhëheqësve të Izraelit, Egjyptit, Jordanisë si dhe Autoritetit Palestinez. Sekretari për shtypin në Shtëpinë e Bardhë e justifikoi këtë vëmendje të posaçme duke thënë se Obami e përdori ditën e tij të parë në zyrën e presidentit "për të bërë të ditur që në fillim të mandatit të tij përkushtimin për t'u angazhuar në mënyrë aktive në gjetjen e paqes arabo-izraelite". Disa ditë më vonë, Obama i dha intervistën e parë zyrtare si president kanalit televiziv Al-Arabija.
Hisham Melhemi, shefi i redaksisë së Uashingtonit të televizionit Al Arabiya, ishte gazetari i parë që realizoi një intervistë me Obamën si president. |
Pse ky fiksim me konfliktin arabo-izraelit, që zë thjesht vendin e 49 nga numri i viktimave, në renditjen e konflikteve të përgjakshme që prej Luftës së Dytë Botërore? Për shkak të bindjes së çuditshme të së majtës, e shprehur rrallë haptazi, që kjo është një çështje kyç jo vetëm për Lindjen e Mesme, por dhe për problemet mbarëbotërore.
Një shembull i deklarimit të kësaj pikëpamje, të bërë si rrallëherë kaq troç, vini re komentet spontane dhe të çuditshme të James L. Jones (Xhejms L. Xhones), kur ishte këshilltar i sigurisë kombëtare për Obamën, në tetor 2009. Duke iu drejtuar organizatës "J. Street", ai përmendi "kërkimin e paqes mes Izraelit dhe fqinjëve të tij" dhe vazhdoi:
"Nga të gjithë problemet me të cilat përballet administrata në shkallë botërore, nëse ka një problem që unë do t'ia rekomandoja presidentit, e nëse ai do të kishte mundësinë të bënte çdo gjë që do të dëshironte për të zgjidhur një problem, ky do të ishte ai [problem]. Gjetja e një zgjidhjeje për këtë problem do të kishte një jehonë që do të përhapej në të gjithë botën dhe do të ndikonte në shumë probleme të tjera me të cilat përballemi anembanë globit. Pohimi i anasjelltë nuk është i vërtetë. Kjo është epiqendra ku duhet të përqendrojmë përpjekjet tona. Dhe jam i kënaqur që kjo administratë po vepron pikërisht kështu me kaq entuziazëm dhe përkushtim".
James L. Jones duke iu drejtuar J Street. |
Megjithëse e bërë një vit përpara kryengritjes arabe, ia vlen të zbërthesh këtë deklaratë, sepse ajo hap një dritare të rëndësishme në këndvështrimin botëror të Shtëpisë së Bardhë.
Zgjidhja e konfliktit arabo-izraelit "do të ndikonte në shumë probleme të tjera me të cilat përballemi anembanë globit". Xhonesi la të kuptojë që vazhdimi i konfliktit do të përkeqësonte këto probleme. Në një farë mënyrë, pikëpamja e tij nuk thotë asgjë të re: zgjidhja e çdo lloj konflikti e përmirëson atmosferën e përgjithshme. Por është e paimagjinueshme të mendosh se Shtëpia e Bardhë shpreson në një zgjidhje të çështjes së refugjatëve në Palestinë e Jeruzalem për t'i dhënë drejtim trazirave kurde, sulmeve islamiste, kryengritjes civile në Siri, ambicjeve bërthamore të Iranit, halleve ekonomike të Egjiptit dhe anarkisë në Jemen.
"Pohimi i anasjelltë nuk është i vërtetë". Pse zgjidhja e problemeve të tjera nuk do të sillte përmirësim të konfliktit arabo-izraelit? Asnjë vërtetim nuk e mbështet këtë dokërr të pavend e të palogjikshme. Fitorja kundër islamizmit ashtu sikurse dhe dhënia fund e kërcënimit nga bomba iraniane, padyshim do të luanin vërtet rol në zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit.
"Kjo është epiqendra". Në vitin 2009, shpërthimi i lëvizjes islamiste e kishte ndarë Lindjen e Mesme në blloqet e luftës së ftohtë të drejtuar nga sauditët dhe iranianët, kurse Izraeli dhe palestinezët nuk ishin as atëherë e as tani qendra e rajonit. Për këtë status mund të konkurrojnë më mirë Irani, Turqia apo Arabia Saudite.
"Këtu duhet të përqendrojmë përpjekjet tona". Këtu arrijmë në thelb të çështjes: Xhonesi dëshiron që vëmendja të përqendrohet mbi ndërtimet e reja në Jeruzalem dhe rrjetin elektrik në Bregun Perëndimor dhe jo mbi ndalimin e programit bërthamor të Iranit, sigurimin e burimeve të naftës dhe gazit për Amerikën, përballjen me dilemën nëse duhen mbështetur diktaturat apo kryengritjet islamiste, apo sjelljen ndaj qeverisë gjithnjë e më të pabindur të Turqisë.
Disa njerëz ende e shohin Jeruzalemin si qendër, apo epiqendër të botës. |
Xhonesi të paktën nuk bëri deklaratën e çuditshme gati anti-semite sipas së cilës Izraeli është përgjegjës për të gjitha problemet në Lindjen e Mesme; por versioni i zbutur i këtij trillimi nuk është më pak prej kokëtrashë. Është e trishtueshme që analiza e tij, puqet plotësisht me mendësinë anti-Zioniste që përshkon gjithnjë e më shumë krahun e majtë të Partisë Demokratike.
Për të kuptuar vizitën e Obamës në Izrael, katër vitet e ardhshme si dhe diplomacinë e Bashkimit Europian, mbani në mendje këtë logjikë sa të çuditshme aq dhe të çartur.