Lindja e Mesme është bërë dëshmitare e një zhvillimi radikal në dy ditët e fundit, kur Mbretëria e Arabisë Saudite iu përgjigj një lutje për ndihmë nga Presidenti i Jemenit dhe udhëhoqi një koalicion prej 10 vendesh, në një ndërhyrje nga ajri dhe toka në këtë vend. "Operacioni Stuhia Vendimtare" nxit shumë reflektime:
Sauditët dhe Egjipti në një aleancë: Gjysëm shekulli më parë, Riadi dhe Kairo ishin aktivë në luftën e Jemenit, por ata mbështesnin palë të kundërta, përkatësisht forcat e status kuos dhe revolucionarët. Fakti që tani ata janë aleatë tregon konseguencën e sauditëve dhe ndryshimet e thella që ka pësuar Egjipti.
Arabisht-folësit janë duke marrë situatën në dorë: Gjatë dekadave të parë të ekzistencës së Izraelit, ëndrra e arabëve ishte që të bashkoheshin ushtarakisht kundër tij, mirëpo realitetet e përçarjeve dhe armiqësive të brendshme e shkatërruan këtë shpresë. Edhe në tri rastet (1948-49, 1967, 1973) kur bashkuan forcat, e bënë për arsye të ndryshme dhe në mënyrë joefektive. Është domethënëse që tani që më në fund janë bashkuar në një front, nuk po e bëjnë për të luftuar Izraelin, por kundër Iranit. Kjo të çon në mënyrë të tërthortë te ideja që Republika Islamike e Iranit është një kërcënim real për vendet arabe dhe se duhet ta luftojnë nga nevoja, kurse Zionizmi është diçka që nuk i rrezikon aspak, por duan ta luftojnë nga dëshira. Më tej, bashkimi i tyre dëshmon edhe panikun që është krijuar nga tërheqja e qartë amerikane nga rajoni, që ka sjellë edhe bindjen se duhet të hidhen në veprim.
Udhëheqësit arabë kanjë një histori të gjatë takimesh, por jo një histori bashkëpunimi. Nga e djathta: Mbreti Hussein i Jordanisë, Gamal Abdel Naser i Egjiptit, Jaser Arafati i OÇP-së dhe Muammar Gadafi i Libisë, në shtator 1970. |
Jemeni në qendër të vëmendjes: Jumeni ka luajtur një rol periferik në Bibël, në ngritjen e Islamit si dhe në kohërat modern; bota nuk është shqetësuar ndonjëherë për të - papritmas kjo është hera e parë. Jemeni u përngjet atyre vendeve - dikur të harruara - si Koretë, Kuba, Vietnamet dhe Afganistani, të cilat duket sikur dolën nga askundi për t'u vënë në qendër të vëmendjes së botës.
Lufta e ftohtë e Lindjes së Mesme u kthye në luftë të nxehtë: Regjimet iraniane dhe saudite kanë udhëhequr blloqe rivale për më shumë se një dekadë. Ata janë ndeshur ashtu si ndesheshin dikur qeveritë amerikane e sovietike – nëpërmjet ideologjive, spiunazhit, ndihmës, tregëtisë dhe operacioneve sekrete. Më 26 maj, kjo luftë e ftohtë u bë e nxehtë dhe rrezikon të mbetet e tillë për një kohë të gjatë.
A mund të fitojë një koalicion i udhëhequr nga sauditët? Tepër e vështirë, sepse këta janë fillestarë që po përplasen me aleatë të Iranit të cilët janë rregjur në beteja e që veprojnë në një terren të vështirë.
Islamistët mbizotërojnë: Udhëheqjet e të dy blloqeve kanë shumë të përbashkëta. Të dyja aspirojnë një zbatim universal të ligjit të shenjtë islamik (Sherihatit), të dyja përbuzin të pafetë dhe të dyja e kanë kthyer fenë në ideologji. Konflikti mes tyre konfirmon islamizmin si të vetmin faktor në Lindjen e Mesme, çka u jep të dy palëve luksin për të luftuar njëra-tjetrën.
Aleanca Turqi-Katar-Vëllazëria Myslimane është në rënie: Një aleancë e tretë mes revizionistëve sunitë diku ndërmjet revolucionarëve shia dhe "status-kuotistësh" sunitë është shfaqur aktive gjatë viteve të fundit në shumë vende si Iraku, Siria, Egjipti, Libia… Mirëpo tani, në sajë të diplomacisë së nisur nga Mbreti Salman, i sapokurorëzuar, i Arabisë Saudite, anëtarët e saj janë duke anuar nga bashkëfetarët e tyre sunitë.
Mbreti Salman i Arabisë Saudite, ka bërë diçka të paparë duke bashkuar një koalicion të gjerë ushtarak. |
Irani i izoluar: Po, Teherani me agresivitetin e tij mbizotëron tani në katër kryeqytete arabe (Bagdad, Damask, Beirut dhe Sana'a) mirëpo, kjo arritje po i kthehet në problem: fitoret e njëpasnjëshme iraniane kanë bërë që shumëkush në rajon (përfshi edhe disa ish-shtete mike si Pakistani dhe Sudani) ta shohin Iranin me frikë.
Injorimi i konfliktit arabo-izraelit: Ndoshta administrata Obama dhe udhëheqësit europianë vazhdojnë të jenë të fiksuar me palestinezët, duke i parë si kyç për punët e rajonit, mirëpo aktorët kryesorë të rajonit kanë përparësi shumë më urgjente. Jo vetëm që nuk kanë nge tani të merren me Izraelin, por shteti hebre është heshturazi një lloj shtese e bllokut të udhëhequr nga sauditët. A shënon kjo një ndryshim afatgjatë të qendrimeve arabe ndaj Izraelit? Mbase jo; kur të shuhet kriza iraniane, vëmendja pritet të kthehet te palestinezët dhe Izraeli siç ndodh gjithmonë.
Politika amerikane në çoroditje: Lindja e Mesme me shumë të drejtë u tall në 2009 kur Barack Obama dhe naivët si ai kujtuan se duke u tërhequr nga Iraku, duke i buzëqeshur Iranit dhe duke punuar më shumë për negociatat arabo-izraelite, do ta rregullonin rajonin, duke hapur rrugën që të zhvendosnin vëmendjen drejt Azisë Lindore. Në vend të kësaj, ajo që ka ndodhur është që të paaftët që janë vërtitur që atëhere në krye të qeverisë amerikane nuk po përballojnë dot zhvillimet shumë të shpejta e të papritura, shumë prej të cilave për faj të tyre (anarkia në Libya, tensionet me aleatët tradicionalë, një Iran shumë më agresiv etj).
Ndikimi te një marrëveshje me Iranin: Ndonëse Uashingtoni ka pranuar të bëjë lëshime në shumë pika të negociatave me Iranin dhe i ka bërë regjimit të mullahëve shumë ndere (për shembull heqja e Hizbullahut nga lista e organizatave terroriste), kur erdhi puna te Jemeni, mbajti qendrim dhe mbështeti koalicionin anti-iranian. A do të dalë tani duke përplasur këmbët nga salla e bisedimeve Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei? Vështirë se do ta bëjë sepse oferta që po I bëhet me këtë marrëveshje është tepër joshëse për ta refuzuar.
Diplomatët amerikanë takohen përsëri me interlokutorët e tyre iranianë për të kapitulluar edhe në një pikë tjetër. |
Që ta përmbledhim, diplomacia e zgjuar e Mbretit Salman dhe gatishmëria e tij për të përdorur forcën në Jemen është përgjigjia ndaj një gërshetimi shumë të rezikshme të anarkisë arabe, agresionit iranian dhe dobësisë së Obamës; një përgjigje që do ta shndërrojë rajonin për vite me radhë.